E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fisheku “tradhton’ Elezajn, Apeli i liron vëllanë dhe djalin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 26-03-2011 11:52

Tiranë Gjykata e Apelit liroi dje dy nga biznesmenët e arrestuar për skandalin e naftës virxhin, duke ndryshuar kështu vendimin e Shkallës së Parë, që vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Bajram Fisheku, vëllai i biznesmenit Iljas Fisheku dhe djali i tij Martini janë liruar nga Gjykata e Apelit, pasi provat e paraqitura nga Prokuroria nuk kanë qenë të mjaftueshme për mbajtjen e tyre në qeli. Pavarësisht akuzës për të cilën dyshohet se kanë konsumuar, shkalla e dytë e gjyqësorit, me relator gjyqtarin Gjin Gjoni ka ndryshuar masën e sigurisë për 25-vjeçarin Martin Fisheku, duke caktuar ndaj tij detyrim për paraqitje. Ndërsa biznesmeni i dytë është liruar me kërkesë të Prokurorisë së Apelit, e cila kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Bajram Fishekut, pasi provat e deritanishme nuk e ngarkojnë atë me përgjegjësi në kontrabandimin e naftës virxhin, e cila zyrtarisht rezultonte e eksportuar jashtë vendit, ndërsa është rihedhur në tregun e pakicës e përzier me benzinë. Po dje, me masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit u përballën edhe të katër nga të arrestuarit e tjerë për këtë çështje: Flamur Merkaj, Fadil Abdurramani, Reshat Aleksi dhe Genci Prençe. Të katër punonjësit e kompanisë “Fisheku” janë lënë në qeli nga Apeli, që çmoi se provat e Prokurorisë faktonin implikimin e tyre në këtë skemë mashtrimi, edhe pse ata kanë qenë të ngarkuar për transportin e naftës virxhin. Sipas Prokurorisë, të arrestuarit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar konsumatorët, duke rihedhur në treg një sasi prej rreth 17 mijë tonësh naftë virxhin, e cila është përzier me benzinën dhe është shitur në tregun e pakicës. Ky fakt duket se është pranuar tërthorazi edhe nga disa prej të arrestuarve në deklarimet që kanë dhënë për llogari të hetimit të nisur nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës. Vetëm pak ditë më parë, pjesëtarë të grupit hetimor kanë marrë dëshmitë e vëllezërve Fisheku, ku njëri prej të cilëve, Iljas Fisheku, është edhe administrator i kompanisë së naftës, që sipas Prokurorisë dyshohet se është përfshirë në skemë, duke kryer transportin e virxhinit. Sipas dëshmisë së të arrestuarve, rezulton se kompania “Fisheku” ka dhënë me qira mjetet e transportit për llogari të kompanisë “Euroil”, e cila rezulton të jetë kompania që blinte naftën virxhin që dilte nga përpunimi i naftës në “Armo”. Të arrestuarit kanë pranuar faktin se nafta virxhin nuk është transportuar drejt portit të Vlorës, ashtu sikurse rezulton nga deklaratat doganore, por është çuar në depozitat e naftës në Golem, që po ashtu ishin marrë me qira nga kompania “Euroil”. Duke shfajësuar veten, biznesmenët kanë deklaruar se marrëdhënia e tyre me kompaninë “Euroil”, në pronësi të biznesmenit Hajri Elezaj, ka qenë për çështje biznesi, çka nënkupton pagesa për shërbimin e transportit që i janë ofruar. Të arrestuarit pretendojnë se gjithë sasia e naftës virxhin është blerë nga kompania “Eurol” dhe përveç shërbimit të transportit, i cili është ofruar kundrejt pagesës, kompania “Fisheku” nuk ka asnjë lidhje tjetër me këtë çështje. Por ndryshe nga sa kanë deklaruar biznesmenët, Prokuroria thotë se edhe ata dyshohet të jenë përfshirë në skemën e trafikut të naftës virxhin, pasi nga përgjimet rezulton se Iljas Fisheku udhëzonte shoferët e kompanisë së tij të mos tregojnë vendin ku realisht transportohej nafta virxhin.

Shtyhet masa për biznesmenin Elezaj

Pesë të arrestuarit e tjerë si të përfshirë në skemën e mashtrimit, përfshi biznesmenin Hajri Elezaj dhe dy zyrtarët e tatimeve e doganave, Dashamir Kasaj dhe Edmond Ferraj, do të përballen me masën e sigurisë javën e ardhshme. Motiv për këtë shtyrje ka qenë numri i konsiderueshëm i çështjeve që gjykata kishte në rend dite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›