E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e gjyqtarit, policia ndërton identikitin e autorit

Nuni: “Më sulmoi një person me kapele, që e kishte fshehur pistoletën në një gazetë”. Uniformat blu janë fare pranë kapjes së autorit të mundshëm të atentatit

Luan Kondi

Tiranë – Edhe pse nën lëngimin e plagëve të marra, gjyqtari i plagosur, Ardian Nuni, ka dëshmuar para hetuesve gjithçka mbante mend në lidhje me ngjarjen. Ai ka përshkruar me detaje atë që ndodhi mbrëmjen e së dielës, duke dhënë edhe mjaft fakte të rëndësishme për hetimet. Sipas burimeve, rreth orës 19:00, hetuesit kanë shfrytëzuar gjendjen e mirë shëndetësore të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë për të marrë deklarimin, që mendohet mjaft i rëndësishëm për identifikimin e autorit. Në bazë të kësaj dëshmie, policia ka ndërtuar edhe identikitin e të dyshuarit si autor i atentatit të dy ditëve më parë.
Deklarimi
Gjatë marrjes në pyetje, anëtari i Gjykatës së Lartë ka përshkruar me detaje momentin e atentatit. “Jam sulmuar nga një person që mbante një kapele.... Personi në fjalë e kishte fshehur pistoletën në një gazetë.... Nuk kam pasur asnjë debat me atentatorin...”, - ka deklaruar Nuni. Ai ka dhënë detaje në lidhje me moshën e përafërt të atentatorit, shtatin e tij, si dhe karakteristikat e fytyrës. Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën se gjyqtari ka fiksuar edhe veshjen e agresorit, duke u dhënë mundësi hetuesve që tashmë të kenë në dorë fakte të rëndësishme. Në bazë të dëshmisë së tij, grupi hetimor ka krijuar identikitin e agresorit, i cili do t’u jepet të gjitha komisariateve të policive në Tiranë dhe rrethe. Sipas burimeve, uniformat blu janë fare pranë kapjes së autorit të mundshëm të atentatit.
Ngjarja
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, është qëlluar katër herë me armë zjarri pistoletë në afërsi të banesës së tij tek ish-parku i delegacioneve në Tiranë, rreth orës 11:30 të mbrëmjes së të dielës. Gjykatësi 40-vjeçar është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pas katër plagëve, në sup dhe në këmbë, që ka marrë. Atentatorët, që policia mendon se janë të paktën dy persona, arritën t’i shpëtonin mbulimit të saj për shkak edhe se informacioni për plagosjen e tij është dhënë shumë minuta më pas.
“U gjetën në cilësinë e provës katër gëzhoja pistolete të kalibrit 7.62 mm, të cilat i kanë kaluar për ekspertim Laboratorit të Policisë Shkencore. Janë shoqëruar dhe janë pyetur rreth kësaj çështjeje një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët janë konstatuar në vendin e ngjarjes”, - u shpreh zëdhënësi i Policisë. Hetimet për këtë çështje i janë ngarkuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, si edhe Drejtorisë së Hetimit në Policinë e Shtetit.

Reagime

Atentati ndaj Nunit

Presidenti Bamir Topi: “Të parandalohen situata të tilla”

“Organet specifike që parandalojnë situata të tilla, sikurse janë shërbimet inteligjente, Policia Kriminale dhe struktura të tjera të specializuara duhet të bëjnë një punë më të madhe për të mbrojtur jetën e çdo qytetari. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të vazhdojë të operojë me më shumë profesionalizëm. Këtu nuk është çështja te funksionarët e lartë të shtetit, sepse nuk mund të bëjmë ndarje midis kategorive shoqërore dhe njerëzve të veshur me pushtet dhe atyre pa pushtet. Është shumë e rëndësishme të forcohet shteti ligjor, ku çdo qytetar i Shqipërisë të jetë i sigurt, kudo që ai jeton dhe punon”.

Ruçi: “Plagosja e gjyqtarit, jeta e qytetarëve e pasigurt”

Partia Socialiste ka reaguar ashpër ndaj sulmit me armë që iu bë mbrëmë anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar si akt të shëmtuar ndaj Drejtësisë plagosjen e Nunit dhe. sipas tij, shteti duhet të kontribuojë më shumë për sigurinë e të gjithë njerëzve. Gramoz Ruçi, së bashku me sekretarin për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, e vizituan nga afër në Spitalin Ushtarak gjyqtarin Ardian Nuni, duke i uruar shërim të shpejtë. Për mediat, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh: “Të gjithë kemi nevojë për sistemin shëndetësor dhe gjyqësor. Kur preket një anëtar i Gjykatës së Lartë, mendoni se sa i sigurt është një qytetar i thjeshtë në rrugët e këtij vendi. Ky është një apel për politikën shqiptare dhe veçanërisht për maxhorancën dhe Ekzekutivin aktual”.

Gjykata e Lartë: Atentat i rëndë ndaj Gjyqësorit

“Sulmi ndaj gjyqtarit Nuni përbën një atentat të rëndë jo vetëm kundër Gjykatës së Lartë, por edhe kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë një shqetësim të madh jo vetëm për gjyqtarët, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e interesuar aq shume për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”.

Zëvendëskryetari i KLD-së, Spahiu: “Të mos denigrohen gjyqtarët”

“Në raste ku implikohet figura e një gjyqtari, organet kompetente shtetërore duhet të tregojnë kujdes të veçantë në trajtimin institucional të çështjes, me qëllim ruajtjen e diskrecionit të nevojshëm në publikimin e të dhënave për çdo rast konkret. Ftoj të gjitha institucionet e dhënies së drejtësisë në nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët, i cili të synojë në angazhimin maksimal për të mos lejuar denigrimin e gjyqtarëve, si dhe të funksionarëve të tjerë të procesit të dhënies së drejtësisë”.

Ministri Alibeaj: “Të vihen para Drejtësisë autorët e krimit”

“Dënojmë ashpër atentatin e kryer ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, gjyqtarit Ardian Nuni”, - tha Alibeaj. Ministri i Drejtësisë u kërkon organeve shtetërore zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi të shëmtuar. “Brenda kompetencave ligjore të Ministrisë së Drejtësisë do t’i ndihmojmë maksimalisht organet përkatëse për zbardhjen dhe ndëshkimin e autorëve të këtij krimi”, - vijoi ministri Alibeaj.

Dobjani: “Të ndërmerren nisma ligjore për ruajtjen dhe garantimin e jetës së gjyqtarëve”

“Për fat të mirë, gjendja shëndetësore e gjyqtarit Nuni është jashtë rrezikut për jetën. Ky akt kriminal është një shenjë negative ndaj figurës së gjyqtarëve. Duhen të ndërmerren nisma ligjore të menjëhershme për ruajtjen dhe garantimin e jetës për të gjithë ata që japin Drejtësinë”.

Kule: “Të dënohet menjëherë akti kriminal ndaj një profesori”

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Dhori Kule, në emër të stafit pedagogjik dhe studentëve, dënoi të hënën aktin e rëndë kur një natë më parë u rrezikua jeta e profesorit dhe anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, nga një atentat me armë. Në një konferencë për shtyp Kule u shpreh se “akti kriminal nuk është vetëm një akt i rëndë ndaj një anëtari të Gjykatës së Lartë, por edhe ndaj një profesori të nderuar të universitetit, i cili ka dhënë një kontribut të shquar personal në Fakultetin e Drejtësisë”. Duke i uruar shërim të shpejtë kolegut të tij, Kule u kërkoi strukturave të shtetit “të bëjnë përpjekjet maksimale për të zbuluar autorin e ngjarjes së rëndë. “Personat duhet të ndëshkohen shpejt dhe ashpër”, - tha ai.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: “Ky akt, presion ndaj gjykatave”

“Duke vlerësuar faktin që z. Nuni ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, të instancës më të lartë të pushtetit gjyqësor, ka dyshime se autori ose autorët e kësaj ngjarjeje kanë dashur t’i marrin atij jetën për shkak të detyrës. KSHH-ja e dënon ashpër këtë akt të rëndë kriminal dhe e konsideron atë si një presion që i bëhet jo vetëm individëve të veçantë, por edhe gjykatave në tërësi, që sipas Kushtetutës së RSH-së, janë të pavarura”.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›