Bakojanis: “E pafalshme nëse nuk bëni zgjedhje të lira dhe të ndershme”
Shaban Sulçe
Monitorimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, si dhe çështja e ligjit të dosjeve, kanë qenë dy nga pikat kryesore të vizitës së ministres së Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, në Tiranë. Bakojanis është takuar me krerët e lartë të shtetit shqiptar, me Presidentin e Republikës Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, me ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, si dhe me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Duke qenë se Greqia mban presidencën e radhës të OSBE-së, ministrja e Jashtme greke ka premtuar se OSBE-ja do të dërgojë vëzhgues të shumtë për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri.
Zgjedhjet
Pasi kanë përfunduar takimin kokë më kokë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis dolën së bashku në një konferencë për shtyp.
Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar, ministri Basha theksoi se kishte njohur homologen e tij për përgatitjen e procesit zgjedhor në vend. Bakojanis, nga ana e saj, garantoi se OSBE-ja do të dërgojë vëzhguesit e saj në zgjedhjet parlamentare shqiptare dhe plot optimizëm u shpreh se beson se Shqipëria do të arrijë standardet e kërkuara në zgjedhje. Basha theksoi se Bakojanis është një mike e Shqipërisë, ndërsa Greqia është një partner strategjik dhe politik. Duke e vlerësuar takimin si të frytshëm, numri një i diplomacisë shqiptare tha se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë perspektivë edhe në të ardhmen. Për këtë temë, ministrja greke foli edhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Çështja e zgjedhjeve të qershorit dhe përmbushja e standardeve të tyre ishin në qendër të bisedës së zhvilluar. Burime zyrtare nga OSBE-ja kanë konfirmuar se Bakojanis është shprehur se Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes që kësaj radhe të mos zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Për dy prej çështjeve të ngritura nga opozita, kryesuesja e radhës e OSBE-së tha se regjistri nuk duhet të ketë dublikime dhe se çdo shqiptar që nuk ka pasaportë duhet të pajiset me letërnjoftimet biometrike.
Ligji i dosjeve
Ligji i dosjeve ka qenë tema kryesore e takimit që ministrja e Jashtme greke ka patur me kryeministrin e vendit Sali Berisha. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, kryeministri Berisha e garantoi ministren Bakojanis se ligji i lustracionit do të zbatohet në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor dhe standardet e Strasburgut dhe se qeveria shqiptare do ta vlerësonte maksimalisht në rast se ekspertë çekë të ligjit të lustracionit do të mund të vinin në Shqipëri për të ndihmuar për zbatimin e tij. Ministrja Bakojanis theksoi se lustracioni, si një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me moralin e shoqërisë, gjen mirëkuptim nga të gjithë dhe se ajo është dakord të kërkohet ndihma e një grupi ekspertësh. Gjithashtu në takim kryeministri Berisha e garantoi Bakojanis për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe i kërkoi asaj të influencojë për të sjellë në Shqipëri sa më shumë vëzhgues. Ajo shprehu sigurinë e saj se qeveria shqiptare do të zhvillojë zgjedhje të mira e të ndershme. Kryeministri Berisha e garantoi znj. Bakojanis se investimet greke kanë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare. Nga ana e saj, znj. Bakojanis i bëri me dije kryeministrit se qeveria greke është shumë e interesuar të nxisë investimet greke në Shqipëri dhe në këtë kontekst ajo tha se programi i ndihmës ekonomike greke do të financojë, përmes një granti, të gjitha rrugët rurale që lidhin rrugën Konispol - Sarandë me komunat përreth.
10 Shkurt 2009