Shqipëria dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë
Nënshkruhet marrëveshja për varret e ushtarëve grekë në Shqipëri. Dje, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, është zhvilluar ceremonia e nënshkrimit midis palës shqiptare dhe palës greke për marrëveshjen “Mbi bashkëpunimin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke mbi kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke të vitit 1940-1941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Zana Xhuka dhe nga zëvendësministri i Mbrojtjes Kombëtare greke, Kostantinos Tasoulas. Ceremonia e nënshkrimit është bërë pas takimit që ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka patur me zëvendësministrin grek të Mbrojtjes Kombëtare Kostantinos Tasoulas si dhe me zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Theodoros Kassamis. Sipas Nenit 1 të kësaj marrëveshjeje
në nderim të ushtarakëve dhe shtetasve të tjerë grekë që kanë shoqëruar ushtrinë me status të veçantë (anëtarë të Kryqit të Kuq, personel mjekësor dhe priftërinj), të rënë në luftë gjatë Luftës Greko-Italiane të viteve 1940- 1941, do të ndërtohet vendprehja në Shqipëri me shpenzimet e Qeverisë së Republikës Greke. Vendprehjet e sipërpërmendura do të ndërtohen:
në një shesh, 4 km përpara qytetit të Këlcyrës, në rrugën kryesore Lekli- Këlcyrë që qeveria shqiptare do ta vërë në dispozicion për këtë qëllim, si dhe në një shesh në hyrje të fshatit Bularat. Sipas Nenit 4, të gjitha eshtrat e personave të rënë në luftë, gjatë Luftës Greko-Italiane të viteve 1940-1941, që ekzistojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të vendosen në këto vendprehje, ndërkohë që kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi i eshtrave do të bëhet nga një komitet i përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë.
10 Shkurt 2009