E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Berisha gënjen, kriza ka prekur vendin”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka thënë se Shqipëria do të ketë rritjen ekonomike më të ulët që nga viti 1997. Meta tha se këto deklarata bien në kundërshtim me deklaratat mashtruese, demagogjike dhe euforike të kryeministrit Sali Berisha. Meta tha se vendi rrezikon stabilitetin për shkak të krizës financiare dhe keqqeverisjes së kryeministrit Sali Berisha. “Deklarimet e përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dje lidhur me rritjen ekonomike, më të ultën të parashikuar në vend që pas krizës së jashtëzakonshme të vitit ’97, që është në kundërshtim të plotë me deklaratat mashtruese, demagogjike dhe euforike të kryeministrit Berisha, janë jo vetëm në sinkron të plotë me analizat dhe vlerësimet për situatën gjithnjë më të rëndë ekonomike e sociale në vend, të parashtruara në mënyrë të vazhdueshme dhe me fakte nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por tregojnë qartë rrezikun që i vjen stabilitetit të vendit dhe njëkohësisht mirëqenies dhe standardit të jetesës së shqiptarëve”, - tha Meta. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Meta denoncoi edhe disa sondazhe rezultatet e të cilave, sipas tij, janë porositur nga kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së Edi Rama. Meta tha se këto pseudosondazhe nuk mund t’i shpëtojnë krerët e këtyre dy partive të mëdha nga ndëshkimi i 28 qershorit. “Unë mund t’ju them se panik-sondazhet e porositura nga Rama dhe nga Berisha jo vetëm që nuk frenojnë dot rrjedhjen e elektoratit të tyre të zhgënjyer nga mashtrimet e tyre, nga keqqeverisja e të dyve, por njëkohësisht nuk i shpëtojnë dot ata nga një ndëshkim i jashtëzakonshëm që i pret më 28 qershor lidershipet e këtyre dy forcave politike, të vjetra, që kujtojnë se mund të mbajnë elektoratin me sondazhe të manipuluara. Ora e ndryshimit po troket dhe ne mezi po e presim 28 qershorin që të gjithë shqiptarët ta prekin ndryshimin”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›