E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka Europiane thërret në takim Berishën për ligjin e dosjeve



Trojka Europiane thërret në një takim konfidencial kryeministrin Sali Berisha për të diskutuar në lidhje me ligjin e dosjeve. Ky takim ishte paraprirë nga deklarata e Bashkimit Europian dy javë më parë, në të cilën shprehej shqetësimi në lidhje me miratimin e ligjit të dosjeve dhe pasonte takimin e bërë me zëvendëskryeministrin Genc Pollo, disa ditë më parë. Kështu, gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit e Trojkës Europiane, ambasadorja çeke, ambasadori i delegacionit të BE-së Helmut Lohan dhe ambasadori i Suedisë u takuan në mënyrë konfidenciale me kryeministrin Berisha. Mësohet nga burime të sigurta se ambasadorja çeke i ka shprehur edhe një herë kryeministrit Berisha shqetësimin e Brukselit që ligji i dosjeve ka probleme të mëdha ligjore dhe kushtetuese. Brukseli ka shkuar një hap më tej kur përmes Trojkës thuhet se i ka kërkuar kryeministrit në këtë takim që të mos vazhdohet më tej me zbatimin e tij duke ngritur autoritetin e verifikimit të figurës dhe se në Shqipëri është shumë e rëndësishme që të respektohet shteti i së drejtës dhe Kushtetuta. Mesa duket, një insinuatë e qartë se ngritja e këtij komisioni, ende pa patur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të interpretohej si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit të saj ndaj ankimimeve të bëra për ligjin e lustracionit nga disa grupime politike dhe shoqërore në vend. Mësohet gjithashtu se Trojka ka nënvizuar si shumë të rëndësishëm faktin që kuadri ligjor i Shqipërisë të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe normat komunitare sidomos tani që është në prag të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Sipas të njëjtave burime, kryeministri Berisha mësohet të ketë garantuar Trojkën se nuk do të cenohen institucionet e pavarura, duke lënë të kuptohet se s’ka në plan të tërhiqet nga zbatimi i ligjit, duke e quajtur këtë detyrim personal të tijin përkundrejt shqiptarëve.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›