E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmës sekretari amerikan: "Shtrirja e EULEX, hap përpara"

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, tha se vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është një goditje për ata që duan ndarjen e saj dhe është një hap për të konsoliduar një Kosovë të bashkuar.

Ai tha se EULEX-i do të veprojë sipas Rezolutës 1244, që është e paanshme ndaj statusit, por efekti i vendosjes së misionit, sipas tij, do të jetë konsolidimi i institucioneve të Kosovës.

Misioni i EULEX-it, tha ai, do të veprojë në një Kosovë të pavarur, të pandarë dhe sovrane.

Zoti Fried tha se Kosovës i është njohur e drejta sovrane që ta kundërshtojë gjashtëpikëshin e OKB-së dhe shtoi se çdo marrëveshje në të ardhmen duhet të negociohet, të diskutohet dhe të konsultohet me qeverinë e Kosovës.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit e vlerësoi si shumë të suksesshme dhe të rëndësishme mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u miratua një Deklaratë Presidenciale, me të cilën mundësohet vendosja e misionit evropian për drejtësi dhe polici.

Në fillim të bisedës, të cilën e zhvilloi korrespondenti i BBC-së, Arbër Vllahiu, Ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Fried, flet fillimisht për rëndësinë e deklaratës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Daniel Fried: Vendimi i sotëm i KS-së është një ditë e mirë për Kosovën. Është një ditë që i hap rrugën vendosjes së EULEX-it, të misionit evropian për rendin dhe ligjin në gjithë Kosovën, në një Kosovë të pandarë, të pavarur dhe sovrane.

Kjo do të hapë rrugën për zvogëlimin e rëndësishëm të UNMIK-ut dhe kjo është, natyrisht, pjesë e procesit që ne e kishim paraparë, kur Kosova u bë e pavarur.

Misioni i EULEX-it do të ndihmojë autoritetet kosovare për të krijuar një sistem unitar dhe të vetëm të rendit dhe të ligjit në gjithë vendin dhe në fakt është që të përforcojë sovranitetin në Kosovë dhe kjo do të ndihmojë zhvillimin e të ardhmes evropiane të Kosovës.

EULEX-i do të përfshijë edhe SHBA-në. Ne asnjëherë nuk kemi marrë pjesë në një mision të BE-së si ky. Ne po marrim pjesë në EULEX për shkak të rëndësisë së misionit dhe për shkak të përkushtimit tonë ndaj Kosovës.

Kjo ka kërkuar shumë punë, ka shumë çështje të vështira të diskutuara dhe të negociuara.

Por raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, megjithatë, e bëri të qartë se plani për bartjen nga UNMIK-u tek EULEX-i dhe të gjitha marrëveshjet e tjera do të kryhen në konsultime të vazhdueshme dhe në koordinim me Kosovën.

Asgjë nuk do të bëhet, në aspekte praktike, pa një pajtim të qeverisë së Kosovës.

Unë e përshëndes atë që ka bërë qeveria e Kosovës, me deklaratën e saj katërpikëshe, me të cilën e bëri të qartë se e mirëpret vendosjen e EULEX-it që na hapi rrugën të ecim përpara.

Dhe SHBA-ja, së bashku me miqtë e saj, do të vazhdojë të punojë në Kosovë, për të parë se ky shtet shumëkombësh ka një të ardhme të sigurt në Evropë dhe se të gjitha grupet etnike kanë një të ardhme të sigurt në Kosovë. Kjo është një ditë e mirë.

Ishte një proces i vështirë dhe do të ketë edhe gjëra të tjera të vështira përpara, por është një ditë për të përgëzuar qeverinë e Kosovës që ka punuar me sukses për të parë se vendosja e EULEX-it mund të dakordohet për të nisur punën nën kushte të mira.

Ishte një javë e vështirë, pas disa javësh diplomacie, por një javë e mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›