E Diel, 1 Nëntor 2026

Llojet e pensioneve që mund të përfitojnë ushtarakët

Kushtet dhe masa e përfitimit për të gjitha kategoritë. Ndarja sipas vjetërsisë së shërbimit dhe statusit që kanë

Laureta Rryçi

Tiranë - Të gjithë ata që gëzojnë statusin e ushtarakut përfitojnë pensione të ndryshme. Lloji i pensionit përcaktohet në varësi të viteve të punës, gradave dhe pozicionit që ka pasur secili prej tyre deri ditën kur ka mbushur moshën për pension. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm rastet kur një ushtarak mund të përfitojë pension të parakohshëm dhe masën që i llogaritet nga specialistët e ISSH-së. Më poshtë do të rendisim dhe kushtet e përfitimit për secilën kategori ushtarakësh, qofshin ata në rezervë apo në lirim.
Pension pleqërie
Ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur ka plotësuar kushtet për pension të plotë pleqërie, sipas ligjeve për sigurimet shoqërore, përfiton pension suplementar pleqërie si ushtarak. Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë.
Ushtaraku që ka vjetërsi shërbimi më pak sesa u tha dhe më lart, përfiton pension suplementar në masën 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Pension invaliditeti
Ushtaraku i shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfiton pension invaliditeti, të plotë a të pjesshëm, përfiton pension suplementar invaliditeti, si ushtarak. Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 2 për qind për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbi pensionin që merr përfituesi, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit.
Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension invaliditeti, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie. Kontributi për këto kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese për gradë, funksion që ka pasur ushtaraku në çastin e nxjerrjes në rezervë/lirim, por në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve. Ushtari i shërbimit të detyrueshëm, studenti ushtarak ose kursanti për nënoficer, i cili për shkak të detyrës ose gjatë saj pëson dëmtime trupore apo mendore dhe përfiton pension të plotë apo të pjesshëm invaliditeti, përfiton edhe pension suplementar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar të invaliditetit për ushtarin e shërbimit të detyrueshëm, studentin ushtarak ose kursantin për nënoficer është në masën 20 për qind të pagës referuese të gradës “nëntetar”.

Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

1. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese.
2. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese.
3. Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
4. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
5. Periudha për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Kontributi për këto kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve.
6. Periudha 1.7.1992 deri më 31.12.1998, për ushtarakët e dalë në reformë njihet si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë derdhen nga Buxheti i Shtetit, në bazë të pagës referuese nga çasti që ka lindur kjo e drejtë.
Mënyra, kushtet dhe kriteret e zbatimit të kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Për ushtarakët, të cilëve u ka lindur e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm para datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, niveli i masës së përfitimit të llogaritur vendoset në kufijtë e parashikuar në këtë nen.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar familjar
Personat që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë ose lirim, që vdes apo ka vdekur dhe që përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, marrin pension suplementar familjar.

Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar
Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët, që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën
Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut, i cili për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbet jetën, dhe që përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension suplementar familjar.

Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët, që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën
Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët, që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën, llogaritet në vlerën 100 për qind të pagës referuese, shtesë mbi pensionin familjar.

Kushtet për përfitimin e pagesës suplementare në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim
Në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim, i cili trajtohet me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, familja e tij përfiton pagesë suplementare në formë ndihme, vetëm një herë.

Masa e përfitimit të pagesës suplementare në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim
Masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe jepet nga Ministria e Mbrojtjes për ushtarakun që trajtohej me pagesë kalimtare ose nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për ushtarakun që trajtohej me pension të parakohshëm.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›