E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e plotë e vajzës në polici: Kisha frikë se do të ngjallej pas vrasjes

Bledi Gilaj

Nazime Visha rrëfen katër vitet e persekutimit nga Fiqiri Muça

Bledi Gilaj

Nazime VishaHistoria ime me Fiqiriun nis qëkur isha 14 vjeçe. Në atë moshë, ai ka kryer marrëdhënie seksuale me mua për herë të parë dhe që në atë kohë më ka nxirë jetën. Më kërcënonte se do të më vriste vëllezërit më të vegjël, ose familjen, nëse tregoja gjë. Për pak kohë u shkëput, ndërsa kur u rrita dhe u fejova, ai u rikthye sërish, duke kërkuar që unë të ikja me të në Kosovë, pasi më thoshte se do të bëjmë shumë para në lokale me muzikë. Të fejuarin tim e kërcënoi se do e vriste, nëse nuk hiqte dorë nga mua. Madje, kur më rrëmbeu, më mori bizhuteritë, të cilat i shiti për rreth 1 milion lekë. Për 11 ditë më mbajti në pyll dhe më jepte për të ngrënë aq sa për të mbajtur shpirtin gjallë, me shpresën që unë të pranoja të ikja me të në Kosovë. Kur u kthye sërish, vendosa ta vras, para se ai të më vriste. Ky është rrëfimi i 18-vjeçares Nazime Visha, dhënë për agjentët e policisë pak orë pas vrasjes së Fiqiri Muçës në fshatin Kërrabë. Në prani të avokates Vjollca Pustina, vajza ka shpjeguar me hollësi persekutimin që i është bërë nga 45-vjeçari, si dhe ndihmën që sipas Nazimes, i është dhënë atij nga një punonjës policie në Burrel. Ajo ka treguar me detaje sesi kishte vendosur ta kryente vrasjen, pasi ai i kishte gjetur sërish numrin e telefonit. Ajo ka treguar të gjitha detajet e persekutimit, ndërkohë që nga frika e njohjeve që Fiqiri Muça kishte në polici, ajo ka dhënë deklaratë të rremë në momentin e rikthimit pas rrëmbimit, veprim i cili i kushtoi shumë, pasi ajo nuk u pranua as në shtëpi më nga prindërit e saj.

Persekutimi i vajzës

Kur isha 14 vjeçe, ai filloi të më ngacmonte kur në shtëpi nuk ndodhej askush. Një ditë, pasi ai rrinte shumë te ne, më përdhunoi. Nga frika nuk tregova asgjë, ndërkohë që ai nuk më lejonte të flisja me njeri, duke më kërcënuar se do të merrte thikën e do i priste në qafë dy vëllezërit e mi. Ai kreu marrëdhënie seksuale me mua disa herë. Para një viti, familja më fejoi me një djalë në Tiranë. Madje, ai më solli nishanin, ndërkohë që Fiqiriu, sapo e mori vesh, u bë keq. Më mori numrin e telefonit që më kishin bërë dhuratë dhe i binte shpesh. Më kërkonte që unë të ndahesha nga i fejuari se do e vriste. Ai thoshte nuk të lë, do të marr me vete. Ndërsa ditën që më rrëmbeu, më pyeti ku isha. Tha se do të vinte në shtëpi e do të më vriste vëllezërit. Kur erdhi aty, i dola para dhe iu luta që mos ti prekte. Ai më urdhëroi të hyja në makinë dhe të bisedonte. Por kur hipa, ai u nis dhe nuk ndaloi më. Rrugës më kërcënonte me një thikë, duke më thënë se nëse flisja apo bërtisja, do të më vriste. Më thoshte kam shumë miq në polici, e do të dal e të vras edhe familjen, nëse e arrestonin. Më çoi në një pyll, në një barakë. Më tha se do të rrija aty për pak kohë, e do të niseshim drejt Kosovës. Unë nuk doja. Më pas më mori telefonin, bizhuteritë që më kishte bërë dhuratë i fejuari dhe shkoi për ti shitur. Nuk dija nga të shkoja, nuk e njihja rrugën. Ai më tha se i kishte shitur një milion lekë, pasi me to do të paguanin taksinë, për të shkuar në Kosovë. Ndonjëherë më merrte me të mirë, duke më thënë se do të bëj valltare në lokale me muzikë në Kosovë, ka rrëfyer vajza. Më tej, ajo ka shpjeguar se ai i premtonte se do të fitonin shumë para. Fillimisht ai do të paguante borxhet, më pas ajo do të kujdesej edhe për familjen e saj të varfër. Më tha se do të ndante familjen, pasi të kemi bërë para mjaftueshëm në Kosovë, ku nuk të njeh askush. Gjithashtu, më provokonte se edhe sikur të shkoja me të tjerët, nuk do të merrej vesh nga askush, pasi ndodhej në Kosovë, deklaroi vajza në polici.

Rrethimi nga policia

Gjatë gjithë kohës mësohet se ajo donte të kthehej në shtëpi dhe i kërkonte Muçës që ti jepte telefonin të fliste me familjen. Por, pas pak ditësh, ai kishte shkuar me nerva në barakë dhe e kishte rrahur, pasi, sipas tij, policia kishte rrethuar të gjithë vendin. Do e vras babanë tënd që ka denoncuar në polici. Unë nuk të lë ty, as i vdekur, mësohet ti ketë thënë ai. Por, sipas vajzës, ai kishte një mik në polici, me të cilin në atë kohë ka folur disa herë, me qëllim që ta dorëzonte. Në anën tjetër më bëri presion, që të them se jam larguar me dëshirën time. E nga frika e policit, që ai kishte në Komisariatin e Burrelit, u detyrova të gënjej. Por familja ime, sapo mori vesh që unë jam shprehur që jam larguar me dëshirën time, më tha mbytu ku të duash, se në shtëpi nuk ke vend më. Kështu, gjyshi e gjyshja më strehuan në shtëpinë e tyre. Që në atë kohë, nuk i kam takuar më prindërit e mi, ka treguar 18-vjeçarja.

Rikthimi i makthit

Për rreth një muaj isha e qetë, pasi ai nuk e dinte se ku ndodhesha, derisa më gjeti sërish numrin e telefonit. Në këtë kohë, ai filloi të më marrë në telefon dhe i thashë të më linte të qetë, pasi edhe i fejuari e kishte falur për çfarë kishte ndodhur, shprehet vajza. Por Fiqiri Muça ka telefonuar e kërcënuar edhe të fejuarin e vajzës se do e vriste nëse ai nuk hiqte dorë prej saj. Kërcënimet tashmë kishin filluar edhe në familjen Visha. Ai dërgonte mesazhe edhe tek i ati i saj.

Nata e vrasjes

Javën e shkuar, ai e ka telefonuar sërish, duke i thënë se kishte gjetur paratë dhe do të shkonin në Kosovë. Duke e kërcënuar që të dilte ta takonte, ai ka prenotuar një taksi për ta marrë me vete, ndërkohë që adoleshentja nuk ka ditur çtë bëjë më, veçse ta vriste. Pak pas mesnatës, Fiqiriu më telefonoi dhe më tha dil te dera. Mu errësuan sytë, e nuk dija çtë bëja. Kisha parë një armë të vjetër afër shtëpisë, ku jetoja dhe shkova me vrap dhe e mora. Sapo dola te dera, ai filloi të më urdhëronte. Në këto kushte u zgjuan edhe të tjerët, kështu që i drejtova armën, ndërsa ai ia futi vrapit. E ndoqa duke qëlluar e duke bërtitur, e nuk mbaj mend sesi e kam vrarë tamam, e më pas e kam goditur me armën e vjetër, derisa kanë ardhur familjarët dhe më kanë futur në oborrin e shtëpisë. Nuk kisha të ngopur në të. Kisha frikë se edhe nga varri do të zgjohej. Më pas erdhi babai, i cili foli me mua dhe më tha të dorëzohesha në polici, ka shpjeguar 18-vjeçarja viktimë, e cila u bë autore e një vrasjeje të paralajmëruar.

Polici dhe arma

Grupi hetimor ka vijuar me marrjen në pyetje të saj, në lidhje me policin e përmendur prej saj, ndërkohë që 18-vjeçarja është shprehur se vetëm një herë e kishte parë në polici dhe nuk e mbante mend mirë. Por ajo ka rrëfyer me detaje shumë biseda të bëra nga Fiqiri Muça me të. Madje, Fiqiriu kishte pranuar të shkonte në polici për të dëshmuar, vetëm, pasi ai i kishte dhënë fjalën se nuk do të ndodhte asgjë, pasi vajza kishte dëshmuar se ishte larguar me dëshirën e vet dhe ishte 18 vjeçe. Më tej, grupi hetimor ka kërkuar të dijë më shumë informacion për armën e krimit, e cila ishte automatik, pak i ndryshkur, por vajza nuk ka pranuar të japë shumë detaje për vendin ku e kishte gjetur. Ajo ka shpjeguar se po të kishte siguri do e denonconte me kohë Fiqiriun, por pas rrëmbimit, ajo i kishte humbur shpresat, kështu që mendonte vetëm se do e vriste, nëse ai kthehej më. Ajo nuk është shprehur e penduar për krimin e kryer, por ka deklaruar se nëse ajo nuk e vriste, ai do ta trafikonte, e më pas mund ta vriste në ndonjë zonë të thellë të Kosovës, ku nuk do të dëgjonin më për të.

Familja

Nëna: Nuk e pranuam në shtëpi nga turpi

Pas rrëmbimit të Nazimes, prindërit e saj, të cilët deri në momentin e vrasjes nuk dinin asgjë se çfarë vuante vajza e tyre, nuk e kishin pranuar më në shtëpi. Për familjen Visha,

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›