Ish-kryengritësit e Libisë ndihmojnë kolegët e Sirisë
Ish-luftëtarët kundër diktatorit të Libisë Muammar Gaddafi kanë filluar të ndihmojnë grupet ushtarake kundër diktatorit të Sirisë Al Assad, bën të ditur agjencia Reuters në një lajm ekskluziv. Njëri prej tyre, Hussam Najjar është nga Dublini dhe ka babain nga Libia dhe nënën Irlandeze. Njihet në Irlandë me emrin Sam. Ai është një snajper i stërvitur që luftoi forcat proqeveritare në Libi. Ai qe pjesë e njësisë që sulmoi dhe pushtoi vetë selinë e Gaddafit dhe që udhëhiqej nga Mahdi al-Harati, një rebel nga malet perëndimore të Libisë.
Harati tashmë udhëheq një njësi ushtarake në Siri të përbërë kryesisht nga vendësit por ku bëjnë pjesë edhe disa luftëtarë të huaj. Në këtë njësi ushtarake ka 20 oficerë të njësisë ushtarake kryesore që solli fundin e regjimit të Libisë, përfshirë edhe libiano-irlandezin Najjar.
Libianët që po ndihmojnë rebelët e Sirisë janë specialistë në komunikim, logjistikë, çështje humanitare dhe armë të rënda. Ata drejtojnë baza stërvitore.
Najjar thotë se u befasua kur pa se sa e keqarmatosur dhe e paorganizuar qe ushtria e rebelëve të Sirisë dhe komentoi se muslimanët suni të Sirisë janë një maxhorancë e shtypur dhe e torturuar nga regjimi i Assad.
Mbeta i tronditur. Asgjë që kisha dëgjuar nuk më pati përgatitur për çfarë pashë. Gjendja e muslimanëve suni atje, – gjendja e tyre mendore të gjitha këto janë rënduar në mënyrë të paimagjinueshme nga regjimi, tha ai.
Gati sa nuk fillova të qaj kur pashë armët e tyre, të cilat qenë tërësisht të papërdorshme. Ato janë përgjithësisht armë të mbetura nga lufta e Irakut. Për fat të mirë unë jam në gjendje të riparoj një pjesë të tyre, shtoi ai.
Gjatë muajve që ai ka punuar në Siri, arsenali i rebelëve është shtuar ndjeshëm. Rebelët kanë arritur të zënë armë të kalibrit të madh si dhe disa topa kundër-ajror apo snajper.
Mosorganizimi është një problem serioz. Ndryshe nga rebelët e Libisë, të cilët gëzonin mbrojtjen ajrore të NATO-s dhe për rrjedhojë, mund të ndërtonin kampe të mëdha stërvitore, rebelët në Siri punojnë në grupe të shpërndara pasi janë gjithmonë brenda zonës së veprimit të forcave ajrore të Assad-it.
Në Libi ne mund të mblidhin 1500 vetë në një zonë dhe ti organizonim në çeta e brigada. Këtu ne kemi njerëz të shpërndarë gjithandej, thotë ai.
Megjithëse rebelët luftojnë nën flamurin e Ushtrisë së Sirisë së Lirë, komandantët e tyre kanë shumë pak koordinim me njëri-tjetrin.
Një nga faktorët kryesorë që ka vonuar revolucionin, është mungesa e unitetit mes udhëheqësve rebelë, komentoi ai.
Kryengritja në Siri ka kaluar tashmë në fazën e një lufte civile të përgjithshme me ndasi të konsiderueshme sektare, duke vendosur maxhorancën suni përballë forcave të Assad të dominuara nga sekti alavit, një degë e shia-ve, në minorancë. Assad mbështetet nga Irani që qeveriset nga shiat ndërsa kundërshtohet nga vendet e tjera arabe ku sundojnë sunitë.
Kjo nuk është një luftë vetëm për rrëzimin e Assad. Kjo është një luftë e muslimanëve suni të Sirisë, të cilët duhet të marrin vendin e tyre dhe të heqin nga pushteti një minoritet që i ka shtypur tashmë prej gjeneratash, komenton Najjar.
Prania e luftëtarëve të huaj është një çështje shumë e ndjeshme për rebelët e Sirisë. Qeveria e Assad i referohet rebelëve si forcat Turko-Arabe, duke akuzuar shtetet e udhëhequra nga sunitë për armatosjen dhe financimin e rebelëve.
Njësia e Haratit njihet si Brigada e Umetit, duke iu referuar bashkësisë botërore të muslimanëve. Najjar thotë se mijëra luftëtarë të tjerë suni nga bota arabe po mblidhen në vendet fqinje dhe po përgatiten për tiu bashkuar luftës.
Najjar thotë se luftëtarët suni po bashkohen vullnetarisht me Ushtrinë e Sirisë së Lirë dhe se kjo gjë po ndodh para së gjithash se bashkësia ndërkombëtare nuk po vepron.
Nëse Perëndimi dhe vendet e tjera nuk lëvizin shpejt, natyrisht në arenë mund të hyjnë ekstremistët, thotë ai.
Muslimanët e Libisë dhe veçanërisht luftëtarët kundër Gaddafit konsiderohen si të moderuar.
14 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ish-kryengritësit e Libisë ndihmojnë kolegët e Sirisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip