E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e të arrestuarit: Ja pse e qëllova vrasësin e babait

LEZHË- Fill pas arrestimit, 21-vjeçari Ylli Prenga ka rrëfyer se përse kishte qëlluar mbi autorin e vrasjes së babait të tij. Policia e Lezhës arrin të zbardhë plotësisht shkakun e vrasje së Prend Prengës dhe Pjetër Pjetrit, duke e ndërtuar ngjarjen të plotë dhe dokumentuar atë. Ka qenë pikërisht arrestimi në flagrancë i Ylli Prengës, 21 vjeç, djalit të Prend Prengës, i vrarë nga Pjetër Pjetri, që kanë bërë që policia ta ketë më të lehtë edhe për të ndërtuar ngjarjen nga e para.

Dëshmia

Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se Ylli Prenga para oficerëve të krimit ka shpjeguar detajet e ngjarjes. “Dy ditë më parë, babai im Prend Prenga, rreth orës 19:10, ka qenë në afërsi të shtëpisë në Kallmet të Vogël, së bashku me mua dhe motrën, kur ka debatuar me Pjetër Pjetrin, fqinj i yni”, ka pohuar ai. Sipas tij, debati ka nisur në lidhje me pronësinë e një sipërfaqeje toke të mbjellë me ullinj, para katër vitesh nga Prend Prenga. Pasi Pjetër Pjetri pretendonte se toka ku ishin mbjellë ullinjtë, ishte e tija. “Edhe pse kishte ndërhyrë kryepleqësia, për shuarjen e konfliktit edhe më parë, kishte qenë e pamundur shuarja e konfliktit, ndërsa dy ditë më parë ky konflikt kishte qenë edhe më i madh. Pas debatit në orën 19:10, Pjetër Pjetri 44 vjeç, vetëm pak minuta pas debatit më ka qëlluar babin me çifte”, ka vijuar rrëfimin Ylli Prenga, duke plagosur rëndë atë. “Motra ime, që ishte më e vogël, i ka dalë përpara Pjetër Pjetrit duke ju lutur edhe me zë të lartë që të mos më vriste babin. Ndërsa unë jam larguar me shpejtësi në drejtim të shtëpisë, nga ku edhe kam marrë një armë gjahu për t’u mbrojtur. Ndërsa kam parë babin të shembej përdhe, pasi është qëlluar me çifte nga Pjetër Pjetri, e kam ndjekur autorin e krimit dhe, vetëm pak metra larg vendit që qëlloi tim atë, e kam qëlluar me çifte duke e lënë të plagosur në vend atë. Ndërsa kam marrë babanë tim duke e dërguar në spitalin e Lezhës, për t’i dhënë ndihmën e parë, por pa mundur dot, pasi ai vdiq gjatë rrugës për në spital”.

Sipas Policisë së Lezhës, mësohet se Pjetër Pjetri ka vdekur gjatë rrugës për në spital, në fshatin Larushkë të Krujës. Ndërkohë që Policia e Lezhës ka arrestuar pas ngjarjes Ylli Prengën, i cili ndodhej në afërsi të spitalit të Lezhës, ndërsa në vendin e ngjarjes sipas burimeve zyrtare janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke, si dhe një gëzhoje fisheku arme gjahu me kapsolle të goditur. Prend Prenga, sipas burimeve të informacionit, kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga emigrimi në Itali, ku edhe vazhdonte të punonte, për të qëndruar me pushime e më pas për t’u larguar për në Itali. Policia e Lezhës ka ngritur padinë për veprën penale ndaj Ylli Prengës ““Vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psiqike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të gjahut”.

Ceremonia mortore

Me dhjetëra forca policie dhe Forca Speciale të Qarkut të Shkodrës kanë qëndruar dje në fshatin Kallmet i vogël në Lezhë, për të shmangur edhe konfliktet mes familjeve Prenga dhe Pjetri. Sipas drejtorit të Policisë, Muharrem Furriku, “policia do vazhdojë të qëndrojë sërish në fshatin Kallmet të Vogël, për shmangien e ndonjë hakmarrje të mundshme. Ndërsa dje, është përcjellë për në banesën e fundit Prend Prenga, sot pritet edhe varrimi i Pjetër Pjetrit, ku ashtu sikurse ceremonia e Prendit, që është shoqëruar nga policia, e njëjta gjë do ndodhë edhe sot, në varrimin e Pjetër Pjetrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›