Rrihet mjeku i urgjencës, spitali dy muaj pa roje
Një mjek i urgjencës në spitalin e Durrësit është dhunuar nga tre persona, ende të paidentifikuar. Mjeku kirurg, Lefter Sallata, është qëlluar disa herë me grushte dhe shkelma nga tre persona mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04:10. Personat mësohet se kanë qenë të dehur dhe pa asnjë shkak kanë nisur të qëllojnë mjekun, i cili ka qenë mjek roje gjatë natës në urgjencë. Sipas dëshmitarëve, tre persona të rinj kanë hyrë në urgjencë dhe kanë nisur të shajnë dhe të ofendojnë personelin. Mjeku ka dalë dhe u ka kërkuar personave që të ikin nga ky vend, pasi ai është një vend vetëm për persona që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Pas kësaj, ata janë turrur drejt mjekut duke e qëlluar ku të mundnin. Nga goditjet që ka marrë në kokë dhe trup, mjeku ka pësuar ënjtje dhe hematoma. Pas kësaj ngjarje është njoftuar policia, e cila në fakt gjendet shumë afër spitalit. Pas mbërritjes së efektivave të drejtorisë së policisë, është bërë denoncimi përkatës nga mjeku Lefter Sallata. Ai ka bërë përshkrimin e tre personave, por për identifikimin e tyre policia do të sekuestrojë edhe pamjet filmike që regjistrohen non stop nga kamerat e vendosura në urgjencën e spitalit. Spitali i Durrësit ka afro dy muaj që nuk ruhet nga policia private, e cila nuk është e pranishme në ambientet e spitalit. Shkak i mungesës së rojeve private është përfundimi i kontratës, ndërsa kontrata e re nuk është realizuar, akoma për shkak të vonesave me procedurat e tenderit. Prania e rojeve private është mjaft e domosdoshme në këtë repart të spitalit, pasi urgjenca funksionon 24 orë pa ndërprerje dhe shpesh gjatë orëve të natës në këtë vend hyjnë dhe dalin persona të ndryshëm. Ngjarjen e dhunimit të mjekut e kanë dënuar stafi drejtues i spitalit, i cili ka kërkuar nga policia gjetjen e menjëhershme të autorëve që dhunuan mjekun.