E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Çfarë ndodhi në Gërdec më 19 nëntor 2007



“Ajo natë ka qenë një natë e veçantë. E kujtoj shumë mirë, sepse dy ditë më parë ishte ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë. Ndeshja mbaronte rreth orës 22:30 dhe puna fillonte rreth orës 22:00. Më kujtohet se atë natë na lanë të shikonim ndeshjen. Punuam atë natë (natën e ndeshjes), punuam me tri makineri, ditën e diel e bëmë pushim, ndërsa ditën e hënë (19 nëntor) kemi qenë 10 veta në punë. Filluam punë nga ora 23:00. Sa filluam punën, Dritan Minxolli, drejtori Teknik, u çua shumë i shqetësuar nga gjumi. I tha përgjegjësit, Vangjelit, ose siç e ka emrin e saktë Veiz Muçës. Veiz Muça ka qenë përgjegjës i punëtorëve. Ne e njihnim me emrin Vangjel. Dritani e urdhëroi Veiz Muçën dhe menjëherë u ndërpre aktiviteti normal i punës atë natë. U çua një kamion para hyrjes së kapanonit. Ishte kamion civil, me targa të Durrësit më duket. Kamioni ishte blu dhe e kishte pak xhamin e krisur përpara. Ka qenë një natë shumë e ftohtë dhe mbaj mend se xhami përpara ishte i ngrirë dhe nuk i punonin fshirëset. Kështu që Vangjeli (Veiz Muça) shkoi dhe mori një kovë me ujë të nxehtë dhe ia hodhi xhamit. Mbaj mend një moment ku Dritani (Minxolli) i tha Vangjelit me urgjencë që të bënte gjithë punëtorët gati, për të qenë i përgatitur kur ai të kthehej nga Rinasi, për të shkarkuar materialet. Atë natë Minxolli ka bërë tri rrugë. Kamioni i fundit ka mbaruar shkarkimin rreth orës 6 të mëngjesit. Puna jonë ishte që thjesht i shkarkonim nga kamioni, kjo ishte puna jonë. Ishin nga këto kutitë me fishekë model 56. Unë, ngaqë kisha punuar te sharra, i njihja. Germat kineze në kuti lexoheshin qartë, përveç disave që ishin shumë të ndryshkura. Disa ishin kuti ngjyrë jeshile të errët, disa ishin ngjyrë gri. Dukej që ishte një procedurë e veçantë, pasi procedura rutinë e punës ishin makineritë”.

Prokuroria heton katjushkat në Gërdec

Trafikimi i municioneve nga Gërdeci duket se e ka mobilizuar Prokurorinë, e cila po heton mbi mundësinë e trafikimit të predhave të rënda nga Gërdeci. Deri tani prokurorët kanë mundur të mbledhin disa dokumente të rëndësishme nga ndërmarrja “MEICO” dhe nga letrat e mbetura të kasafortës së Gërdecit. Mendohet se skema e trafikimit ka qenë e thjeshtë. Katjushkat, si rregull, regjistroheshin sikur shkonin për demontim, ndërsa nga ana tjetër ato mund t’i jenë shitur kontraktorëve të ndrysëm. Deri tani ende nuk bëhen publike të dhëna të detajuara lidhur me këtë pistë, megjithatë mendohet se krahasimi i të dhënave dhe dokumenteve do të sjellin një akuzë konkrete për personazhet e këtij trafiku.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›