“Trebicka”, eksperti amerikan merr me vete provat për makinën dhe terrenin
Habjon Hasani
Tiranë - Përgjigjja shkencore për itinerarin (dhe marrëdhënien me kufomën) e makinës së Trebickës do të vijnë si letër-porosi për Prokurorinë shqiptare. Dje, eksperti amerikan, Kevin Teeter, është nisur për në Shtetet e Bashkuara duke marrë me vete të gjitha të dhënat teknike të makinës të zbardhura prej tij, por dhe matjet topografike të realizuara nga një tjetër ekspert amerikan, rezident në Tiranë. Teeter ka mbledhur të dhëna të imtësishme, sidomos për pjesën e goditur të makinës dhe pozicionin e mjetit, ndërsa pritet që ekspertiza kompjuterike në Shtetet e Bashkuara të përcaktojë vetëm itinerarin e saj. Përpos listës së të dhënave të konstatuara te makina, Teeter ka marrë me vete dhe karakteristikat topografike të zonës, ndërsa kombinacioni i tyre do t’i lejojë kompjuterit profesional në SHBA të përcaktojë itinerarin dhe vetitë që do të aplikonte mjeti mbi drejtuesin e tij në atë lloj itinerari. Puna në Shtetet e Bashkuara nuk do të jetë dhe aq e thjeshtë, ndërsa i gjithë perimetri i zonës së aksidentit është fotografuar me satelit dhe është planimetruar në kompjuter. Fotografimet topografike do të detajohen në skenën e planimetruar në kompjuter, ndërsa faza e dytë do të ketë lidhje me hedhjen e të dhënave të mjetit, nga ku më pas, në mënyrë inteligjente dhe shkencore, kompjuteri do të japë versionin e tij.
Kompjuteri
Të gjitha karakteristikat e mjetit “Nissan Patrol” do të listohen në kompjuter dhe gjatë rikrijimit të dinamikës së aksidentit që do të bëjë kompjuteri (bazuar në terren dhe në fotografimet topografike) mund të jepen disa versione. Pasi merren versionet e prodhuara nga kompjuteri, specialistët do të filtrojnë (duke shtuar të dhëna) për ato variante që nuk përputhen me skenën e konstatuar. Deri tani është i sigurt fakti se në kushtet e konstatuara fillimisht e vetmja mundësi për aksident (në raport me distancën trup-viktimë-sende personale) është që mjeti të jetë batuar me dy goma (gjendja e makinës nuk e justifikon opsionin e përmbysjes së plotë), ndërsa gjatë gjetjes së ekuilibrit mjeti të ketë hedhur me fuqi nxituese (të llogaritur për 40 km/orë) trupin dhe të jetë larguar për inerci duke bërë rrotullime rreth vetes. Gjatë kohës së rrotullimit ose gjatë momentit të humbjes së kontrollit, mjeti mund të jetë përplasur me ndonjë ”gungë” dhe të ketë shkaktuar dhe deformimin e parafangos. Megjithatë, rezultatet e kompjuterit Teeter do t’i konsultojë dhe me kolegë të tij specialistë të fushës, për të pasur sa më shumë objektivitet gjatë gjykimit dhe dhënies së një përgjigjeje përfundimtare lidhur me itinerarin e mjetit.
Zbulueshmëria
Ato që klasifikohen si aksidente të dyshimta automobilistike, në bazë të statistikave, rezultojnë dhe si ”skenat e krimit” me zbulueshmërinë më të ulët në krahasim me të gjitha rrethanat e tjera ku ka viktima. Madje ky rregull vlen edhe për vetë FBI-në, e cila konsiderohet si agjencia më profesionale e zbulueshmërisë dhe zgjidhjes së skenave kriminale në të gjithë botën. Ekspertët janë të mendimit se faktori kryesor që ndikon në mosgjetjen e garantuar të shkaqeve lidhet me shpeshtësinë e madhe të aksidenteve rrugore, por edhe me një numër të madh e shumë kompleks veprimesh ekspertuese që duhen kryer për të arritur deri në zgjidhjen e enigmës. Rreth 70 për qind e aksidenteve të stimuluara që janë zbuluar u përkasin “trukimeve” që i janë bërë pjesëve të automjeteve, kryesisht sistemit të drejtimit, frenave dhe gomave. Në pjesën dërrmuese këto akte të zbuluara kanë pasur për autorë njerëz të thjeshtë dhe joprofesionistë.
Automjeti, zgjidhja e enigmës për Trebickën
Saktësia e përcaktimit të rrethanave dhe itinerarit të automjetit është kusht i padiskutueshëm për të arritur në një konkluzion shkencor dhe ligjor për përcaktimin e një ngjarjeje. E jo më kot Prokuroria shqiptare kërkoi një specialist të sprovuar amerikan për të marrë të dhënat tekniko-metalurgjike të mjetit dhe për të parë nga afër terrenin ku u gjet viktima dhe kufoma. Ekspertë hetues e kanë cilësuar ekspertimin e mjetit si një moment tejet të rëndësishëm dhe të padiskutueshëm për të zbardhur rrethanat dhe për t’u dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve serioze që ngrihen nga skena e vendit të ngjarjes. Por ekspertimi metalurgjik dhe kimik i makinës do të kryhet nga ekspertë amerikanë, të cilët njihen dhe si ekspertët më të mirë në analiza të këtij lloji. Makinës do t’i kryhet një ekspertim i hollësishëm nga brenda, për të mbledhur sa më shumë gjurmë kimike, ndërsa “plagët” që makina ka pësuar mendohet se do të jenë dhe çelësi për përcaktimin e dinamikës së ngjarjes. Nëse kufoma e Trebickës duhet t’u nënshtrohet disa lloj analizave mjeko-ligjore, ekspertimi i fuoristradës së tij kërkon një punë gjigante dhe tejet të avancuar. Ekspertët amerikanë do të jenë të pajisur dhe me kompjuterë specialë, në të cilët do të hedhin të gjitha të dhënat e mbledhura, për të arritur më pas në skicimin e variantit përfundimtar.
Pozicioni i trupit do të krahasohet me dinamikën e mjetit
Porsa ekspertët amerikanë të përcaktojnë itinerarin e automjetit, do të jenë në gjendje të japin mendimin e tyre edhe në lidhje me pyetjen enigmatike: bazuar në këtë itinerar, a mund ta ketë hedhur makina (në pozicionin e gjetur) shoferin e saj? Pozicioni i trupit të Trebickës ngjalli që në fillim dyshime të forta, ndërsa ekspertët mendojnë se do të mjaftonte qoftë dhe një ndërhyrje (qoftë edhe njerëz që e kanë zhvendosur për ta ndihmuar), që mund të ketë ndodhur në skenën e ngjarjes, që i gjithë procesi shkencor të vihej në pikëpyetje, pasi saktësia e distancës nga makina dhe pozicioni i kufomës janë elemente kyçe që i bashkëngjiten të dhënave të tjera paraprake të mbledhura në vendngjarje. Dëshmitarët e mbërritur të parët në vendngjarje janë pyetur në mënyrë të hollësishme për pozicionin e kufomës, nisur nga fakti se për grupin hetimor, pozicioni i fotografuar dhe i konstatuar është parë me dyshim. Sakaq, grupi hetimor i Prokurorisë ka marrë në dorëzim të gjitha analizat e tjera të bëra mbi kufomën dhe sendet e gjetura pranë tij, teksa janë në pritje të letër-porosisë që do mbërrijë nga SHBA për itinerarin dhe skemën e prodhuar për makinën.
24 Shtator 2008