E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Tiranës refuzoi dëshmitarët kyçë të Gërdecit

Dëshmitari Andi Belliu rrëfen personazhet e Gërdecit. Çfarë ndodhi natën e 19 nëntorit në fabrikën e vdekjes

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka mbajtur larg saj dëshmitarë vullnetarë, ish-punonjës të Fabrikës së Gërdecit, të cilët kanë dhënë dje dëshmi shumë të forta lidhur me personazhet dhe situatën në fabrikën famëkeqe. Të ftuar dy ditë më parë emisionin “Faktor plus” të Mero Bazes në Vizion Plus, dëshmitarët Andi Belliu dhe Veli Xhihani, të dy ish-punonjës në Gërdec, kanë treguar historinë e tyre për personazhe dhe zhvillime të padëshmuara më parë. Ndërsa dëshmitari Belliu (me pozicionin e tij të punës) normalisht përfaqëson një person që mund të hidhte dritë mbi pistën e trafikimit të predhave. Njëri prej këtyre dëshmitarëve, Andi Belliu, lindur në Lushnjë, me profesion teknik kompjuterësh, i punësuar me kontratë “part-time” në fabrikë, ka treguar gjithë mekanizmin e trajtimit të municioneve dhe kategorizimin që u bëhej fishekëve të kallashnikovit dhe dërgimit të tyre në Rinas. Por Belliu ka hedhur dritë edhe në lidhje me aktivitetin në Fabrikën e Gërdecit natën e 19 nëntorit, ku ka pohuar se atë natë erdhën me urgjencë tre kamionë me fishekë kinezë nga Rinasi dhe u depozituan në Gërdec. Belliu ka përmendur me detaje aktivitetin e “kapove” të fabrikës dhe mobilizimin e tyre në mesnatë. Kjo natë është e lidhur me takimin e shumëpërfolur (të bërë objekt edhe në Kongresin Amerikan) mes Fatmir Mediut, ambasadorit amerikan Uidhers dhe dy zyrtarëve të tjerë të lartë të Ambasadës. Ndërsa zyrtari i pranishëm në takim, Lerri Herrison, ka rrëfyer para Kongresit se në mesnatë u urdhërua heqja e fishekëve kinezë nga Rinasi për t’ia fshehur gazetarit amerikan të “Nju Jork Tajmsit”. Duket se kjo histori është “përforcuar” edhe nga Belliu, i cili duket se ka zbardhur dhe destinacionin e fishekëve pas transportimit nga Gërdeci.
Pista e trafikut
Institucioni i Prokurorisë ende nuk ka komentuar “refuzimin” e dëshmive të lartpërmendura, megjithatë, ky institucion nuk ka ndonjë detyrim konkret për marrjen e të gjithë dëshmitarëve që paraqiten, por bazohet më tepër në provat që këta dëshmitarë vullnetarë mund të sjellin. Gjithsesi, të paktën në rastin e Andi Belliut duket se Prokuroria e Tiranës ka mbajtur larg vetes një dëshmitar i cili punonte në një sektor kyç të fabrikës, që kishte lidhje me sharrën prerëse e cila demontonte dhe çmontonte pjesët përbërëse të municioneve. Pozicioni dhe funksioni i Belliut në Gërdec u jep një tjetër dimension mundësive që ai shfaq për Prokurorinë dhe hetuesit, pasi puna e tij specifike mund të japë të dhëna jo vetëm në lidhje me personazhet, por edhe mbi pistën e trafikimit. Duke qenë se Belliu ka kryer një funksion që kishte lidhje me prerjen dhe trajtimin e municioneve, ai normalisht ka përfaqësuar një dëshmitar që mund të jepte të dhëna të vyera lidhur me trajtimin e predhave dhe barutit, për të cilat që në fillim Prokuroria dyshonte se ishin pjesë e skemës së trafikimit.
Nata e ftohtë
Dëshmitari Andi Belliu ka konfirmuar dy ditë më parë edhe “mobilizimin” e Dritan Minxollit dhe të disa personazheve të tjera natën e 19 nëntorit, ndërsa pikërisht këtë natë ishte zhvilluar edhe një takim në Ambasadën Amerikane, takim ky i kërkuar me urgjencë nga Mediu. Dëshmia e një zyrtari amerikan të pranishëm në takim për Kongresin e Shteteve të Bashkuara dha përshtypjen se ishte Mediu ai që kishte urdhëruar zhvendosjen, pasi kishte marrë “dritën jeshile” nga vetë ambasadori. Duke komentuar këtë dëshmi, Tom Kejsi, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë në një konferencë për gazetarë në Uashington se “nuk kemi asnjë informacion që mbështet idenë që zyrtarë të SHBA-ve në Tiranë janë përfshirë në një aktivitet të paligjshëm që lidhet me trafik armatimesh, por sigurisht do të hetojmë”.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›