E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, fermerët të pakënaqur me kompensimin për gjënë e gjallë

Ervin KOÇI

Fermerët në zonat e përmbytura të Shkodrës dhe Lezhës, janë shprehur të pakënaqur nga vlerësimi që deri tani u është bërë dëmeve të tyre, sidomos atyre blegtorale. Shumë fermerë ankohen se grupet e punëve dhe specialistët e ministrisë së bujqësisë nuk u kanë regjistruar të gjitha kafshët e ngordhura nga përmbytja, e për pasojë ata nuk mund të marrin dëmshpërblim për të gjitha gjedhët ose bagëtitë e humbura. Pas verifikimeve që janë bërë nga Ministria e Bujqësisë në zonën e Shkodrës për dëmet e krijuara nga përmbytja, rezulton se fondet e nevojshme për kompensim janë vetëm 10.4 milionë lekë, nga 35.4 milionë lekë që ishte fondi i vënë në dispozicion për veterinarinë. Sipas verifikimeve të deritanishme që janë bërë nga grupi i ekspertëve, ka rezultuar se nga gjëja e gjallë janë dëmtuar 19 gjedhë, 169 bagëti të imta, 9 derra, 4695 shpendë, 2 kuaj dhe 226 koshere bletësh. Por ndryshe nga sa deklarojnë dhe kanë regjistruar ekspertët e MBUMK-së, fermerët pretendojnë krejt të kundërtën duke thënë se kafshët e ngordhura janë shumë herë më tepër. Në mjaftë raste ata e kanë faktuar këtë duke i grumbulluar dhe lënë para oborreve të shtëpive kafshët e ngordhura me qëllim që ekspertët e bujqësisë të vijnë e ti numërojnë. Këto veprime mbartin dhe rrezikun e infeksioneve dhe sëmundjeve prej bagëtive të ngordhura që vazhdojnë të jenë të ekspozuara. Por fermerët nuk pranojnë që ti groposin ose djegin ato, pa u bërë më parë sipas tyre, numërimi dhe llogaritja nga ana e specialistëve të bujqësisë.

Rreziku i infeksionit

Burimet zyrtare nga Ministria e Bujqësisë njoftojnë se për të ruajtur nga infeksionet kafshët në këtë zonë, është hartuar programi i nevojave për medikamente veterinare dhe biopreparate profilaktike veterinare. Njëkohësisht po bashkëpunohet me qarqet e tjera për sigurimin e bazës ushqimore dhe medikamente veterinare. Drejtoria e Shëndetit të Kafshëve dhe Mbrojtjes së Bimëve ka qenë pjesë e grupeve të punës të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, për dhënien e ndihmës dhe asistencës teknike në Qarkun e Shkodrës. Kryesisht ndihma dhe asistenca ka qenë në vlerësimin e situatës për gjendjen shëndetësore dhe nevojat për ushqim të kafshëve në zonat e përmbytura në tre komunat e këtij qarku. Grupet kanë mbajtur kontakte të përhershme me kryeinspektorin e veterinarisë së këtij qarku, si dhe inspektorët që operojnë nëpër komuna.

Vlerësimi

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Qarku Shkodër, është bërë vlerësimi i numrit të krerëve të gjedhit, ruminatëve të vegjël, derrave, pulave dhe kafshëve të tjera të kërcënuara nga rreziku i mungesës së ushqimit, infeksioneve të mundshme dhe aksidenteve të tjera që mund të ndodhin si pasojë e qëndrimit nën ujë. Gjatë kësaj kohe ka vazhduar shpërndarja e bazës ushqimore (koncentrat, bar, jonxhë, sanë) në komunat Guri i Zi, Dajç, Ana e Malit dhe Velipojë, Bërdicë, Bushat, Bashkia Shkodër dhe tufat e bagëtive të imta të shtegtuara nga Qarku Kukës.

Dëmtimet e gjësë së gjallë nga përmbytjet në Shkodër

Sasia Kafshë të ngordhura/lloji
19 gjedhë
169 bagëti të imta
9 derra
4695 shpendë
2 kuaj
226 koshere bletësh

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›