Dëshmia në Gjykatë, peshkatari: “Laguna e Karavastasë ishte e Aldo Bares”
Tiranë - Procesi i bandës së Lushnjës në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijoi dje me dëshmitarët e radhës. Në gjykatë ishin paraqitur dy dëshmitarë, por vetëm njëri mundi të jepte dëshminë e tij për shkak se dëshmitari tjetër nuk kishte me vete një dokument identifikimi. Dëshmitari i thirrur nga akuza tregoi se ishte peshkatar prej vitesh në Lagunën e Karavastasë. Sipas dëshmisë që ai dha dje para kolegjit penal, rezultonte se në krye të Lagunës ishte Aldo Bare, pavarësisht se avokatët e këtij të fundit nuk e kanë pranuar asnjëherë këtë fakt. Ky proces ka vijuar prej kohësh dhe është ende në fazën e dëshmitarëve për shkak se ka pasur shumë seanca që janë shtyrë për mungesë avokatësh. Në këtë proces, institucioni i akuzës ka përpiluar prova për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit, Luan Bilbilit, Xhevdet Demirit, vrasje që kanë ndodhur gjatë viteve 1997-1998. Më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, vetëm 9 ditë më vonë u ekzekutuan Mazar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbilit më 18 gusht 1988. Të pandehurit e bandës së Lushnjës, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Eduard Demiri, Agur Musaka, janë të proceduar nga prokuroria.
Ishte në kërkim për kultivimin e lëndëve narkotike, kapet nga policia në shtëpi
Shkodër – Forcat e Policisë së Shkodrës, pas një operacioni të mirorganizuar, kanë bërë të mundur kapjen e 48-vjeçarit Kol Mehmetaj, lindur në fshatin Curraj i Epërm, Tropojë dhe banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Sipas të dhënave policore, kapja e tij u bë për arsye se ai ka qenë person i shpallur në kërkim që më datë 3 mars 2009, pasi Gjykata e Rrethit Tropojë, me vendimin e datës 17 korrik 2008, e ka dënuar këtë person me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie për veprën penale të “kultivimit të lëndëve narkotike”. Bëhet e ditur ndër të tjera se Kol Mehmetaj u kap në fshatin Grudë e re, pikërisht në banesën e tij.
Në gjendje të rëndë 17-vjeçarja, piu ilaçet e gjyshit, i dinte paracetamol
Korçë – Në spitalin e Korçës është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore 17-vjeçarja R. S., pasi shfaqte simptoma të helmimit, por në fakt nuk ka qenë tamam kështu. Sipas të dhënave nga vendngjarja, rezultatet e para hetimore kanë treguar se kjo e re është gjetur në mjediset e banesës së saj në gjendje të rëndë shëndetësore nga familjarët, pasi kishte konsumuar disa medikamente mjekësore “Lopresol”, të cilat përdoreshin nga gjyshi i saj si qetësues për tensionin dhe zemrën. Këto ajo i ka konsumuar duke kujtuar se janë paracetamol pasi kishte dhimbje koke. Tani vajza ndodhet e shtruar në spital dhe gjendja e saj është relativisht e rëndë. Policia po heton për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes së mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 99 dhe 22 i Kodit Penal.
20 Qershor 2009