Situata ekonomike botërore, përmirësim vetëm në vitin 2010
Autoritetet publike në shkallë botërore kanë krijuar stimuj të jashtëzakonshëm fiskalë dhe monetarë për t’iu përgjigjur rreziqeve afatshkurtra dhe afatmesme. Në vështrim afatmesëm pritet që masa të tilla të rivendosin besimin te tregjet financiare dhe të rikthejnë normalitetin në funksionimin e tyre, në mënyrë që ato të rifillojnë procesin e ndërmjetësimit financiar. Ky proces korrektimi i vështirë nuk pritet sidoqoftë të japë efekte rigjallëruese deri në fund të vitit 2009. Sot është e pranuar se vetëm në vitin 2010 shpresohet që ekonomia botërore t’i rikthehet rritjes dhe normalitetit.
Rekomandimet më të rëndësishme
1. Përmirësimet e bëra në procesin e hartimit të buxhetit të shtetit nuk duhen konsideruar të mjaftueshme. Fakti që në “Open Budget Index” të vitit 2008, vendi ynë renditet i 37-ti nga 88 vende të vëzhguara dhe në krah të vendeve të tilla si Azerbajxhani, Mongolia, Tanzania etj., duhet të vlerësohet seriozisht nga të gjithë aktorët dhe faktorët në vend.
2. Situata makroekonomike dhe ecuria e treguesve sensitivë që e shoqërojnë atë duhet të vlerësohet më shumë si gjatë procesit të hartimit, por edhe gjatë procesit të zbatimit të buxhetit të shtetit.
3. Qeveria por edhe Kuvendi, Banka e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe organe të tjera të specializuara duhet të trajtojnë me kujdes problemin e ecurisë dhe ritmikës së realizimit të fondeve buxhetore dhe në mënyrë të veçantë të investimeve publike me financim të huaj. Viti 2008 përbën “rekordin” e realizimit të investimeve për dy muajt e fundit të vitit. Një shkallë e tillë e realizimit cenon rëndë si ecurinë dhe zbatimin e politikave monetarë dhe fiskalë të vendit, ashtu edhe nivelin e menaxhimit të fondeve publike dhe cilësinë e investimeve të kryera.
4. Është e nevojshme të përmirësohet procesi jo vetëm i planifikimit, por edhe zbatimit. Nëse gjatë procesit të diskutimit të buxhetit në Kuvend u diskutuan edhe lista e projekteve të investimeve, në procesin e analizës ishte e pa mundur të sigurojë të dhëna të krahasueshme.
20 Qershor 2009