E Diel, 1 Nëntor 2026

Stabiliteti ekonomik i rrezikuar, qeveria thelloi deficitin buxhetor dhe riti shpenzimet

Ekspertët e ekonomisë, të alarmuar për zhytjen në borxhe të vendit. Ekonomia shqiptare rrezikon kolapsin menjëherë pas zgjedhjeve

Ervin KOÇI

Ekonomia shqiptare rrezikon që të përfshihet nga një krizë e gjithanshme menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u zhytur në një kolaps të paparë. Shkak për këtë do të jetë shpërdorimi i gjithë buxhetit të shtetit vetëm për fushatën elektorale dhe shpenzimet qeveritare, në një kohë që mbi to do të rëndojë edhe përqindja e lartë e interesit të kredive tregtare që qeveria ka marrë nga bankat e huaja. Ekspertët e ekonomisë, të mbledhur në një takim të organizuar nga fondacioni “Soros”, kanë dalë në konkluzionin se ekonomia vendase ndodhet përpara një kolapsi që do të vijë pikërisht nga shpenzimet e pakontrolluara që ka bërë qeveria gjatë vitit 2008 dhe gjatë pjesës së parë të këtij viti elektoral. Ekspertët kanë dhënë alarmin se rritja e fortë e shpenzimeve të qeverisë, të nxitura nga fushata elektorale, kërcënon ekonominë duke rrezikuar të sjellë pasoja të rënda edhe për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për 5-mujorin, për herë të parë, investimet publike ishin 113 për qind e planit, çka bëri që deficiti buxhetor të kërcejë në 131 për qind. Në këtë pikë ekspertët rekomanduan modifikimin e buxhetit. Ligji i buxhetit të shtetit për vitin 2009 ka vënë si kufi maksimal të deficitit buxhetor shifrën 4 për qind, por FMN-ja vlerëson se ky limit do të kalohet dhe deficiti mund të arrijë në 6.3 për qind.

Monitorimi i buxhetit

Sipas monitorimit që ekspertët e ekonomisë i kanë bërë buxhetit të shtetit për vitin 2008 dhe për pjesën e parë të vitit 2009, del se deficiti është theluar në një masë e cila duhet të merret parasysh seriozisht. Kjo ka ardhur si pasojë e tejkalimit të ndjeshëm të shpenzimeve publike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Por, një tjetër faktor me rëndësi që ka ndikuar në këtë përkeqësim ka qenë dhe mosrealizimi i grumbullimit të një pjese të të ardhurave buxhetore dhe tatimore. “Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2009, deficiti buxhetor u tejkalua me rreth 6 miliardë lekë, ndërsa borxhi i brendshëm u kalua me 1.3 miliardë lekë”, - deklaroi eksperti i ekonomisë, Gjergj Teneqexhi. Sipas ekspertes Adriana Berberi, “buxheti i shtetit në këtë prag fushate ka mosbalancime të theksuara pasi janë tejkaluar shpenzimet për personelin dhe shpenzimet kapitale”. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Selim Belortaja, tha se “në 4 muajt e parë të këtij viti është reflektuar edhe një tjetër situatë negative prej rënies së eksporteve dhe tkurrjes së importeve, në një kohë që deficiti tregtar u thellua në 2.3 për qind”. Sipas ekspertëve, gjysma e dytë e vitit 2008 dhe fillimviti 2009 dëshmuan për një thellim të krizës globale financiare dhe shtrirjen e saj në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë reale.

Rritja ekonomike

Viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, e përball ekonominë shqiptare me disa sfida të reja. Rritja ekonomike vjetore pritet të jetë në nivele recesioni, pra jo më e lartë sesa 1 për qind dhe kjo kërkon një vlerësim realist të situatës nga ana e qeverisë dhe institucioneve vendimmarrëse si dhe një vëmendje të posaçme ndaj paralajmërimeve të institucioneve të pavarura lidhur me shpenzimet buxhetore. Buxheti i shtetit i vitit 2008, gjatë procesit të zbatimit të tij, pësoi dy ndryshime, të cilat janë realizuar respektivisht nga buxheti suplementar i miratuar në Kuvend me Ligjin 9969, datë 24.07.2008 dhe me Aktin Normativ nr. 7, datë 05.12.2008, i cili është miratuar me Ligjin nr.10048 datë 24.08.2008. Ndryshimi i buxhetit me Akt Normativ, për mendimin e ekspertëve, mbetet një precedent i rrezikshëm, si nga pikëpamja e formës, ashtu dhe e përmbajtjes. Në mënyrë të përsëritur, gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria me aktet normative të miratuara në fund të vitit realizon “kozmetikën” e buxhetit e shoqëruar kjo edhe me një tendencë për pamundësinë e kontrollit të menaxhimit të fondeve dhe shpenzimeve publike.

Shpenzimet kapitale

Përsa i përket programit të shpenzimeve kapitale duhet të nënvizohet fakti që ai është korrigjuar dy herë dhe në të dyja rastet ka qenë në pakësim. Në dy muajt e fundit janë realizuar rreth 47 miliardë lekë, ose 21.2 miliardë lekë vetëm për muajin dhjetor, ndërkohë që mesatarja e 9-mujorit ka qenë 5 miliardë lekë në muaj. Realizimi i një vlere të tillë punimesh dhe financimesh duhet të jetë në fokusin e organeve të specializuara për të vlerësuar objektivisht mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Pjesa dërrmuese e investimeve janë drejtuar në një projekt të vetëm, madje në një segment rrugori si ai Rrëshen-Kalimash, pra 42 për qind e investimeve.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›