Muaji prill, rekordi i përkeqësimit të situatës ekonomike
Mbështetur në të dhënat paraprake të thesarit, rezulton se situata buxhetore gjatë muajit prill, në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2009 është përkeqësuar. Përsa i përket programi të shpenzimeve, për herë të parë pas 1996-s programi i shpenzimeve për periudhën janar-prill 2009, është tejkaluar për rreth 2.130 milionë lekë ose shpenzimet e kësaj periudhe janë tejkaluar me 102 për qind, kryesisht si pasojë e: a) Tejkalimit të shpenzimeve të personelit, me 111 për qind, ose me rreth 1.922 milionë lekë. b) Shpenzimet kapitale, referuar 4-mujorit të parë, janë realizuar 136 për qind, ose 8.400 milionë lekë më shumë se plani (5.1 miliardë lekë vetëm nga Durrës-Kukës). Ulja e nivelit të realizimit të të ardhurave si dhe ritmet e larta të realizimit të shpenzimeve, ndikuar edhe nga fushata për zgjedhjet e përgjithshme përbëjnë një risk të shtuar për mbajtjen nën kontroll të nivelit të deficitit si dhe të monitorimit të treguesve monetarë e fiskalë në përgjithësi. Stabiliteti makroekonomik mund të preket nëse nuk vlerësohen në kohë sinjalet e prezantuara nga analiza e treguesve fiskalë apo edhe shqetësimet e prezantuara nga institucionet përgjegjëse të pavarura.
20 Qershor 2009