Kastriot Jaupi: “Duhet të më rigjykoni edhe njëherë”
Laureta Rryçi
Tiranë - Kastriot Jaupi kërkon rihapjen e procesit gjyqësor. Nëpërmjet një kërkese, personazhi i njohur për bëmat e tij kriminale në ‘97-n pret që Gjykata e Lartë të vendosë më 1 korrik nëse do t’ia rihapë apo jo procesin penal. Ndërsa mban mbi shpatulla një sërë akuzash të rënda për vrasje, ai kërkon të jetë vetë prezent kur të zhvillohet procesi, duke pretenduar kështu për shkelje të të drejtave nga gjykimi në mungesë. 33-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen efektivit të policisë, Ilir Ngresi, u ekstradua vetëm pak muaj më parë nga Spanja. Tanimë ai ka shfrytëzuar një nga nenet e Kodit të Procedurës Penale për të rikthyer në afat dosjen penale. Jaupi, nëpërmjet avokatëve të tij, kërkon të rikthejë edhe një herë dosjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Kastriot Jaupi u arrestua tetorin e vitit 2001 nga Policia spanjolle, në afërsi të Madridit. Ndalimi u bë pasi dyshohej se u kishte vënë gjobë dy vëllezërve nga Skrapari. Në këtë kohë Drejtësia shqiptare u dërgon autoriteteve spanjolle kërkesën për ekstradimin dhe vendimin për masën e sigurisë burg pa afat për Jaupin, me akuzën e vrasjes së oficerit të policisë, Ilir Ngresi. Paralelisht Jaupi kërkohej për ekstradim edhe nga autoritetet e Drejtësisë italiane. U mendua se Jaupi mund të ekstradohej drejt Italisë, por vetëm disa muaj më parë autoritetet spanjolle njoftuan Interpol Tiranën se ishte miratuar kërkesa për ta sjellë në Shqipëri.
Jaupi ka disa akuza për vrasje e plagosje, por më e rënda është ajo e ekzekutimit në Vlorë të ish-shefit të Krimeve të Beratit, Ilir Ngresi, në dhjetor të vitit 2000. Shkaku ishte rihapja e hetimeve për ngjarjet e vitit 1997 nga Ngresi, por mbartte edhe motive hakmarrjeje. Ngresi kishte marrë pjesë në një operacion pranë Urës Vajgurore në vitin ’97 kur u vra Ilir Jaupi, vëllai i Kastriotit. Sipas Drejtësisë shqiptare, përfshirja e Kastriot Jaupit në botën e krimit është më e hershme kur së bashku me të vëllanë bënte pjesë në bandën e Altin Dardhës. Pazaret sollën hasmëri edhe brenda vetë bandës dhe Kastrioti me të vëllanë u pozicionuan si kundërshtar të Altin Dardhës. Kastriot Jaupi rezulton i tërhequr nga banda pas vitit ’97, por rihapja e një dosjeje ku ai akuzohej për vrasje e riaktivizoi. Dosja ishte mbyllur në vitet 1998-1999 dhe u rihap në vitin 2000, pas ardhjes së Ngresit si shef Krimesh në Berat. Sipas prokurorisë, rreth tre muaj para vrasjes, Kastriot Jaupi me persona të tjerë kishte organizuar pritën ndaj Ngresit dhe shoferit të tij, Artimond Jaupi. Me gjithë organizimin, prita mbeti një atentat i dështuar pasi nuk u rrezikua jeta e oficerit Ilir Ngresi. Ky i fundit gjeti vdekjen më pas, gjatë një atentati të dytë.
20 Qershor 2009