Veliaj: “Berisha, i përkëdheluri i regjimit komunist”
Erion Veliaj iu kundërpërgjigj akuzave të kryeministrit Sali Berisha në drejtim të aktivistëve të G99-ës, duke e cilësuar atë si “komunisti i fundit”, “i përkëdheluri i regjimit komunist” dhe si personi që “u vodhi kauzën studentëve në vitin 1991”. Gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë e qytetit të Pukës, Veliaj tha: “Po dëgjoja dje kryeministrin Berisha teksa na akuzonte ne, aktivistët e G99-s, si pjella të komunistëve, por më lejoni t’ju kujtoj se ne kemi qenë 5 vjeç kur vdiq Enveri, ndërkohë që Saliu kishte 25 vjet që punonte si sekretar partie dhe si doktor i Bllokut”. Kreu i G99-s theksoi se Berisha kompleksohet nga forca e të rinjve, pasi ai është i turpëruar për aferat e familjes së tij. “Është normale që ky plak 70-vjeçar, një baba që i është nxirë faqja nga zullumet e fëmijëve të vet, të kompleksohet sot nga ne të rinjtë. Por ndërsa ne kthehemi vetëm natën në shtëpi, Berisha nuk guxon të shkelë në shtëpinë e tij në Tropojë pa qenë i shoqëruar më parë nga të paktën 600 gardistë”.
Gjatë këtij takimi, ku merrte pjesë edhe kandidati i parë i G99-s për qarkun e Shkodrës, Roland Ilia, Veliaj i kujtoi gjithashtu Berishës se “ky kryeministër, që pretendon të jetë një patriot i madh i këtij vendi, dje u shiste naftë serbëve, ndërsa sot i jep toka Fazlliçit”.
PS-ja: Berisha shpërdoroi 10 milionë euro për fushatën e ministrave të tij
Partia Socialiste e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se po shpërdoron paratë e taksapaguesve shqiptarë në funksion të fushatës elektorale të ministrave dhe partisë së tij. Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolli, tha se është e pafalshme për kryeministrin Berisha, i cili ka akorduar 10 milionë euro vetëm për karburant për makinat e ministrave të tij. “Ky fakt është i pafalshëm. Edhe njëherë Berisha dështoi, duke mos investuar në ato projekte që do të siguronin një ndryshim të prekshëm në jetën e shqiptarëve. Me paratë e çuara dëm për karburant mund të ishte investuar në arsim dhe shëndetësi, mund të ishin rritur rrogat dhe pensionet për mbi 70 000 individë. Por fatkeqësisht, Sali Berisha vendosi t’i djegë këto para të taksapaguesve shqiptarë. Sali Berisha i ka kthyer shpinën Shqipërisë dhe më 28 qershor ne i ftojmë shqiptarët që t’i kthejnë shpinën atij. Koha e politikës së vjetër të Sali Berishës ka mbaruar”, - tha Nikolli.
20 Qershor 2009