E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia në burg: Më rrahën në qelitë e komisariatit 4

 Fatos MahmutajShkëlzen Meçollari, i arrestuar një muaj më parë për thyerjen e arrestit shtëpiak ka akuzuar drejtpërdrejt një funksionar të lartë të komisaritit numër 4 të Tiranës për dhunë fizike ndaj tij.  I riu 20-vjeçar, u ka treguar për dhunën përfaqësuesve të Avokatit të Popullit dhe disa OJQ-ve që e kanë vizituar atë në qelitë e paraburgimit 302 në kryeqytet. Për më tepër ai është vizituar edhe nga ekspertë mjekoligjorë, të cilët kanë konstatuar shenja të dhunës fizike në kokë, gjymtyrë dhe trupin e tij. Më poshtë po japim pjesë nga rrëfimi i tij para përfaqësuesve të Avokatit të Popullit. “Isha me arrest shtëpie për vjedhje mjetesh në bashkëpunim. Më datë 10 dhjetor 2009 dola rreth 150 metra nga shtëpia për të blerë cigare. Te fusha pas Kinostudios, brenda 5 minutash dëgjova të shtëna armësh, bërtitje, sharje dhe “Ndal jemi policia!”. Ne ishim 7 vetë. Njëri iku me vrap, ne 6 të tjerët përfunduam me vonë në komisariat. Unë dhe dy të tjerë u drejtuam të iknim me vrap drejt shtëpisë. Më drejtuan armën dhe qëlluan drejt meje. Rreth 40 metra larg po vinte me vrap E.D., shefi i krimeve i komisariatit numër 4. Ai ishte para meje dhe më erdhi përballe. Kur u takuam, i bëra një manovër shmangie. Ai u rrëzua në tokë pa më prekur fare. Vazhdoi të më ndiqte një tjetër, që nuk ia mësova dot emrin. Bashkë me një koleg tjetër më ndoqën rreth 50 metra dhe më kapën. Më qëlluan me tytë pistolete në kokë dhe pastaj me shkelma dhe grushte në trup. Më vendosën kokën në asfalt dhe më shkelën në ballë. Ishin tre vetë, dy me uniforma dhe një civil. Nuk po u hapeshin prangat. Më mbajtën me këmbë në kokë për 3-4 minuta. Pasi më ngritën të prangosur, duke më qëlluar me grushta dhe shkelma më hipën në makinë. Në makinë më qëlluan vetëm me shpullë. Sa më zbritën nga makina, në oborrin e komisariatit, filluan të më qëllonin me pistoletë në kokë, me grushte  e shkelma nëpër trup për rreth 15 minuta. Para derës së qelisë, në prani të shokëve, më shanë dhe ofenduan. Më rrahu shefi dhe ai civili që më kapi. Qëndrova rreth 5 minuta në dhomën e izolimit dhe pastaj më ngjitën në një zyrë në katin e tretë për të më marrë në pyetje. Më hoqën atletet dhe më ulën në karrige. Pastaj e rrëzuan karrigen përtokë në mënyrë të tillë që unë të qëndroja me kurriz në dysheme dhe këmbët lart, sipas këmbëve të karriges. Me një hekur më qëllonin nga shputat e këmbëve. Kokën ma mbanin pa lëvizur duke më vënë një shkelm në ballë. Në zyrë u bënë 5 vetë. Atë natë më qëllonin nga brinjët, veshkat dhe në shtyllën kurrizore. Fytyra më ishte deformuar nga dhuna. Më shpreheshin se kishin inat avokatin tim, si dhe inatin për shkak të rrëzimit të shefit të krimeve. Kërkonin vendndodhjen e dy personave në kërkim E.Q. dhe Sergeto Turolla, (i arrestuar një javë më vonë). Gjatë gjithë kohës shefi i krimeve ishte mirë. Në mëngjes kishte fashuar dorën. Gjatë dhunës më ra të fikët. Më hodhën ujë. Më shanin gjatë gjithë kohës nga familja. Në orën 00:30 më çuan në një qeli. Në mëngjes më çuan sërish te zyra. Më morën në pyetje deri rreth orës 13:00. Ku ankohesha se kisha dhimbje, por ata më qëllonin sërish, ndërkohë shkruanin. Rashë tre herë përtokë. Më përmendën me ujë të ftohtë. Kërkoja avokat. Nëse unë nuk thosha çfarë donin, ata më qëllonin sërish. Më kërkuan të firmosja, ndërsa unë kërkova avokatin tim dhe ndonjë mjek. Më shanë duke më bërtitur dhe nuk më sollën as avokat dhe as mjek. Firmosa nga dhuna. Pastaj më hipën në një makinë policie dhe më sollën rrotull nëpër Tiranë për të gjetur ata personat që kërkonin. Xhiroja zgjati rreth dy orë dhe pastaj më kthyen në komisariat. Nuk qëndroja dot me këmbët mia. Ndërkohë, familja ime kishte marrë vesh për arrestimin tim pas tre orësh. Ishte liruar një nga të shoqëruarit me mua dhe ai u kishte thënë. Pasi kisha bërë dy ditë në qeli, nën dhunë dhe pa ngrenë e pirë asgjë, erdhën përfaqësues të Avokatit të Popullit. Më pyetën për gjithçka dhe më vizitoi edhe mjeku që kishin sjellë ata. Mjeku i Avokatit të Popullit me vizitoi dhe më dha disa hapje. Pas kësaj s’më preku më njeri. Më datë 13 më dërguan në gjykatë për masë sigurie, pastaj pas caktimit të masës “arrest në burg” u riktheva disa orë në qelitë e komisariatit numër 4 dhe në Spitalin e Burgjeve ku më bënë një vizitë. Në orën 19:00 të darkës isha në qelitë e paraburgimit 302. Tre ditët e para nuk rrija dot ulur. Nëpër gjymtyrët e mia dallohen ende shenjat e dhunës.”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›