E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati i kunatit të Dash Pezës, shemben dy kate

 Etleva DeliaMëngjesin e djeshëm, Policia Ndërtimore ka rinisur aksionin e lënë në mes më 7 dhjetor 2009, për shembjen e pallatit 12-katësh në pronësi të Ilir Matës, kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza. Aksioni filloi rreth orës 06:30, duke shembur fasadën e 2 kateve të pallatit, në pjesën e pasme të tij dhe është ndërprerë për të vazhduar sërisht ditën e sotme. Gjatë shembjes së pallatit  nuk ka pasur asnjë konfrontim ndërsa aksioni i policisë është zhvilluar pa incidente. Ndërsa pronari i godinës, së projektuar për hotel, nuk është parë në zonën përreth vendit të ngjarjes. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nxjerrë një urdhër të dytë për godinën në qendër të kryeqytetit, vetëm disa ditë pasi Gjykata e Tiranës i hapi rrugë shembjes së pallatit. Një vendim i tillë erdhi pas shqyrtimit disa ditor të kërkesës që Ilir Mata dorëzoi në gjykatë për ndërprerjen e aksionit. Më 28 dhjetor 2009 gjykata, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga avokati i Matës, arriti në përfundimin se argumentimi ligjor nuk qëndronte, duke i dhënë të drejtë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Sipas Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit pallati ishte ndërtuar mbi rrugë dhe kishte penguar lëvizjen e qytetarëve të zonës. Sipas kësaj ministrie, pronari Ilir Mata duhet të kishte lënë të hapur një tunel për kalimin e qytetarëve, por ky projekt nuk ishte zbatuar. Kjo ka sjellë edhe shqetësimin e banorëve të zonës përreth pallatit, të cilët kanë mirepritur dje aksionin e Policisë Ndërtimore për shembjen e tij. Inspektoriati Ndërtimor nisi prishjen e pallatit më 7 dhjetor 2009. Në këtë ditë u prish fasada e 3 kateve të para, në pjesën përballë “Tirana International Hotel”. Më 7 dhjetor Ilir Mata dorëzoi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për ndërprerjen e aksionit të Inspektoriatit të Lartë të Ndërtimit dhe aksioni i Policisë Ndërtimore u ndërpre në pritje të vendimit të gjykatës. Shalsi: Berisha do të largojë vëmendjen nga përmbytjet        Partia Socialiste reagon pas aksionit të prishjes së dy kateve të pallatit të Ilir Matës nga agjentët e Inspektoriatit të Ndërtimit. Deputeti socialist Eduart Shalsi tha se aksioni ishte i paligjshëm, ndërsa akuzoi Kryeministrin Berisha se po përpiqet të largojë vëmendjen nga situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet në veri të vendit. “Në kulmin e një krize humanitare, shpellari Sali Berisha angazhon mjete dhe policinë e shtetit për të goditur një ndërtim të ligjshëm pa pritur vendimin e gjykatës”, u shpreh Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›