E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia në polici: Pashë grabitësin të largohej, pasi vrau pronarin e argjendarisë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 23-10-2011 10:28

Tiranë Një ditë pas vrasjes me një plumb në kokë të 62-vjeçarit Rrapo Sinanaj, policia krijon identikitin e autorit të dyshuar. Me ndihmën e një dëshmitari okular, që ka parë grabitësin të largohet, pasi qëlloi mbi pronarin e argjendarisë, grupi hetimor ka mundur të mbledhë disa të dhëna rreth autorit të dyshuar të krimit. Dëshmitari ka treguar se personi që u largua me vrap menjëherë pas krimit ishte i moshës 28-30 vjeç, me trup mesatar dhe me tipare brune. Dëshmitari ka treguar se autori është larguar në këmbë me vrap dhe është kthyer në një rrugicë, pak metra larg vendit ku ndodhej argjendaria. Duke analizuar këto të dhëna, uniformat blu kanë shoqëruar rreth 60 persona përgjatë mbrëmjes së të premtes, por edhe gjatë ditë së djeshme. Të shoqëruar, sipas policisë, janë kryesisht persona me precedentë kriminalë dhe kontingjentë të zonës, por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e autorit. Secili prej tyre është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes, madje në disa raste janë kryer edhe ballafaqime me dëshmitarin e vetëm që ka parë autorin e vrasjes së 62-vjeçarit Rrapo Sinanaj. Por edhe pas shoqërimit të shumë personave dhe ballafaqimin e tyre me dëshmitarin, policia ende nuk ka një emër konkret si autor të krimit të rëndë. Po ashtu, në dyshim është edhe motivi i vërtetë i vrasjes së pronarit të argjendarisë. Aktualisht, grupi hetimor është përqendruar në dy pista. Pista e parë ka të bëjë me vrasjen në tentativë për të grabitur bizhuteritë me vlerë që ndodheshin në argjendari, ndërsa pista e dytë hedh dyshime për një konflikt të mundshëm të viktimës, pasi nga verifikimet e kryera rezulton se autori i vrasjes është larguar nga argjendaria pa marrë asnjë send me vlerë. Ky fakt është argumentuar nga hetuesit si shenjë paniku nga ana e autorit, i cili ka qëlluar me plumb në kokë pronarin e argjendarisë, sapo ky ka shtypur sinjalin e alarmit që do të sinjalizonte uniformat blu. Të dhënat tregojnë se autori i vrasjes mund të ketë qenë një narkoman, i cili sapo ka qëlluar mbi 62-vjeçarin është larguar nga vendi i krimit në panik, pa mundur të marrë asgjë prej aty. Të dhënat e para tregojnë se mes autorit dhe viktimës ka patur një përleshje, pasi dyshohet se Rrapo Sinanaj ka mundur t’i heqë maskën të riut që e kërcënonte me pistoletë. Por gjithashtu ka të dhëna se pronari i argjendarisë ka tentuar të shtypë alarmin, çka do të sinjalizonte policinë për tentativën e grabitjes dhe menjëherë është qëlluar nga grabitësi që ishte i armatosur me një pistoletë. Krimi i rëndë ndodhi pasditen e së enjtes në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet, kur pronari i argjendarisë, Rrapo Sinanaj, në tentativë për të parandaluar grabitjen, u qëllua me plumb në kokë nga grabitësi.

Pronari i argjendarisë u grabit vite me parë

Viktima Rrapo Sinanaj, me origjinë nga Vlora, ishte pre e grabitësve edhe në një rast tjetër, disa vite më parë. Ai punonte me taksinë e tij, kur iu vodh mjeti dhe trupin e gjetën në kanal, por fatmirësisht atëherë i shpëtoi vdekjes. Vrasja e 62-vjeçarit Sinanaj ka ngjallur mjaft debat mbi rendin dhe sigurinë në vend, duke u komentuar edhe nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Përmes një mesazhi në rrjetin social “Twtter” kryesocialisti Rama ka akuzuar qeverinë si përgjegjëse për ngjarje të tilla. “Grabitje me vrasje në argjendari? E pandodhur në Shqipërinë ku krimi po bën kërdinë teksa qeveria s’ka nge se ka kërdinë e saj për të bërë!”- thotë Rama në rrjetin social “Twitter”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›