E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësi sulmon postën, ikën pa paratë

Punonjësit e postës pranë Shkollës së Bashkuar kanë parandaluar grabitjen, duke lajmëruar policinë. Autori në kërkim

Tiranë Pa kaluar 24 orë nga tentativa e grabitjes që përfundoi me vrasjen e pronarit të argjendarisë, Rrapo Sinanaj, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në kryeqytet. Një person i armatosur ka tentuar të grabisë një nga filialet postare pranë Shkollës së Bashkuar në kryeqytet, por fatmirësisht gjithçka ka përfunduar pa të lënduar. Ngjarja është shënuar rreth orës 19:20 të pasdites së djeshme, në Rrugën e Dibrës, në kryeqytet, kur një person i armatosur dhe i pa maskuar ka tentuar të grabisë një filial poste. Duke përfituar nga mungesa e njerëzve në ambientet e postës, personi i armatosur ka hyrë brenda saj dhe nën kërcënimin e armës ka kërkuar nga punonjësja e sportelit paratë që ndodheshin në arkë. Duke vepruar shpejt, arkëtarja ka shtypur menjëherë alarmin, duke dhënë sinjalin për grabitjen. Kaq ka mjaftuar që i riu të largohet menjëherë nga ambientet e postës, pa arritur të marrë paratë që ndodheshin në arkë. Menjëherë pas dhënies së sinjalit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të komisariatit nr.4, që ndodhet pranë filialit të postës, të cilët kanë siguruar vendin e ngjarjes. Hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje arkëtaren e cila bëri të mundur shmangien e grabitjes, e cila ka treguar mbi momentet e para të ngjarjes dhe karakteristikat fizike të të riut. Sipas burimeve të policisë, mësohet se autori i grabitjes së mbetur në tentativë ka qenë rreth të 25-ave, ndërsa detajet e tjera për identikitin e tij janë të rezervuara për shkak të hetimit të ngjarjes. Tentativa e djeshme për grabitjen e filialit të postës vjen vetëm 24 orë pas ngjarjes së rëndë, kur në një rast të ngjashëm mbeti i vrarë pronari i një argjendarie në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet. Rastet e grabitjeve të armatosur janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit në Tiranë, edhe pse në një pjesë të mirë të tyre policia ka mundur të identifikojë autorët. Vetëm pak kohë më parë uniformat blu bënë të mundur arrestimin e një grupi grabitësish, të cilët nën kërcënimin e armëve ia kishin dalë të grabisnin më shumë se 20 kazino dhe loto në zona të ndryshme të kryeqytetit. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›