E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia për Tisën

Shtatë të pandehurve për tragjedinë e Tisës u konfirmohet aktakuza. Në seancën e parë lidhur me këtë rast, dëshmoi i mbijetuari i vetëm i moshës madhore, Blerim Rama. Ai tregoi gjithçka për rrugën e vdekjes në të cilën humbën jetën 15 kosovarë. Blerimi identifikoi të akuzuarin Avni Hajdari, si personin kryesor, sipas të cilit, ka organizuar udhëtimin e tmerrit. Nga Nexhmije Ahmeti më 03 shkurt 2011 në ora 09:26

Pas më shumë se një viti, Blerim Rama e ka parë nga afër Avni Hajdarin. Atë e kishte parë edhe më 14 tetor të vitit 2009, kur së bashku me gruan dhe dy fëmijët kishte marrë rrugën për t’u nisur jashtë Kosovës. Mirëpo atë ditë, Blerim Rama kishte menduar se ai person quhet Ismajl Hajdari, e në fakt ky ishte Avni Hajdari.

Ky person nga Podujeva dhe gjashtë të tjerë akuzohen se janë përgjegjës për vdekjen e 15 personave kosovarëve në lumin Tisa, që gjendet midis kufirit të Hungarisë dhe Serbisë. Në ujë ishte zhytur edhe Blerim Rama bashkë me gruan dhe dy fëmijët.

Mirëpo nga thellësia e ujërave kishte mundur të dalë vetëm ai, duke arritur t’i shpëtonte gjallë edhe fëmijët, por jo edhe gruan Elvirën, e cila nga atje ishte kthyer në arkivol tri ditë më vonë në Kosovë.

Blerim Rama ka rrëfyer të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku u mbajt seanca e parë, tërë ngjarjen që nga nisja nga Prishtina e deri te dita e kobshme më 15 tetor 2009. Ai ka treguar se për të kaluar në Austri, i janë kërkuar 6300 euro nga Avni Hajdari. “Jemi nisë më 14 tetor 2009 në 7 të mëngjesit, së pari jemi takuar me Ismajlin (Avniun) dhe kemi hipur në një veturë dhe e kemi vazhduar rrugën për Gjilan.

Ai që na ka dërguar në Gjilan nuk ka qenë Ismajli, por një njeri tjetër. Në Gjilan e kemi ndërruar veturën, një person tjetër na ka marrë prej aty dhe na ka dërguar në kufi”, ka rrëfyer detajisht rrugëtimin e tij nga Prishtina, Blerim Rama. Kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Blerim Ramës, e kanë kaluar në këmbë, e më pas me dy vetura kanë arritur në Suboticë.

“Kur kemi shkuar në Suboticë, aty në një stacion autobusi na ka pritur një veturë tjetër, e cila na ka dërguar në një shtëpi, ku kishte edhe njerëz të tjerë. Aty kishin qenë familja Mirena, një grua e Rahovecit me dy të bijat, dy djem të rinj dhe më vonë ka ardhë edhe një familje prej Vushtrrisë. Në këtë shtëpi kemi qëndruar deri në orët e vona të natës, s’më kujtohet a ka qenë deri në 21:00 apo 23:00. Jemi larguar nga ajo shtëpi dhe të gjithëve na kanë dërguar afër një mali”. Pas kalimit të një mali në këmbë, Blerim Rama fillon rrëfimin për udhëtimin me barkën, e cila është fundosur.

“Që të gjithëve na kanë hipur në një varkë dhe me të kemi vazhduar rrugën 15 minuta, derisa e kam parë që po na mbulonte uji. Unë kam qenë i pari që kam rënë në ujë, pasi po zhytej varka. Afër i kisha vajzën, gruan dhe djalin. Njëherë jam dorëzuar, por pasi e kam dëgjuar gruan duke e thirrë djalin, zëri i saj më ka bërë të zgjohem, e kam shpëtuar vajzën, e kam marrë edhe djalin e i kam thënë gruas të vazhdojë not”.

Blerim Rama dëshmon edhe për momentet pas tragjedisë, kur e ka lajmëruar policinë për ndihmë. Pas kërkesës së trupit gjykues që dëshmitari ta identifikojë të pandehurin, ai ka bërë me dorë nga Avni Hajdari. Më pas, dëshmitari ka thënë se kushti kryesor gjatë marrëveshjes me të pandehurin Hajdari ka qenë mos të kalojnë nëpër ujë, por në çastin kur është gjendur para lumit, nuk ka pasur zgjidhje tjetër.

Për tragjedinë e Tisës, ku kanë humbur jetën 15 kosovarët, akuzohen Avni Hajdari (1980) Shpejtim Ademaj (1980), Fatmir Pajaziti (1968) nga Smira e Vitisë, Xhemajl Halilaj (1953), Shaip Selmani (1961), Ismail Krapi (1980) dhe Rabit Ajvazi. Ata akuzohen si përgjegjës për tragjedinë në lumin Tisa në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, natën në mes të 14 dhe 15 tetorit të 2009-ës, ku kishin vdekur 15 njerëz nga Kosova.

Prokurori ka ngritur akuzë edhe ndaj Blerim Ademajt që është paraqitur në Prokurori më 20 janar të këtij viti. Prokurori special, Besim Kelmendi, akuzon këta persona se duke vepruar si grup i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, financiare dhe duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e migrantëve, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Ndonëse sipas prokurorit të akuzuarit kishin premtuar migrantët, nuk do të kalonin nëpërmjet lumenjve, ata ishin çuar pikërisht në lumin Tisa. Më këto veprime, prokurori këtë grup se kanë kryer vepër penale të krimit të organizuar, e dënueshme me së paku 10 vjet burg dhe me gjobë deri në 500 mijë euro. Po ashtu, ata kanë kryer vepër penale kontrabandim me migrantë, vepër kjo e dënueshme nga dy deri në 10 vjet.

Emrat e të vdekurve
Elvira Jaha, Ilir Agushi, Brahim Koci, Florin Ademi, Elfete Ademi, Albert Ademi, Florian Ademi, Lendita Krasniqi, Agnesa Krasniqi, Anita Krasniqi, Rrahim Mirena, Valbona Mirena, Dorentina Mirena, Dafina Mirena dhe Agnesa Mirena.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›