E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon për Z Mobile

PTK ka refuzuar të zbatojë urdhrin e ART`së për lëshimin në treg të 50 mijë numrave për telefoninë Z Mobile. Drejtuesit e Postës thonë se s`kanë ndërmend ta bëjnë këtë, derisa Z Mobile t`i paguajë të gjitha borxhet që ka ndaj saj. ART kërcënon PTK`në se nëse nuk lëshohen këta numra brenda 72 orëve, atëherë pasojnë gjobat. Nga Express më 03 shkurt 2011 në ora 08:23

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit i ka shpallur luftë Postës dhe Telekomit të Kosovës për çështjen e operatorit virtual Z Mobile. Bordi i ART`së, në krye me drejtorin Ekrem Hoxha, i kanë dërguar një urdhër Postës së Kosovës që në mënyrë urgjente t`ia lëshojë në shfrytëzim rreth 50 mijë numra Z Mobiles. Dhe atë brenda 72 orëve, përndryshe do të pasojnë gjobat.

Në një dokument të siguruar nga Expressi, Bordi i ART`së, paralajmëron me gjoba deri në 50 mijë euro në rast të moszbatimit.

Në anën tjetër, PTK’ja nuk e ka zbatuar ende kërkesën e ART`së dhe deklaron se as nuk e ka ndërmend ta zbatojë. Të paktën jo deri sa Z Mobile t`i paguajë të gjitha borxhet që ka ndaj PTK`së. Bile ka treguar se edhe do ta padisë për këtë çështje.

Kjo kërkesë tash sa ditë është e parealizuar.

Edhe Monaco Telecomi pati urdhëruar PTK`në që të mos i jap asnjë numër më, Z Mobiles për shkak të aktivititetit ilegal Sim To Sim.

“Komunikoj urdhrin ndaj operatorit PTK/Vala që menjëherë dhe pa kushtëzime të bëhet liferomi i plotë i Sim Kartelave të paguara nga operatori virtual, me të gjitha shërbimet përcjellëse që i mundësojnë operatorit virtual shpërndarjen dhe shitjen e tyre në tregun me pakicë dhe për këtë të paraqesë dhe dokumentojë dëshmi pranë ART`së me informacione dhe dokumente përcjellëse”, thuhet në një letër të ART`së drejtuar PTK`së.

ART’ja gjithashtu paralajmëron PTK`në se në rast të mospërmbushjes së plotë të kësaj kërkese, do të autorizoj fuqizimin mbi vendosjen e gjobës ndaj personit juridik, PTK`së në këtë rast, t`i shqiptohet dënimi në lartësi prej 50 mijë eurosh.

Menduh Abazi, zëdhënës për media në PTK, thotë se operatori virtual i PTK`së, Z Mobile, ka paguar me kohë përqindjen që i takon PTK`së në të hyrat e pergjithshme të tij, por nuk ka njohur dhe nuk i ka paguar ende shpenzimet për krjimin e numrave dhe shfrytezimin e kodit ndërkombëtar të Monaco Telecomit.

“Kryshefi ekzekutiv i PTK`së, Shyqyri Haxha ka insistuar dhe vazhdon të insistojë se kjo pagesë duhet kryher nga Z Mobile, sepse PTK`së i janë krijuar shpenzimet dhe se ato duhet të paguhen nga ta”, tha Abazi.

PTK’ja, sipas tij, në baza vjetore për një numër paguan 0.48 euro dhe që deri me tash ka krijuar 150 mijë numra për Z Mobile.

“Dhe, në qoftë se ata nuk i paguajnë këto mjete, ne do t’u drejtohemi organeve kompetente të drejtësise për zgjedhjen e kësaj çështjeje. Ne mund të konfirmojmë se kemi marrë edhe një urdhër nga ART’ja se duhet krijuar numrat e mbetur rreth 50 000 për Zmobile”.

PTK’ja thotë se do ta zbatojë këtë kërkesë, por vetëm atëherë kur Z Mobile i kryen obligimet ndaj PTK`së.

“Deri atëherë, kjo do të mbetet çështje e ngrirë”, tha Abazi.

PTK’ja ka probleme tash sa kohë me MVNO`në e saj. Kjo për shkak se është duke e dëmtuar në treg me çmimet e saj dhe pa i dhënë asnjë metelik kësaj kompanie.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›