Dëshmia, si nisi trafiku i fishekëve me Afganistanin
DËSHMIA
Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i çështjes, i vdekur në mënyrë misterioze, ka rrëfyer në prokurori të gjitha detajet e trafikut të armëve
TIRANË- Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit, ka dhënë deklarimet e tij të lira për prokurorinë duke shprehur dyshimet se pas gjithçkaje fshihej djali i kryeministrit.
Në dëshminë e tij, Trebicka ka shpjeguar në mënyrë të detajuar se si ka nisur trafiku i fishekëve, si u ngrit punishtja në Rinas por edhe hyrja në lojë e Mihal Delijorgjit, të preferuarit të Ylli Pinarit si dhe përfshirja e firmës fantazmë "Evdin LTD". "Shekulli" nis sot botimin e dëshmisë kyç të trafikut të armëve.
Dëshmia
Unë që nga muaji maj i vitit 1998 jam administrator i shoqërisë "XHOI" sh.p.k, që ka për aktivitet, prodhim dhe tregtim ambalazhe letre, aktivitet i cili ushtrohet pranë ish-Kombinatit "Misto Mame" në Tiranë.
Nga fundi i marsit 2007, data duhet të ketë qenë 26 ose 27 mars, ku kam marrë një telefonatë nga një person që quhej Alex Podriski, i cili prezantua si përfaqësues teknik i shoqërisë amerikane "AEY, inc".
Ai më kërkoi të takoheshim dhe të bisedonim për qëllime biznesi. Kështu sipas vendit të fiksuar më parë, jam takuar rreth orës 11:00 tek bari që ndodhet në katin e parë të godinës "SKY TOWER" Tiranë, tek zona e quajtur "ish-blloku i udhëheqjes".
Ai m'u prezantua se ishte specialist teknik i kompanisë amerikane "AEY inc" dhe kërkonte që unë ta furnizoja me një sasi prej 80.000 kuti kartoni, të cilat duhet të ishin të forta me letër speciale kundra lagështirës, pasi duhet të përballonin për mbajtje një peshë mbi 30 kg. Ai më tha që kontaktin tim e kishte marrë nëpërmjet dhomës shqiptaro-amerikane të tregtisë.
Gjithashtu, ai më bëri prezent faktin se kutitë do të mbanin fishekë luftarakë, sepse kishte një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për blerje municionesh.
Duke qenë se në rastin konkret unë thjesht shisja kutia dhe ai kishte kontratë të ligjshme, pak më interesonte për më tej. Kështu, pasi mora porosinë dhe përmasat e tyre, organizova prodhimin e 12.000 kutive të para, të cilat i depozitova në magazinat e mija tek ish-Kombinati "Misto Mame" Tiranë.
Mbas rreth një jave nga kjo, Aleksi më kontaktoi përsëri me telefon, diku nga fillimi i prillit 2007, ku mbasi u takuam personalisht më propozoi që nga pozicioni im si shitës të kaloja në atë të shërbimit si nënkontraktor, ku do të bëja edhe paketimin e mallit.
Në këto kushte, i kërkova të gjithë dokumentacionin që nevojitej në një rast të tillë duke filluar që nga urdhri i punës së "Pentagonit" (Ministrisë së Mbrojtjes Amerikane), kontratën që duhet të bënim mes AEY dhe shoqërisë time dhe një akt përfaqësimi në mënyrë që unë të vihesha në kontakt me Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare për të përcaktuar municionin që do paketoja dhe vendin ku do të paketoheshin ato.
Pasi ramë dakord për çmimin e shërbimeve të materialeve, paketimeve etj, të nesërmen e të pasnesërmen Aleksi më solli dokumentacionin përkatës. Në këto kushte, administratori i shoqërisë "AEY inc", shtetasi amerikan Efraim Diveroli më dërgoi nëpërmjet e-mailit në adresën time të internetit, kontratën që do lidhte me mua dhe të nënshkruar prej tij.
Pasi u nënshkrua kontrata dhe akti i përfaqësimit për marrëdhëniet me MEICO-n, unë së bashku me Aleksin u paraqitem në Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare, ku takuam drejtorin e ndërmarrjes shtetërore ushtarake "MEICO", shtetasin Ylli Pinari.
Takimi u bë në zyrën e drejtorit Ylli Pinari, ku Aleksi me prezantoi mua si nën kontraktorin e shoqërisë "AEY inc" për paketimin e mallit dhe dorëzuam dokumentacionin përkatës (dokumentet e shoqërisë time "XHOI" sh.p.k dhe aktin e përfaqësimit nga "AEY Inc").
Drejtori Ylli Pinari solli në zyrë 2 specialistë dhe juristen, të cilët e morën dokumentacionin tim dhe morën urdhrin prej tij për të hartuar kontratën mes meje dhe MEICO-së.
Të nesërmen, shkova dhe mora kontakt me Ylli Pinarin në zyrën e tij për të diskutuar lidhur me modalitetet e kontratës. Në këtë takim m'u propozuan dy reparte ushtarake dhe depo municionesh, në Elbasan dhe një në Aeroportin e Rinasit në Tiranë.
Pas negociatash ramë dakord të me viheshin ne dispozicion hangarët e avionëve ushtarake të Aeroportit Rinasit. Nisur nga kjo bisedë në parim me Yllin, shkova në vend dhe bisedova me komandantin e repartit ushtarak të Rinasit, i cili pranoi të zhvendoste avionin e vetëm bombardues që ishte jashtë funksionit dhe që ndodhej në atë hangar, me kushtin që unë të bëja një investim të vogël rreth 20.000 USD që të bëja një pistë betoni për zbrazjen e hangarit me qêllim krijimin e ambienteve të përshtatshme të punës dhe të bëja ekspozitën e atij avioni bombardues që ishte jashtë funksionit.
Mbasi rashë dakord me komandantin e Repartit të Rinasit, shkova të nesërmen përsëri tek zyrat e MEICO-s për të takuar Ylli Pinarin dhe natyrisht për lidhjen e kontratës mes meje dhe MEICO-së. Në këtë takim, Ylli Pinari më paraqiti një kontrate ku mua me vishte me tagrin e përfaqësuesit të shoqërisë me emrin "EVDIN L.t.d.".
Unë u godita nga kjo dhe krejt natyrshëm i kam thënë që nuk mund të nënshkruaja për një shoqëri që nuk e njoh, pasi kisha prokurë të përfaqësimit nga tjetër shoqëri pra, vetëm nga AEY. Drejtori Ylli Pinari më tha që nuk ke përse të shqetësohesh pasi "EVDIN L.t.d"-ja ishte blerësi dhe kjo e fundit ia shiste "AEY in".
Unë nuk pranova dhe i kam thënë që të ndryshonte kontratën pasi nënshkruaja vetëm për atë që kisha akt-përfaqësimi dhe për askënd tjetër. Ai në këtë bisedë nuk dha ndonjë detaj më shumë rreth shoqërisë "EVDIN L.t.d", por kur unë nuk pranova ai ra dakord që të ndryshonte kontratën dhe mbas disa orësh apo të nesërmen me datë 10 maj 2007, kam lidhur kontratën mes meje si përfaqësues i "AEY"-së dhe MEICO-së, e cila pasi u nënshkrua nga palët, morëm kopjet tona dhe kështu isha tashmë i gatshëm për të filluar punën.
Kur mora edhe lejet e hyrjes për në atë repart ushtarak për punonjësit e mi nga MEICO, kam filluar punën për paketimin e fishekëve luftarakë të kalibrit të vogël. Kështu, në zbatim të kontratës, përfaqësuesit e MEICO-së që quheshin Vath SULA (magazinier i armatim municionit të MEICO-së) dhe Xhemal Oralliu (specialist i armatim municionit të MEICO-së), ishte prezent dhe dorëzonte materialin e municionit ushtarak që vinte nga repartet e tjera ushtarake, tek përfaqësuesi i ngarkuar prej meje Artur Baku dhe asistenti i paketimit Afrim Meta.
Për çdo kuti fishekësh që vinte, kisha urdhëruar dhe nuk lejoja që të hynte pa procesverbal ndërmjet këtyre 4 personave. Në këtë procesverbal shënohej data, njësia e matjes (me copë për fishek), sasia (totale e fishekëve), partia e prodhimit (shqiptar apo kineze), viti i prodhimit, Uzina që i prodhonte.
Përshkrimet duhet të ishin përveçse me shifra edhe me shkrim dorë dhe procesverbali të mbyllej me numër rendor.
Për të gjitha këto lëvizje, disponoj dokumentacionin por në fotokopje, pasi origjinalet janë marrë nga "Defense criminal investigative servile" , pra nga Shërbimi i Hetimeve Kriminale në Fushën e Mbrojtjes Amerikane, të cilët m'i kanë marrë që në 19 janar 2008 për arsyet e hetimeve që ata po zhvillonin.
Në vijim të procedurës së punës, pasi bëhej paketimi, malli dorëzohej tek transportuesi pra në Avionin, që kontrollohej nga punonjësit e MEICO-së dhe, këta të fundit bënin edhe dokumentet përkatëse për doganat për eksport.
Pothuajse qysh në fillimet e aktivitetit, lindën problemet e para të paketimit pasi fillonin dhe hapeshin kutitë e kartonit. Doja të evidentoja faktin se puna konsistonte në atë që arkat e drurit të cilët mbanin 2 arka metalike, ku këta të fundit ishin brenda me fishekë, duhet të hiqeshin dhe fishekët të paketoheshin në kuti kartoni.
Duke qenë se kutitë e kartonit po çaheshin, kam marrë kontakt me administratorin e shoqërise "AEY inc" Efraim Diverolin dhe me Aleks Podriskin të cilëve u propozova që kutit metalike me fishekë të mos hapeshin, por siç ishin të ambalazhoheshin në kuti kartoni për të shmangur rrezikun e fërkimit dhe për të menaxhuar sipërfaqen e ambientit të transportuesit.
Komunikimet janë diskutuar me telefon celular.
Efraim Diveroli më pyeti se si ishin fishekët shqiptarë apo kinezë. Unë iu përgjigja se duke iu referuar dokumentacionit rezultonte se kishte edhe parti fishekësh prodhim shqiptar, edhe parti fishekësh prodhim kinez, të cilat shkonin në rezultatet 50 % me 50 %.
Po kështu, Efraimi më tha që paguajmë shtrenjtë transportin dhe blerjen e fishekëve, kështu që nuk ishte e leverdisshme që paketimi të mbante brenda edhe kutitë metalike, sepse po e blejmë atë me dyfishin e çmimit të referencave lindore.
më pyeti nëse kishte mundësi që i gjithë municioni të ishte shqiptar dhe jo kinez. Unë iu përgjigja që do të interesohem dhe do të të kthej përgjigje. Gjatë bisedës kujtoj se më ka thënë që e blinte 40 USD për 1000 copë fishekë, në një kohe që nga vendet e tjera lindore e blinte me gjysmën e çmimit.
Unë paraprakisht, duke mos ditur shumë gjëra jam interesuar tek Vath SULA (magazinier i armatim municionit të MEICO-së) duke i kërkuar që të na mundësonte vetëm fishekë shqiptare dhe jo kinezë.
Vathi më tha se nuk e kam unë në dorë këtë punë por do interesohem tek shefat e mi dhe do të kthej përgjigje. Paralelisht me këto, kur lindi edhe dyshimi për abuzime me çmimin e shitjes, Efraimi më tha që të interesohesha se me çfarë çmimi i blinte komisionari i tij, pra shoqëria "EVDIN", kurse emrin i administratorit apo pronarit të saj nuk e dija. Për këto probleme, mora kontakt me Ylli Pinarin si drejtor i MEICO-së.
Takimin e kisha lënë të hapur me telefon dhe kur ai u lirua nga angazhimet e tija, më la takim për kafe tek lokali "Taivan" rreth mesnatës. Në këtë takim, i kam shtruar YIIi Pinarit dy pyetje.
E para kishte lidhje me parregullsitë në furnizim për sjelljen e municionit në Rinas dhe e dyta, kishte lidhje me Komisionerin, ku i kërkoja mundësinë e heqjes së komisionarit shoqërisë "EVDIN" dhe të bëhej kontratë direkt mes "MEICO-së" dhe "AEY inc".
Ylli Pinari më garantoi se furnizimet do t'i bënte rregullisht, ndërsa përsa i përket komisionarit, më tha që të mos ngatërrohesha me këto gjëra sepse janë marrëveshje që shkojnë shumë lart, pa specifikuar se deri sa lart.
Unë nuk e besova fillimisht, pasi ishte përtej imagjinatës time të ngatërrohej ndonjë funksionar i lartë në një kontratë që bëhej me një shoqëri që kishte kontrate me "PENTAGONIN".
Mbas kësaj bisede, u mundova që nëpërmjet një mikut tim të afërt të më mundësohej një takim me Ministrin e Mbrojtjes për t'i thënë punën e lidhjes së kontratës drejtpërdrejt me AEY-në, pasi m'u duk si allishverish i Pinarit futja në mes e komisionarit të shoqërisë "EVDIN Ltd". Takimin me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, ma mundësoi miku im, R. Ç. i cili e kishte komshi.
Nuk e kujtoj saktë në se e mora apo më mori në telefon, por kujtoj se kam komunikuar me drejtorin e MEICO-së Ylli Pinarin, të cilit i thashë që kisha takuar ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun dhe diskutuam për punën e komisionarit.
YIIi Pinari më pyeti nëse ma kishte kërkuar takimin ministri apo e kisha kërkuar unë atë për takim. Unë e sqarova se takimi ishte kërkuar prej meje. Ai pas kësaj përgjigjes time, më tha me ton të egër tekstualisht:
"Që këtej e tutje, nuk kemi më punë bashkë, do të veproj sipas urdhrave të ministrit" apo "do të veproj si të më thotë ministri". Pra nuk e kujtoj saktë shprehjen nëse më tha "thotë, apo urdhëroje ministri". Mbas kësaj e mbylli telefonin.
Mbas kësaj date, unë vazhdova punën lidhur me municionet që tashmë ndodheshin në hangar ende të pa paketuara, por konstatova se u ndërpre ardhja e furnizimeve me municion.
Gjatë kësaj kohe, nga specialistet mësova se Shqipëria kishte me shumë fishekë luftarake prodhim shqiptar sesa kinez.
Puna vazhdoi rreth një javë deri sa erdhi momenti për t'u ngarkuar avioni i parë, sepse në këtë moment plasi skandal i madh. Avioni ka mbërritur në Rinas rreth orës 10:00, ka qenë muaji maj 2007, dhe ka qenë ndaluar në pistën dytësore të ngarkimit. Avioni kishte leje vetëm për deri në orën 16:00 për t'u ngarkuar dhe bërë dokumentet me doganat.
Çdo vonesë ishte me gjobë deri në 3.000 euro dhe duhet të priste derisa t'i jepej një leje tjetër. Atë ditë, organizova punën dhe avioni është ngarkuar në kohë rekord deri në orën 13:00.
Duke qene se avioni mbante një sasi të caktuar peshe ngarkese, komandanti i avionit nuk pranonte të ngarkoheshin 2 paleta me pretendimin se ishin përtej limiteve të lejuar.
Në kushtet kur dokumentacioni i bërë mes MEICO-së dhe Doganës bënte fjalë për sasinë e plotë ndërkohë që realisht avionit i mungonin 2 paleta, dilte e nevojshme që përfaqësuesit e MEICO-së të bënin ndryshimin e të dhënave me doganën e Rinasit.
I kërkuam që në orën 13:00, por ato erdhën rreth orës 15:15-15:30, pikërisht në momentet e fundit kur dogana mbyllte veprimet.
Në atë momente, me pretendime krejt absurde për mua, një person i MEICO-së që quhej Spiro por që ata e thërrisnin nëndrejtor (nuk e di nëse e kishte këtë funksion apo jo), erdhi dhe thoshte që avioni nuk mund të nisej pasi dokumentet duhet të nënshkruheshin në Tiranë.
Unë duke parë që ky pretendim ishte krejt absurd dhe abuziv, i thashë që përse nuk e pasqyronte dhe nënshkruante aty letrat e doganës për mungesën e dy prej paletave, por duhet të shkonte në Tiranë.
Ai insistonte dhe në këto kushte, duke qenë se po skadonte afati i punës së doganës dhe në të njëjtën kohë, orari i lejes së qëndrimit të avionit po mbaronte, sepse po mos të nisej atë ditë duhej të rrinte edhe nja 2-3 dite të tjera, unë dhe Alex Podrizki jemi revoltuar dhe unë kam bërë presion se do të çoja në media për të demaskuar veprimet abuzive të tyre. Kur unë u largova nga Rinasi, Spiro kishte bërë ndryshimet e dokumenteve dhe avioni u largua.
Që nga ky moment, mua më ndaluan që të hyja më në Rinas se nuk me linte më ushtari. Kështu, unë humba dhe gjithë mallin që ndodhej ende brenda në ambientin e punës. Për sa kishte ndodhur tentova disa herë të kontaktoja me telefon me drejtorin e MEICO-së Ylli Pinari, por ai nuk më përgjigjej më.
Për këtë incident, kam telefonuar Efraim DIVEROLI-n duke e vënë në dijeni si administrator i "AEY-së", me të cilin unë kisha kontratë.
Ai më falënderoi për punën e kryer dhe më tha vazhdo punën por mos prish nervat me MEICO-n. Më pas, Ylli Pinari kishte lajmëruar Efraimin dhe Alexin për ndërprerjen e punës për paketimin, me pretekstin që ishte në pritje vizita e presidentit amerikan Xhorxh Bush.
Gjatë kësaj kohe, Ylli Pinari e ka telefonuar Efraim Diverolin duke e ftuar atë personalisht në Shqipëri për të lidhur një kontratë drejtpërdrejt me të.
Efraim Diveroli, më mori në telefon dhe më vuri në dijeni për këtë bisedë që kishte bërë me Ylli Pinarin dhe më tha që do të vinte në Tiranë pas disa ditësh, duke përcaktuar edhe ditën, por që unë nuk e kujtoj sot saktë si datë. Kujtoj se ka qene para vizitës së presidentit Bush në Tiranë dhe muaji maj 2007.
Një ditë para se të vinte Efraim Diveroli në Tiranë, nuk e kujtoj nëse më tha ky apo Aleksi, por thelbi ishte që Ylli Pinari i kishte kërkuar atij që të takohej në Tirane, por, pa praninë time. Kur erdhi në Tirane, ka qene rreth orës 14:00, kur me mori Aleksi në telefon celular ku më tha që ishte bashke me Efraimin.
Nga biseda me Efraimin, mësova se ishin në "Hotel SHERATON" dhe se kishin ardhur me makinën e MEICO-s. Në Hotel e kishin lënë dhe pas rreth një ore, do vinte t'i merrte Ylli Pinari në zyrën e tij për të diskutuar kushtet e kontratës së re, pa komisionarë.
Rreth orës 18:09, më ka telefonuar përsëri Aleksi që më kërkoi t'i takoja tek "Hotel Sheraton" në dhomën e tyre. Kam shkuar dhe jam takuar në dhomën e Efraimit, ku i pranishëm ishte dhe Alexi.
Në këtë takim, Efraimi dhe Aleksi më treguan se mbasi ishin marrë me makinë nga Ylli Pinari, por, pa më saktësuar nëse e drejtonte vetë makinën apo kishte shofer, dhe i kishte çuar në një apartament, ku rrugën dhe pallatin ma treguan një apo dy ditë më vonë.
Në këtë apartament, kishin gjetur edhe dy persona të tjerë, njëri ishte Mihal Delijorgji, të cilin Aleksi e njihte, sepse ishin takuar më parë me njëri-tjetrin, si dhe një person tjetër i moshës rreth 27-30 vjeç, me trup të gjatë, që kishte një tatuazh në dorë, i veshur me kostum dhe këmishë të bardhë, i veshur shik, siç thonin ata, person i cili nuk fliste asnjë fjalë anglisht.
Në këtë takim, Ylli Pinari i kishte bërë një propozim Efraimit duke i nxjerrë në tavolinë dy kontrata për të firmosur njëkohësisht.
Njëra ishte mes "AEY inc" (si blerës) dhe MEICO-së (si shitëse), ku çmimi do të ishte 26 USD për 1.000 fishekë. Kontrata e dytë do të ishte mes "AEY"-së dhe kompanisë së Mihal Delijorgjit, për një pagesë 14 USD për çdo 1.000 fishekë që do t'i shitej AEY nga MEICO.
Efraim Diveroli i kishte thënë se ç'është kjo kontrate e me dy çmime kështu, por, Pinari i kishte thënë duke u drejtuar nga djali i ri i panjohur ende, duke i thënë që kështu e do shefi, në të kundërtën vazhdojmë siç e kemi kontratën në fuqi.
Ai djali që sipas Efraimit dhe Aleksit i thërrisnin shefi nuk fliste anglisht dhe se komunikimet me Ylli Pinarin apo Mihal Delijorgjin i bënte në shqip.
Duke u trembur nga ambienti, dhe për nga mënyra se si servirej kontrata, Efraimi kërkoi dy ditë kohe të mendohej.
Duke qenë i frikësuar, nëpërmjet meje, Efraimi kërkoi kontakt me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, të cilët në lanë orar të nesërmen.
Kur u bë ky takim me përfaqësuesin e Ambasadës, Efraimi dhe Aleksi treguan gjithë sa u kishte ndodhur, ndërkohë që i sugjeruan që të merrnin kontakt institucionalisht me Ministrin e Mbrojtjes ku të shpjegohej situata për sa kishte ndodhur, pasi ata do bënin punën e tyre duke shkuar vetë për të kontaktuar.
Pra përfaqësuesi i Ambasadës na orientoi që të bashkërendonim veprimet, ku ata do të hynin institucionalisht në Ministrinë e Mbrojtjes rreth orës 10:00, ndërsa neve të shkonim pas rreth një ore.
Të nesërmen, siç dhe e kishim lënë, Efraimi, Aleksi dhe unë kemi shkuar rreth orës 11:00, ku nuk na priti ministri, por Sekretari i Përgjithshëm me të cilin biseduam thjesht për çështjen e kontratës, për heqjen e komisionerit dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me MEICO-n.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes na tha se do t'ia bënte të njohura të gjitha shqetësimet ministrit Fatmir Mediu dhe se do na kthente përgjigje. Përgjigje e cila nuk u kthye kurrë.
Një ditë pas kësaj, duke ecur nëpër Tiranë po më tregonte përafërsisht vendndodhjen e pallatit ku ishin takuar me Ylli Pinarin etj, nëpër disa grumbull pallatesh që ndodhej në rrugen Fortuzi, afër një shkolle 8 vjeçare, rrugë e cila të çon nga Ministria e Arsimit deri tek ajo e Drejtësisë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, duke bërë biseda të ndryshme, mësova nga Efraimi dhe Aleksi pakënaqësitë që ata kishin për fishekët që i jepeshin nga MEICO, pasi ishin gënjyer sepse marrëveshja ka qenë për të blerë fishekë shqiptarë dhe jo kinezë dhe të ruajtura mirë.
Po në këto biseda mësova edhe emrin e "Henrich THOMET" si përfaqësuesi i "EVDIN Ltd", i cili sipas tyre i kishte orientuar për tregun shqiptar i cili dispononte fishekë të këtij prodhimi dhe të cilësisë.
Në përfundim, duke mos marrë përgjigje nga ministri, Efraim Diveroli ka bërë disa biseda me Ylli Pinarin, ku preferoi më mirë të vazhdonte kontratën e parë sesa të firmoste atë të dytën që i servirej me kompaninë e Delijorgjit si komisionarë dhe kështu u largua nga Shqipëria.
Edhe pas ikjes së Efraimit, unë përsëri u pengova në punën time në Rinas dhe kështu e kam vënë në dijeni vazhdimisht me telefon apo me e-mail, ku prej tij më është thënë se Ylli Pinari kërkonte prej tij që të më shmangte mua dhe të kalonte paketimi tek një kompani tjetër.
Në kushtet, kur kontrata me MEICO-n ligjërisht nuk ishte revokuar apo prishur dhe ishte ende në fuqi, ndërkohë që unë pengohesha në punën time dhe kuptova abuzimet e Pinarit etj që lidheshin me të, duke pasur frikë nga ligji, një nga bisedat telefonike mes meje dhe Eefraim Diverolit, pikërisht ajo e datës 11.06.2007, një ditê para ardhjes se presidentit BUSH, e kam regjistruar në telefonin tim celular.
Ky regjistrim bisede tashmë është bërë publik në të gjitha mediat shqiptare. Në këtë bisedë, ai në thelb më thoshte që nuk kam çfarë të bëj se Ylli Pinari më ka vënë si kusht që të hiqte shoqërinë time nga paketimi, por, ai nuk do pranonte të bënte kontratë me të për të paketuar ndonjë shoqëri tjetër.
Ai më thoshte se nuk po merrej vesh me Ylli Pinarin pasi ky i fundit aludonte se ishte i përzier dhe djali i kryeministrit shqiptar. Më vonë Efraimi më ka marrë përsëri në telefon, bisede kjo e cila nuk është e regjistruar dot, ku më thoshte se Ylli Pinari do të organizonte vetë paketimin.
Takimi i fshehtë me "Djalin e kryeministrit"
Kosta Trebicka ishte një "minierë ari"për Pinarin dhe miqtë e tij, por me hyrjen e Delijorgjit në skenë ai u kthye në një pjesë të pavlefshme.
Në këtë pikë Pinari ndërpreu punën me Trebickën me pretekstin që ishte në pritje vizita e presidentit amerikan Xhorxh Bush. Gjatë kësaj kohe, Ylli Pinari e ka telefonuar Efraim Diverolin duke e ftuar atë personalisht në Shqipëri për të lidhur një kontratë drejtpërdrejt me të.
Efraim Diveroli ka telefonuar Kosta Trebickën dhe e ka vënë në dijeni për kërkesën dhe vizitën e tij në Tiranë. Kjo ka ndodhur pak kohë përpara vizitës së presidentit Bush në Tiranë. Kërkesa e Pinarit ishte që takimi të bëhej pa praninë e Trebickës. Kur erdhi në Tirane, ka qenë rreth orës 14:00, dhe Aleksi mori në telefon celular Kostën duke i thënë se ishte bashkë me Efraimin.
Ata ishin në një hotel në Tiranë dhe kishin ardhur me makinën e MEICO-së. Në Hotel e kishin lënë dhe pas rreth një ore, do vinte t'i merrte Ylli Pinari në zyrën e tij për të diskutuar kushtet e kontratës së re, pa komisionarë.
Rreth orës 18:09 Trebicka është takuar me dy amerikanët të cilët i thanë se pasi ishin marrë me makinë nga Ylli Pinari, por, i kishin shpënë në një apartament në zonën ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe shkollës "De Rada" në Tiranë.
Në këtë apartament, kishin gjetur edhe dy persona të tjerë, njëri ishte Mihal Delijorgji, të cilin Aleksi e njihte, sepse ishin takuar më parë me njëri-tjetrin, si dhe një person tjetër i moshës rreth 27-30 vjeç, me trup të gjatë, që kishte një tatuazh në dorë, i veshur me kostum dhe këmishë të bardhë, i veshur shik, siç thoshnin ata, person i cili nuk fliste asnjë fjalë anglisht.
Në këtë takim, Ylli Pinari i kishte bërë një propozim Efraimit duke i nxjerrë në tavolinë dy kontrata për të firmosur njëkohësisht. Njëra ishte mes "AEY inc" (si blerës) dhe MEICO-së (si shitëse), ku çmimi do të ishte 26 USD për 1.000 fishekë. Kontrata e dytë do të ishte mes "AEY"-së dhe kompanisë së Mihal Delijorgjit, për një pagesë 14 USD për çdo 1.000 fishekë që do t'i shitej AEY nga MEICO.
Efraim Diveroli i kishte thënë se ç'është kjo kontrate e me dy çmime kështu, por, Pinari i kishte thënë duke u drejtuar nga djali i ri i panjohur ende, duke i thënë që kështu e do shefi, në të kundërtën vazhdojmë siç e kemi kontratën në fuqi. Më vonë Diveroli aludon se personi që ishte "shefi" në të vërtetë ishte djali i kryeministrit