Roli i baxhanakut të Berishës në Gërdec
Kryeministri mohoi që të njihte baxhanakun e tij por dëshmitarët tregojnë për rolin e rëndësishëm që ai kishte në Gërdec
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha është përpjekur gjithmonë që të shfajësohet për Gërdecin duke thënë se ai ka mësuar për të vetëm pas shpërthimit tragjik.
Edhe pse ka miratuar vetë të gjitha ligjet që prodhuan tragjedinë, edhe pse i biri gjendet i përfshirë në të gjitha tentakulat e oktapodit të Gërdecit, Berisha insiston se nuk kishte dijeni.
Kur u mësua se një prej personave që kishte gjetur vdekjen në Gërdec ishte një prej shefave, një prej personave që bënin numërimin e arkave me fishekë, Berisha sërish nuk foli. Madje insistoi se nuk kishte dijeni për Gërdecin.
Një ditë më pas, teksa kryhej ceremonia mortore e këtij njeriu të quajtur Muhamet Hoxha, u mësua se ai ishte baxhanaku i kryeministrit. E shoqja e viktimës dhe ajo e Sali Berishës ishin motra. "Nuk e kam njohur baxhanakun tim, më erdhi shumë keq për të por nuk e kam njohur.
Më ka ardhur një herë për vizitë por atë ditë unë nuk isha në shtëpi..." është justifikuar kryeministri pa iu dridhur qerpiku. Punëtorët e Gërdecit kanë zbardhur në detaje se çfarë pune bënte baxhanaku i kryeministrit në fabrikën e vdekjes.
Dëshmitari Kledian Qefalia, ish- punëtor në fabrikë, ka treguar se një prej kolegëve të tij kishte shkuar ta zgjonte nga gjumi Xhimin në makinën e tij, ku po flinte ditën e shpërthimit, por Xhimi kishte mbetur në fabrikë.
Dëshmia e plotë
Pyetje: Çfarë punësh keni kryer në sektorin privat prej fillim vitit 2007 dhe deri aktualisht ?
Përgjigje: Prej 2007 kam ndihmuar babanë tim, i cili ka një punishte zdrukthtarie. Në qershor të 2007 kam filluar punë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, të firmës Albademil, me pronar shtetasin Mihal Delijorgji. Në lidhje me punësimin tim në këtë firmë kam për t'u thënë sa më poshtë.
Babai im është shok me shtetasin Seran Maçi, i cili ka punuar si magazinier i ndërmarrjes MEICO në Gërdec.
Në një takim që babai im ka pasur me shtetasin Seran Maçi, ai i ishte shprehur Seranit se unë isha i pa punë dhe kisha nevojë për punë, Serani i kishte thënë babait tim që unë të shkoja në Vorë, ku punonte vetë Serani pasi ekzistonte një mundësi që unë të punoja aty ku punonte Serani, ai i kishte thënë babait tim se puna nuk ishte e lodhshme.
Ka qenë fundi i qershorit 2007, kur unë kam vajtur në Vorë dhe kam komunikuar me Seran Maçin, i cili më dha numrin e telefonit të shtetasit Nazmi Isufi dhe më tha që të komunikoja me të.
Sapo zbrita nga autobuzi në Vorë, unë i rashë numrit të telefonit të Nazmiut dhe pashë që ai ishte atje dhe po më priste. U takova me Nazmiun dhe kemi shkuar në fabrikën e Gërdecit.
Atje unë u takova me Seran Maçin, të cilin e kam njohur për herë të pare si fytyrë në Gërdec. Serani më tha se do të punoja me ta, ai më prezantoi me Haxhi Maçin, Nazmi Isufin dhe me Benard Kaçaçin ose Koçaçin.
Serani më tha se tha se do të qëndroja në një kohë prove për të parë se si do të shkonte puna. Sapo kam filluar punë unë jam marrë vetëm me numërimin e arkave me municion, në makinat ushtarake që vinin nga repartet ushtarake.
Të dhënat që ne mbanim nga numërimi ia kalonim direkt Seran Maçit, sqaroj se të njëjtën punë me mua bënin Nazmi Isufi, Haxhi Mara, Benard Kaçaça si dhe i ndjeri Muhamet Hoxha, ku ky i fundit ka ardhur në punë gjatë kontratës së dytë dhe për të unë e dija se quhej "Xhimi", pasi kështu e thërrisnin të gjithë, përveç kësaj punë ne nuk kemi bërë asnjë punë tjetër.
E them me bindje se personat që ju përmenda më sipër, nuk kanë bërë asnjë punë tjetër përveç se numërimit të arkave me municion në makinat e ushtrisë, përpara se këto makina të shkarkoheshin.
Ju sqaroj se pa u bërë numërimi i arkave me municion në makinat e ushtrisë, nga ana e grupit tonë, nuk shkarkohej asnjë makinë e ushtrisë. Pas mbarimit të numërimit të arkave me municion mbi makinë, ne i thoshim Veizit ose Dritanit, që kishim mbaruar punën tonë dhe se mund të procedohej me shkarkimin e makinë.
Pyetje: Si ishte mënyra e pagesës, sa ishte paga juaj dhe nga kush ju është dhënë paga?
Përgjigje: Ju sqaroj se pagesa bëhej në dorë me dollarë amerikane, paga ime ishte 600$, rreth muajve nëntor, dhjetor
dhe janar 2007-2008, paga na u bë 400$ për shkak të uljes së ritmit të furnizimit. Ju sqaroj se rrogën unë e kam marrë nga shtetasi Seran Maçi, ndërsa gjatë kontratës së dytë me predhat mua në të shumtën e rasteve rroga më është dhënë nga shtetasi Haxhi Mara, i cili ishte dhe përgjegjësi i grupit që rrinim natën.
Ju sqaroj se unë qe prej ditës që kam filluar punë në Gërdec dhe deri ditën që ka ndodhur shperthimi kam shkuar gjithmonë në punë çdo ditë, po ashtu edhe grupi i personave me të cilët unë kam punuar kanë ardhur në punë çdo ditë, megjithëse punëtorët që merreshin me çmontimin e municioneve ishin larguar, pasi nuk kishte më furnizime.
Pyetje: A keni firmosur në ndonjë bordero per marrjen e pagës dhe a ju ka dhënë pagë në ndonjë rast ndonjë personel i firmës Albademil?
Përgjigje: Unë nuk kam firmosur ne asnjë rast në
bordero për marrjen e pagës, po ashtu nuk kam marrë pagë nga asnjë personel i firmës Albademil. Me sa kam dëgjuar unë rrogat tona vinin nga ndërmarrja MEICO, por të saktë nuk di dhe nuk kam pyetur asnjëherë pasi më dukej e sikletshme që të pyesja për gjëra të tilla.
Pyetje: A e keni pare të vinte në atë fabrikë ish drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari?
Përgjigje: Unë kam dëgjuar se ai ka ardhur aty, por vetë
nuk e kam parë në asnjë rast pasi edhe unë vetë nuk e kam njohur më parë për fytyrë.
Pyetje: A keni folur në telefon apo jeni takuar me shokët e grupit të punës pas ngjarjes, nëse po çfarë keni biseduar me ta ?
Përgjigje: Pas ngjarjes unë kam komunikuar në telefon me Seran Maçin, numrin e telefonit të të cilit nuk e kam dhe nuk e kujtoj, di që e kishte AMC me kontratë.
Me Seranin kam folur në dy raste, në rastin e parë e kam marrë mbasdite ditën e ngjarjes dhe e kam pyetur për shëndetin dhe e kam uruar që kishte shpëtuar, po ashtu unë e kam pyetur Seranin për Endri Dvoranin dhe Muhamet Hoxhën, për këta dy persona Serani me ka thënë se mendonte se kishin ngelur aty.
Bisedën e dytë e kam kryer të nesërmen e ngjarjes ditë në të cilën unë kam mësuar për vdekjen e "Xhimit" Muhamet Hoxhës dhe i kam kërkuar që të shkonim për ngushëllim, Serani me tha se nuk do të vinte dhe nëse doja mund të shkoja vetëm, po ashtu ai më tha që të mos e merrja më në telefon.
Në këtë bisedë unë e kam pyetur edhe për makinën e tij, pasi nga Haxhiu unë mësova se Seranit në vendngjarje i ishte djegur makina. Serani më pohoi se ishte e vërtetë që në vend ngjarje i kishte ngelur makina, por vetë nuk kishte pësuar asnjë dëmtim.
Në momentin e ngjarjes ai kishte qenë tek dhoma (ku qëndronim ne tek ndertesa dy katëshe ku pihej duhani, së bashku me Julianin, Nazmiun dhe Turin. Ne këtë bisedë Serani u tregua tepër i rezervuar dhe më kërkoi që unë të mos e bezdisja më në telefon duke me thënë se kishte hallet e veta.
Po ashtu unë kam folur në telefon me Nazmi Isufin, kjo ka ndodhur rreth dy ose tre dite pas ngjarjes, ku unë e mora atë në telefon për ta pyetur nëse kishte pësuar ndonjë dëmtim dhe ai më tha se nuk kishte pësuar asnjë lloj dëmtimi, fakt te cilin mua ma kishte thënë dhe Haxhi Mara.
Tre katër ditë pas bisedës së parë me Nazmiun, ai më mori në telefon dhe kërkoi që të takoheshim dhe jemi takuar në një lokal përballë shkollës Fan Noli. Nazmiu ka ardhur së bashku me Haxhi Marën. Aty Nazmiu na ka treguar rreth zhvillimit të ngjarjes dhe menyrës se si kishte shpëtuar vetë.
Nazmiu na ka thënë se kishte shkuar tek makina e Muhamet Hoxhës dhe i kishte rënë xhamit që ai të zgjohej, pasi Muhameti po flinte në makinë. Nazmiu na ka thënë se më pas së bashku me Seranin, Julianin dhe Artur Ballabanin kishin mundur të largoheshin me vrap nga mbrapa godinës duke iu ngjitur kodres përpjetë. Mbaj mend që Nazmiu na sqaroi se ishte i çuditur për mënyrën se si kishin ndodhur ngjarjet.
Po ashtu me Nazmiun dhe Haxhiun jam takuar edhe në dy raste tek një lokal tek teatri i operas dhe baletit. Në të dyja këto takime ata më kanë marrë në telefon për të takuar dhe unë kam shkuar atje.
Qëllimi i takimeve sipas tyre ishte që të mos humbisnim lidhjet si shokë punë. Kujtoj se në takimin e fundit prej Nazmiut mësova se ai kishte regjistruar emrin në bashkine e Vorës për të marrë shpërblim, ai me tha që të shkoja dhe unë për të regjistruar emrin, pasi kishte mësuar se do të merrej një shpërblim prej 200.000 lekësh të reja për çdo punëtor që kishte punuar.
Për Nazmiun di që më ka marrë me numrin e telefonit 0683834610, ndërsa Haxhiu ka pasur numrin 0682958992, numra të cilat unë i kam të regjistruar në telefonin tim tek numri 0684076320, numër të cilin unë jua kam dhënë vetë, pasi ata kishin numrin tim të parë 0683313628.
Me Benardin unë jam takuar rreth dy herë pas ngjarjes dhe kemi biseduar për probleme të ndryshme sidomos për punën e shkollës, pasi ai është student në Kamez në degën Orikulturë viti i 3-të ose i 4-et.
Dua të sqaroj se Gjatë kohës së punës para ngjarjes me mirëkuptim, unë, Serani, Benardi dhe "Xhimi", në punë shkonim me makinën e njërit prej nesh, i perhershëm ishte Nazmiu që vinte me makinën e Seranit pasi nuk kishte makinë.
Takimin çdo ditë e bënim tek pallati i kulturës, ku aty pasi bashkoheshim niseshim për në Gërdec. Unë kam shkuar në punë me makinën. time Ford Eskort, me ngjyrë lejla, me targa të Tiranës, por numrat nuk i mbaj mend, gërma "P". Muhamet Hoxha ka pasur një makinë tip Fiat Brava, me ngjyrë blu me targa Tiranë, numrat nuk ia kujtoj, për këtë makinë di që ka ngelur në vendin e ngjarjes.
Seran Maçi di se ka pasur një benc me ngjyrë gri, me targa Tiranë, numrat e së cilës nuk i kujtoj edhe makina e këtij shtetasi di që është shkatërruar në vend ngjarje. Ndërsa Benardi ka pasur një Pezho me ngjyrë jeshile, me targa Tiranë, numrat nuk më kujtohen.
Pyetje: A ka pasur debate midis pjesëtarëve të grupit tuaj të punës?
Përgjigje: Debatet e vetme midis pjesëtarëve të grupit kanë qenë për orarin e punës dhe për faktin se kush do te hypte për të numëruar arkat me municion.
Debat i madh është hapur kur ka ardhur në punë i ndjeri Muhamet Hoxha, për të cilin Haxhiu dhe Nazmiu debatonin sepse ai nuk hypte në makinë per të numëruar municionet.
Pyetje: A e njihni shtetasin Rahman Selmanllari, nëse po kur, ku në ç'rrethana dhe ç'dini për të?
Pergjigje: Unë shtetasin Rahman Selmanllari nuk e njoh fizikisht, por për të kam degjuar se ai ishte njëri nga bashkëpronarët e fabrikes në Gërdec. Gjithashtu krahas tij di që pronar ishin Mihal Delijorgji, Davidi shtetas amerikan dhe Ylli Pinari si drejtor i MEICO.
Këtë gjë unë e kam mësuar gjatë bisedave që janë bërë me punëtorët në kafenë dhe në fabrikë, nuk jam i saktë por një gjë të tillë e kam mësuar nga Vangjeli (Veiz Muco).
Dua të sqaroj se unë punoja gjithmonë turni i tretë dhe Gjatë kohës së punës nuk e kam parë ndonjë herë shtetasin Rahman Selmanllari, por gjatë punës kam dëgjuar se ky shtetas kishte ardhur në fabrikë paradite me makinën e tij Benx ML.
Berisha në BBC
Zoti Kryeministër Berisha, kunati juaj ishte mbikëqyrës i kësaj pike dhe...
Kryeministri Berisha: Unë s'e kam takuar kurrë kunatin tim por ai nuk ishte mbikëqyrës i kësaj pike. Ai ishte një punëtor, i cili ishte kthyer nga emigracioni në Britaninë e Madhe, gjeti një punë atje dhe vdiq atje gjatë shpërthimit