Dëshmia tronditëse në Gjykatë: “Mjekët donin të fshihnin vdekjen e vajzës”
Laureta Rryçi
Dëshmi tronditëse në një nga sallat e gjyqit të Gjykatës së Tiranës. Babai i Matilda Petritit, që vdiq pas një operacioni për bajamet, rrëfeu dje në lot përse akuzon mjekun Xhevahir Hoxhallarin. Në seancën e radhës, prokurori i çështjes kishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit babanë e viktimës, Besim Petriti. Babai i adoleshentes, me dëshminë që dha dje, rëndoi jo vetëm pozicionin e mjekut që është në akuzë, por edhe shumë mjekëve dhe infermierëve që sipas tij kanë gisht në vdekjen e së bijës.
Dëshmia
Për shkak të gjendjes së rëndë emocionale, dëshmitari e pati të pamundur të qëndrojë në këmbë para gjykatësve dhe mjekut që i operoi të bijën, ndaj gjykata e uli në një karrige, sikurse vepron për dëshmitarët e sëmurë. Ndërsa prokurori i çështjes bënte pyetjet e radhës, Besim Petriti ndër lot pohoi se e bija, pas operacionit të bërë nga mjeku Hoxhallari, ka vuajtur nga hemorragji të shpeshta, por doktori është treguar neglizhent edhe kur e përcolli atë në Spitalin e Tiranës. Ai shtoi se i ishte lutur mjekut Hoxhallari që ta mbante në reanimacion, sepse Matilda ishte shumë sëmurë, por doktori i ishte përgjigjur se “atë e di unë”. Madje, sipas tij, doktori e kishte urdhëruar të bijën që të çohej në këmbë e të shkonte vetë deri te dhoma ku do të shtrohej. Besim Petriti nuk i ka mbajtur lotët kur tregoi për vuajtjen e vajzës tashmë të vdekur.
Mohimi
Babai dëshmitar rrëfeu dje se mjekët tentuan në të tyren që të mbulonin vdekjen e së bijës. Gjatë dëshmisë ai ka akuzuar edhe mjekë të tjerë të spitalit, që me gjithë hemorragjinë e vajzës dhe lutjet e prindërve për të ndërhyrë, askush nuk kishte ardhur në spital për t’i ndihmuar. Besim Petriti e mbylli dëshminë e tij tronditëse me një akuzë edhe për drejtues të Spitalit në Tiranë, të cilët, sipas tij, kishin tentuar ta fshihnin ngjarjen duke i ofruar një ambulancë për ta kthyer të vdekurën në Korçë, dhe pas refuzimeve të prindërve, të cilët kanë kërkuar që adoleshentja të çohej në morg, spitali nuk u ka ofruar automjet. Sipas kërkesës për gjykim, mjeku, paraditen e 7 prillit të këtij viti, me kërkesë të familjarëve të vajzës, ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën e tij në Pogradec dhe pas keqësimit të gjendjes së vajzës ajo është sjellë në Tiranë, duke u rioperuar në Spitalin Francez, që ndodhet brenda ambienteve të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Vetë i pandehuri Hoxhallari dhe mbrojtësi i tij ligjor ka pretenduar gjatë marrjes së deklarimeve të tij se ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme dhe gjakderdhjet e shkaktuara kanë ardhur nga ngacmimet e plagës me sende të forta apo kollitje të rënda të vajzës. Por, ky pretendim është hedhur poshtë nga organi i akuzës, i cili ka dorëzuar raportin e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë nxjerrë përfundimet se vajza është keqoperuar nga mjeku Hoxhallari.
Banda e Durrësit, Coli nën presionin e pyetjeve të avokatëve
Procesi për bandën e Durrësit ka vijuar dje nga ora 9:00 deri në orën 15:30. Shkak për zgjatjen e procesit mësohet se janë bërë pyetjet e pafundme të avokatëve ndaj të penduarit Adriatik Coli. Burime që ishin prezent në sallën e gjyqit treguan se pavarësish pyetjeve të shumta, Coli sërish nuk ka ndryshuar qëndrim mbi deklaratat e dhëna më parë si për pozicionin e tij, ashtu edhe për të pandehurit e tjerë në këtë dosje. Në seancën e djeshme, të parëve për të bërë pyetje u ishte dhënë leja avokatëve të Lulzim Berishës. Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit treguan se pyetjet e tyre më tepër flisnin për pozicionin e të penduarit në krimet e kryera ndër vite nga kjo bandë, sesa për implikimin e Lulzim Berishës. Ky i fundit, i cilësuar prej Prokurorisë si kapoja i kësaj bande, që ka dhënë urdhra për vrasje apo për trafiqe të ndryshme. Me gjithë pyetjet e avokatëve mësohet se i penduari nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me thëniet për Berishën. Ndërkohë, gjatë seancës mësohet se pyetje dhe kërkesa ka pasur edhe nga avokatët e tjerë. Procesi është fazën e pyetjeve që do të bëjnë avokatët dhe pritet të vazhdojë edhe për disa seanca në këtë mënyrë për shkak se numri i të pandehurve në këtë dosje është 17.
20 Nentor 2009