E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e posteve në PD, lufta për sekretarin e Përgjithshëm dhe atë Organizativ



Eljona Ballhysa
I gjithë debati në selinë blu për ndarjen e posteve partiake nga ato ekzekutive duket se bëhet vetëm për dy poste në parti. Burimet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bëjnë të ditur se nëse do të përcaktohet një dispozitë për ndarje postesh në Statutin e ri të PD-së, që pritet të miratohet në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që do të mbahet më 12 dhjetor, do të përcaktojë ndarjen e postit të sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe atij Organizativ nga ndonjë post në ekzekutiv. Në rastin konkret, e gjitha lufta duket se bëhet për largimin e ministrit aktual të Financave nga selia blu, Ridvan Bode. Ky i fundit mban postin e sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe krahas këtij posti partiak ushtron detyrën ekzekutive të ministrit. Por roli i sekretarit të Përgjithshëm është i rëndësishëm për partinë, si në kohën kur partia ndodhet në opozitë, ashtu dhe në kohën kur është në pushtet. Ndërkaq, Bode është caktuar nga Kryesia Qendrore të drejtojë grupin e punës për ndryshimet në Statut. Vetëm pak ditë më parë, në një prononcim për mediat, Bode u shpreh se deri tani nuk ka marrë asnjë propozim në rrugë zyrtare për ndarjen e posteve partiake nga ato ekzekutive. Ndërsa postin e sekretarit Organizativ e mban Flamur Noka, i cili edhe tani që është zgjedhur deputet, është ndër të vetmit funksionarë të PD-së që vazhdon t’i mbajë lidhjet me zyrën në selinë e PD-së.
Deklaratat
Megjithëse ende nuk ka një propozim zyrtar për ndryshimin e Statutit dhe ndarjen e posteve, anëtarë të Kryesisë Qendrore të PD-së janë shprehur publikisht në media në mbështetje të këtyre ndryshimeve. Madje, deputetët e PD-së mbështesin ndarjen e posteve për sekretarët, ndërsa shtojnë se nuk do të ketë ndryshim të lidershipit të partisë, çka përfshin kryetarin dhe dy nënkryetarët. Një ndër anëtarët e Kryesisë së PD-së, Astrit Patozi, është shprehur pak ditë më parë në mbështetje të ndarjes së posteve të sekretarëve. “Këta mund të jenë sekretarë organizativë dhe disa funksionarë të tjerë politikë të partisë, dhe do të ishte e udhës që të qëndronin më afër strukturave dhe më afër jetës së brendshme të Partisë Demokratike dhe të mos kishin pengesa ekzekutive në ushtrimin e funksioneve të tyre”, - është shprehur Patozi. Nënkryetari i PD-së dhe kryetari i Grupit Parlamentar më të madh në Kuvend, Astrit Patozi, thotë se më 12 dhjetor do të vendoset nëse do të ketë ndryshime statutore ose ndarje të posteve partiake nga ato qeveritare. “Unë jam për harmonizimin e të gjitha posteve politike, por jo për një ndarje me thikë të këtyre posteve, sepse sa kohë që kryetari i partisë duhet të jetë patjetër kryeministër, sigurisht që mund të ketë pozicione të tjera, që jo domosdoshmërisht duhet të jenë të ndara nga funksionet politike”, - tha Patozi.
Debati
Ndryshimet në Statutin e PD-së pritet të përbëjë thelbin e debatit në Kuvendin e 12 dhjetorit të Partisë Demokratike. Një muaj larg mbajtjes së këtij Kuvendi, çështja e ndarjes së posteve drejtuese në parti nga postet ministrore e ka ndarë më dysh selinë blu. Madje ,më dysh është ndarë edhe Kryesia Qendrore e PD-së. Disa prej anëtarëve të Kryesisë janë shprehur pro ndryshimeve në Statut dhe ndarjes së posteve drejtuese. Por, me gjithë deklaratat publike, ende nuk ka një propozim zyrtar pranë grupit të punës që po merret me ndryshimet në Statut. Në mbështetje të ndryshimeve është anëtari Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, i cili ka kërkuar që sekretarët të mos mbajnë edhe poste në ekzekutiv. Sipas anëtarit të Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, ndarja e posteve do të forconte strukturat partiake tashmë që PD-ja ka hyrë në mandatin e dytë qeverisës. Përveç Palokës, në mbështetje të kësaj ideje janë shprehur anëtarë të tjerë të Kryesisë, si Fatos Beja, Aldo Bumçi, Aleksandër Biberaj, Omer Stringa e Besnik Mustafaj. Ndërsa Patozi është shprehur se ndarja e posteve në PD mund të miratohet vetëm për sekretariatin, ndërsa lidershipi i partisë nuk do të ndryshojë. Aktualisht grupi i punës për ndryshimet në Statut po shqyrton përshtatjen e këtij dokumenti me ndryshimet e bëra në Kodin e ri Elektoral që lidhen me kalimin në sistemin proporcional-rajonal. Baza e Kodit të ri Elektoral është ndarja administrative territoriale e Shqipërisë, ndaj dhe struktura e partisë do të përshtatet me këtë.

Pollo: “Ligji për mediat audiovizuale është i nevojshëm”

Në cilësinë e ministrit përgjegjës për shoqërinë e informacionit, Genc Pollo mori pjesë në seminarin e organizuar nga Komisioni Europian i Këshillit të Europës për ligjin mbi mediat audiovizuale, që po punohet prej dy vitesh në Komisionin Kuvendor për Edukimin dhe Mediat. “Ky është një ligj shumë i nevojshëm dhe asistenca e dhënë nga Komisioni Europian siguron që të jetë në përputhje me acquis europian. Gjithashtu, Këshilli i Europës, me ekspertizën e tij, jep këshilla për balancat e kriteret e duhura që të kemi një rregullator që zbaton frymën e germën e ligjit”, - tha Pollo, duke shtuar se duhet të punojmë së bashku që të hartohet e të miratohet së bashku. Të pranishëm nga pala shqiptare ishin, krahas deputetëve Mesila Doda dhe Mark Marku, edhe deputetë nga Partia Socialiste, Valentina Leskaj e Alfred Dalipi, si dhe drejtuesit e Këshillit Kombëtar të Radiove e Televizioneve.

Topi në Sarajevë për Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është nisur dje për në Sarajevë për të marrë pjesë në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Europën Juglindore. Në këtë veprimtari, kryetari i shtetit shoqërohet nga një delegacion zyrtar i përbërë edhe nga ekspertë të ekonomisë. Të pranishëm në Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Europën Juglindore, që organizohet nga kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljko Komshiç, do të jenë edhe Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Presidenti i Republikës së Rumanisë, Trajan Basesku, Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Tyrk dhe Presidenti i Republikës së Serbisë, Boris Tadiç. Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë forum do të përqendrohen tek aftësitë ekonomike konkurruese të vendeve të rajonit. Në përfundim të tyre, presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›