E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit lë të lirë biznesmenin Rezart Taçi



Rreth tri orë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ndryshim të masës së sigurisë, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për biznesmenin Rezart Taçi, ky i fundit ka lënë qelinë e Burgut 302 në Tiranë, ku qëndronte prej disa ditësh. Presidenti i “Taçi Oil”, i akuzuar për dhunimin e gazetarit Mero Baze, do të duhet të paraqitet në prokurori sa herë të jetë e nevojshme për të zbatuar masën e re të sigurisë “detyrim paraqitje” dhënë nga Gjykata e Apelit gjatë seancës së djeshme. Mësohet se Taçi nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat pasi ka lënë qelinë e burgut.
Ndërkaq, edhe truproja e tij, Bledar Lilo, është larguar nga ambientet e burgut për të zbatuar vendimin e Apelit “arrest shtëpie”. Në burg ka mbetur truproja i dytë i biznesmenit, i cili ka pranuar dhunën e ushtruar ndaj Bazes duke theksuar se nuk ishte në dijeni për profesionin e tij si gazetar. Gjykata e Apelit la dje të lirë vetëm biznesmenin Rezart Taçi, ndërsa dy truprojat e tij u rikthyen në qelitë e paraburgimit. Seanca e djeshme për të ndryshuar masën e sigurisë deri në vendimin që i riktheu lirinë biznesmenit zgjati disa orë me radhë për shkak se dy anëtarë të trupit gjykues, ashtu siç pritej, dhanë dorëheqjen. Në seancën gjyqësore, e cila ka përfunduar rreth orës 15:30, avokati mbrojtës Maks Haxhia paraqiti përpara trupit gjykues një sërë argumentesh dhe dokumentesh ku theksohet se klienti i tij Rezart Taçi nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe është treguar i gatshëm për të zbatuar vendimet e Drejtësisë, duke shtuar se Taçi nuk ka pasur asnjë precedent penal dhe është një ndër taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit shqiptar. Avokati deklaroi se Gjykata e Shkallës së Parë kishte gabuar në dhënien e masës së sigurisë për të, ndërsa ofroi edhe shumën e 100 mijë eurove si garanci. Pas tërheqjes për të marrë vendimin, trupi gjykues ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” për Taçin, i akuzuar për dhunimin e gazetarit Mero Baze. Rezart Taçi është i detyruar të paraqitet para Prokurorisë një herë në javë, rreth orës 16:00, dhe nuk duhet të largohet jashtë shtetit. Trupi gjykues që dha vendimin përbëhej nga Alaudin Malaj, Metush Saraçi dhe Edmond Islamaj pas dorëheqjes së gjyqtares Zeqine Sollakut dhe gjyqtarit Fatos Qatos, të cilët deklaruan se kishin konflikt interesi me çështjen në fjalë. Ndërsa dy truprojat janë njohur pak minuta më vonë se masa e sigurisë ndaj tyre nuk ndryshon. Kështu ata janë rikthyer sërish në qeli për të qëndruar atje deri në një rivlerësim tjetër të masës së sigurisë që pritet të bëhet në Gjykatën e Lartë.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›