Meta: “Premtimi për liberalizimin e vizave e realizojmë brenda vitit 2010”
Shaban Sulçe
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka deklaruar se qeveria do të realizojë brenda vitit 2010 premtimin e saj për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm dhe atë të Integrimit në Kuvend, ku ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. “Në kalendarin e aktiviteteve përmbyllëse të procesit është parashikuar që, pas raportimit tonë të fundit më 16 nëntor, Komisioni Europian të dërgojë menjëherë në Shqipëri misionin e parë vëzhgues në mes të dhjetorit dhe misionet e tjera në fillim të vitit të ardhshëm. Pasi të bëhet një vlerësim, në pranverën e vitit të ardhshëm, Komisioni Europian do të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, i cili do të kalojë menjëherë për miratim në Këshill dhe Parlamentin Europian. Skenari ynë është se vendimi për liberalizimin e vizave me BE do të merret jo më vonë se në korrik të 2010-s dhe lëvizja pa viza do të realizohet po brenda këtij viti”, deklaroi Meta.
Vizat
Gjatë raportit në seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm në Kuvend dhe atë të Integrimit, Meta theksoi rëndësinë e sinjaleve të njëpasnjëshme që Shqipëria po merr nga të gjitha institucionet europiane, lidhur me liberalizimin e vizave. Ai vlerësoi rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian si dhe deklaratën politike që ju bashkëngjit kësaj rezolute, ku Parlamenti Europian dhe Këshilli angazhoheshin për të trajtuar me urgjencë propozimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Zëvendëskryeministri bëri një analizë të arritjeve të qeverisë shqiptare në lidhje me këtë proces. Ai përmendi sigurinë e dokumenteve, ku tha se Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit, ashtu edhe pasaportat. “Ka një kapërcim galopant nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i certifikatave në karta identiteti multifunksionale; falë sistemit modern, të shpejtë dhe efikas të instaluar janë shpërndarë 265 000 pasaporta biometrike në vetëm 6 muaj. Ky është ritmi më i lartë i shpërndarjes së pasaportave biometrike në rajon dhe tejkalon çdo parashikim tonin apo të Bashkimit Europian për ecurinë e këtij procesi”, - u shpreh Meta. Më tej ai vlerësoi teknologjinë e avancuar të përpunimit të të dhënave në pikat e kalimit kufitar, masat për menaxhimin e kufijve etj. Zëvendëskryeministri foli gjithashtu edhe përsa i përket strategjisë së qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizimit. Meta vlerësoi miratimin e ligjit antimafia, për të cilin tha se do të ngushtojë hapësirat për operimin e individëve apo grupeve të krimit në Shqipëri. “Ne synojmë ta bëjmë zhvillimin e aktivitetit kriminal dhe veçanërisht atë të krimit të organizuar një mision të pamundur në vendin tonë”, - u shpreh Meta. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Meta u shpreh se ajo është e përqendruar si në parandalimin e tij nëpërmjet masave rregullatore, si shërbimet one-stop-shop, shërbimet on-line etj., ashtu edhe në bashkëpunimin ndërmjet agjencive për identifikimin, kapjen dhe dënimin e të gjitha akteve korruptive në të gjitha nivelet. “Përvoja pozitive e konstatuar në Njësinë e Përbashkët Hetimore të Tiranës, solli replikimin e këtij modeli në gjashtë njësi të reja, të cilat kanë filluar nga puna dhe shumë shpejt do të japin rezultatet e tyre”, - vijoi Meta.
Kërkesa
Ministri i Jashtëm theksoi se pas miratimit më 16 nëntor të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim nga ana e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, Komisioni do të dorëzojë brenda muajit dhjetor pyetësorin. Meta tha se ky vendim i BE-së është shprehje e bindjes që kanë partnerët europianë për përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve europiane. “Ky vendim tregon se Bashkimi Europian është i bindur për përparimin e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së standardeve europiane, por gjithashtu do të thotë angazhime e detyrime më të mëdha, më kërkuese dhe më impenjuese. Ministria e Punëve të Jashtme po bashkëpunon ngushtësisht me Ministrinë e Integrimit Europian për të përballuar me sukses procesin e plotësimit të pyetësorit të KE”, - theksoi Meta.
20 Nentor 2009