PS: Qeveria e Familjes dhe klientët e saj po shkatërrojnë tregun dhe konkurrencën në Shqipëri
Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit të raportit të “Eurochambers”, i cili konstaton regres për Shqipërinë përsa i përket realizimit të investimeve të huaja. Deputeti socialist, Erion Braçe, tha se ky studim dëshmon se qeveria e Familjes po ndërton një mur të pakalueshëm, antiligjor e kriminal, mu përpara çdo sipërmarrësi europian që kërkon të investojë këtu. Sipas këtij raporti, 85% e bizneseve të pyetura, që operojnë në Shqipëri, janë të pakënaqura nga qeveria, nga administrata tatimore dhe i konsiderojnë politikat fiskale të paqarta, të pamjaftueshme e selektive. Braçe tha se qeveria, për shkak të klientelizmit të saj, po shkatërron tregun, po monopolizon aktivitetin ekonomik, po shkatërron konkurrencën, po çon drejt falimentit mijëra biznese si dhe po tremb e largon investitorët potencialë. ”Ky është muri që po ngrihet para çdo biznesi të ndershëm e që nuk ka lidhje me Familjen. Ky mur qeveritar, por kriminal, duhet të shembet nga institucionet ligjzbatuese të shtetit”, - u shpreh Braçe. Në emër të Partisë Socialiste ai kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimet ndaj këtyre abuzimeve të rënda financiare që po bën qeveria aktuale. “Ndaj, në emër të PS-së, dua të apeloj për herë të tretë, sot Prokurorinë të veprojë kundër një Familjeje kriminale që po dhunon çdo ligj, rregull, biznes konkurrent, si dhe po i mohon shtetit, financave publike dhe qytetarëve, qindra milionë euro të ardhura”, - u shpreh Braçe.
20 Nentor 2009