E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shefit të Qarkullimit, lironte mjetet e bllokuara në këmbim të parave



PEQIN – Vetëm dje ka marrë fund skema korruptive e shefit të Qarkullimit të Peqinit. Për një kohë të gjatë ai u bllokonte makinat në mjediset e komisariatit qytetarëve të ndryshëm dhe më pas u kërkonte para për t’i nxjerrë. Një praktikë e tillë korruptive është vënë në shënjestër të ekspertëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë ndaluar ditën e enjte shtetasin Pëllumb Kërçuku, me detyrë shef i Policisë Rrugore. Sipas tyre, bashkë me Kërçukun ka rënë në pranga edhe një efektiv i Policisë Rrugore në Komisariatin e Peqinit. Për të siguruar provat, specialistët e SHKB-së e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke siguruar të dhëna që komprometonin punën e kreut të Qarkullimit.
Arrestimi
Sinjalet që ka marrë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e qarkut të Elbasanit se shefi i Qarkullimit bllokonte makinat në Komisariatin e Peqinit dhe më pas i lironte kundrejt një “shpërblimi” që e fuste në xhepin e tij janë bërë shkas që nisin hetime. Sipas burimeve zyrtare, në rastin më të fundit që është vënë nën vëzhgim, shefi i Policisë ishte duke negociuar me disa shtetas, të cilëve ua kishte bllokuar makinat disa ditë më parë. Në këmbim të kthimit të makinave këtyre shtetasit, Kërçuku kishte kërkuar që t’i jepnin si “shpërblim” një shumë parash që e kishte vendosur vetë. Pikërisht në këto negociata ai ka rënë në grackën e SHKB-së. Burimet zyrtare pohojnë se gjatë operacionit për kapjen e shefit të Qarkullimit janë arrestuar edhe punonjësi i Policisë, Ruzhdi Juba, i cili ka qenë bashkëpunëtor. Sipas të dhënave zyrtare, edhe ky efektiv policie pritet të akuzohet për mitmarrje.
Burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit pohojnë se materialet në ngarkim të shtetasve Pëllumb Kërçuku dhe Ruzhdi Juba pritet t’i kalojnë prokurorisë, e cila do të nisë hetimet për veprën penale të “korrupsionit pasiv gjatë ushtrimit të detyrës”.
Rastet
Jo shumë kohë më parë, po në strukturat e Policisë në Elbasan, u ndaluan tre policë të sektorit të Qarkullimit, pasi ishin denoncuar nga shoferët e linjave të furgonëve. Ata kishin bërë kallëzim në polici dhe menjëherë ndaj tyre u morën masa. Sipas dosjes hetimore të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Elbasanit, tre efektivat akuzohen se, duke qenë së bashku në patrullime, u kanë kërkuar ryshfet shoferëve në këmbim të mosndëshkimit me gjoba. Autorët e kësaj vepre kanë qenë Elmaz Muça, Endrit Elezi dhe Fatmir Kryeziu. I njëjti fenomen është konstatuar edhe në Tepelenë, ku policia ndaloi dhe vuri në hetim disa punonjës policie. Raste të tilla në strukturat e Policisë së Shtetit janë të shumta.

Depresioni dhe alkooli çojnë në vetëvrasje kryefamiljarin

DURRËS – Gjendja e rënduar psikologjike, e ndihmuar edhe nga përdorimi i tepruar i alkoolit, kanë çuar në vetëvrasje një kryefamiljar në rrethin e Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mesditën e së mërkurës është gjetur i pajetë në banesën e tij shtetasi Bedri M., lindur në Kukës dhe banues në Lagjen Nr. 8. Nga veprimet e para hetimore rezulton se 41-vjeçari, në kushtet e depresionit dhe nën efektin e pijes, është vetëvarur në një nga dhomat e banesës së tij, duke përdorur një kabllo elektrike. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua kablloja elektrik, ndërsa nga këqyrja e kufomës nuk u konstatua asnjë shenjë dhune”, - thonë burimet e Policisë së Durrësit. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Shpallet në kërkim, theri me thikë fqinjin

SHKODËR – Një 41-vjeçar është shpallur në kërkim pasi ka therur me thikë fqinjin e tij dhe më pas është larguar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rreth orës 21:00 të mbrëmjes së mërkurë është plagosur rëndë në zonën e Parkut Industrial në qytetin e Shkodrës shtetasi Skënder S., 51 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Salo Halili”. Policia e qytetit verior thotë se autor i ngjarjes është shtetasi Edmond Spahija, 41 vjeç, lindur dhe banues në të njëjtën lagje me të lënduarin. “Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta”, - thotë policia, e cila bëri shpalljen në kërkim të Skënder S. I dëmtuari, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin rajonal Shkodër, është transportuar në Spitalin Ushtarak Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Vetëplagoset me kallash roja, po luante me armën që mbante pa leje

KRUJË – Loja me armën për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një shtetasi që po ruante pronën e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se në orët e para të ditës së djeshme është vetëplagosur shtetasi Bilbil Cengu teksa ruante zdrukthëtarinë në pronësi të tij. Sipas tyre, 25-vjeçari Cengu është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës pasi ka marrë një plumb në këmbë. Ngjarja ndodhi në fshatin Larushk të Krujës. Mjekët konfirmojnë se Cengu është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma automatik model 56, me nr. 1113741, të cilin e mbante pa leje. “Nuk bëhet e ditur mënyra se si ka ndodhur plagosja e tij dhe po punohet më tej për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit.

Polici bashkiak kanos me armë 20-vjeçaren, prangoset

TIRANË – Shantazhi që i ka bërë vajzës 20-vjeçare në kryeqytet e ka çuar në qeli një punonjës të Policisë Bashkiake në Kukës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë ndaluan shtetasin Edmond Elezi, pasi ndaj tij kishte mbërritur një denoncim nga një vajzë me banim në Tiranë. Pak ditë më parë Elezi ka hyrë në banesën e saj që ndodhet në rrugën “Ali Baushi” dhe e ka kërcënuar. Ai ka përdorur armën që mbante me leje për të shantazhuar 20-vjeçaren. Burime në Policinë e Tiranës pohojnë se shtetasi Edmon Elezi është ndaluar dhe materialet në ngarkim të tij pritet t’i kalojnë prokurorisë. Ndaj tij janë ngritur akuzat e “kanosjes”, “dhunim banese” dhe “prishje të qetësisë publike”.

Vodhi 20 milionë lekë, arrestohet nga policia 35-vjeçari

LIBRAZHD – Një 35-vjeçar është arrestuar dje nga policia pasi dyshohet të jetë autori i vjedhjes së 20 milionë lekëve të vjetra në banesën e një qytetari. Ngjarja ndodhi në Lagjen Nr.2 në qytetin e Librazhdit, ku sipas burimeve zyrtare, shtetasi Bujar Gurra ka hyrë në shtëpinë e Lulëzim Allkos, ku ka vjedhur një sasi e konsiderueshme parash. Pas denoncimit të 35-vjeçarit, në vendngjarje janë dërguar shërbimet policore dhe nga veprimet e para hetimore dhe në bazë të deklarimit të dhënë nga ana e të dëmtuarit, u konstatua se autori i ngjarjes është futur në banesën e tij dhe prej andej ka vjedhur një shumë parash prej 2 milionë lekësh të rinj. Pas një pune intensive nga ana e Seksionit Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë qarkut Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me Komisariatin e Policisë Librazhd, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të ngjarjes, i cili dyshohet të jetë bashkëqytetari i tij Bujar Gurra.

Bastiset kabineti i Informatikës në shkollë, ndalohen 4 të rinj

KAVAJË – Disa të rinj kanë bastisur kabinetin e Informatikës së një shkollë 9-vjeçare në një fshat të Kavajës, por më pas janë prangosur nga 6 personat që kanë realizuar këtë vjedhje. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në shkollën e fshatit Seferaj të rrethit të Kavajës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se pas denoncimit ndaloi shtetasit Alfred Tila 19 vjeç, Nazmi Begeja 19 vjeç, Ervis Zeneli 20 vjeç dhe Ardit Zeneli 17 vjeç, ndërsa ka shpallur në kërkim 24-vjeçarin Eduart Begeja dhe Shkëlqim Begeja, 21 vjeç, të cilët aktualisht janë larguar jashtë shtetit. Sipas të dhënave, i pari është arratisur në Rumani, ndërsa bashkëpunëtori tjetër në Itali. Burime nga policia thanë se katër të rinjtë e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje në kabinetin e Informatikës 6 kompjuterë të tipit “ACER”, 1 printer lazer dhe 1 skaner, të gjitha me vit prodhimi dhjetorin e 2008-s. Gjatë hetimit të kësaj ngjarjeje rezultoi se të gjashtë personat, pasi kanë planifikuar më parë vjedhjen e kësaj shkolle, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bërë të mundur të marrin pajisjet kompjuterike gjatë mbrëmjes së 7 nëntorit. Vetëm dy ditë më parë policia arriti të gjejë dhe sekuestrojë në cilësinë e provës materiale disa nga objektet e vjedhura në shkollën e fshatit Seferaj. Katër personat pritet të përballen me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim ndërsa për dy të tjerët kanë nisur procedurat e kërkimit ndërkombëtar.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›