E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti ndërkombëtar “ESI”: Shqiptarët lëvizin pa viza në korrik të vitit 2010



Instituti “Nisma europiane për stabilitet”, me qendër në Bruksel, ka publikuar një raport lidhur me progresin që ka arritur Shqipëria përsa i përket realizimit të objektivit të saj për të realizuar liberalizimin e vizave. Në këtë raport thuhet se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në këtë aspekt dhe se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza duke filluar nga muaji korrik i vitit 2010.
“Gjatë verës së sivjetme Shqipëria i kishte marrë gjërat disi më me ngadalë për shkak të zgjedhjeve të qershorit 2009. E megjithatë, më 29 korrik 2009, qeveria miratoi një plan veprimi me afate kohore ambiciozë, por gjithsesi realist, për përmbushjen e kushteve të mbetura të Udhërrëfyesit, ndërsa, më 16 shtator, qeveria e re u zotua të bëjë të mundur “lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën ‘Shengen’ brenda vitit të parë të mandatit qeverisës”. Ky objektiv në Shqipëri u “përkthye” me shpejtësi në veprimtari të bashkërenduara për realizimin e kërkesave të mbetura. Gjatë periudhës tetor-nëntor, ESI (Nisma Europiane për Stabilitet) dhe organizata e tyre partnere, Lëvizja Europiane në Shqipëri, kanë analizuar raportet mbi gatishmërinë e qeverisë, të përditësuara rregullisht në datat 30 shtator, 23 tetor dhe 22 nëntor. Ashtu si në rastin e Bosnjës, ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim domethënës, afërsisht në të njëjtin nivel zbatimi që Serbia dhe Mali i Zi kishin arritur në maj 2009. Fatmirësisht, ky përparim është njohur nga Parlamenti Europian, shtetet anëtare të BE-së (shihni Deklaratën që i bashkëlidhet Opinionit të Parlamentit Europian të 12 nëntorit) dhe Komisionit Europian. Më dhjetor 2009, Komisioni planifikon të dërgojë misione ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së në Shqipëri dhe në Bosnjë – Hercegovinë për vlerësimin e përparimit të bërë lidhur me Bllokun 1, ndërsa misionet e tjera të vlerësimit do të dërgohen në fillim të vitit 2010. Me plotësimin deri atëherë të të gjitha kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnjë – Hercegovinës, qytetarët e tyre do të mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza, duke filluar nga muaji korrik 2010”, - thuhet në raportin e Nismës Europiane për Stabilitet.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›