Dëshmia: tunelet me armatim ruheshin nga fshatarët
Flet Xhavit Koni, ish-instruktori i tankeve, që punoi për 20 vjet në Gërdec . Në katër tunelet e ushtrisë kishte predha tankesh dhe predha blindshpuese
“Depoja e municioneve të Gërdecit ruhej nga një banor i zonës përreth dhe jo nga ushtarë”. Kështu është shprehur në një intervistë të dhënë për gazetën “Albania” Xhavit Koni, i cili, për rreth 20 vjet ka punuar në vendin ku ndodhi tragjedia e djeshme. Ish-instruktori i tankeve thotë se “reparti i dikurshëm i tankeve ka katër tunele, ku në secilin prej tyre ndodheshin predha tanku dhe predha blindshpuese”. Ai ka mohuar zërat se mund të ketë raketa apo armë të tjera të rrezikshme. “Duhet të asgjësohen ose të vihen nën kontroll të gjitha municionet që ndodhen jo vetëm në repartin e Gërdecit”, - përfundon Koni intervistën për “Albania”-n.
Kur keni filluar punë në bazën e Gërdecit dhe në çfarë pozicioni keni qenë?
Unë kam nisur punë në bazën e Gërdecit në vitin 1971. Që prej asaj periudhe kam punuar si instruktor tankesh. Nga viti 1971 dhe deri në vitin 1989 kam qenë pikërisht në këtë repart, i cili më pas u zhvendos në një vend tjetër dhe Gërdeci mbeti thjesht një depo municionesh.
Në ç’vit është ndërtuar baza?
Di që ajo është ndërtuar që në vitin 1966 apo 1968 dhe për më shumë se 20 vjet aty kanë qenë katër kompani me specialistë dhe drejtues të repartit të tankeve. Aty bëhej mirëmbajtja e këtyre mjeteve ushtarake, si dhe ndodheshin armatim dhe municione të llojeve të ndryshme.
Si është i ndërtuar tuneli?
Siç e thashë, që në fillim ky repart ka shërbyer për mirëmbajtjen e tankeve ushtarake. Kjo zonë ka katër tunele të mëdha, të ndërtuara nga Ushtria Shqiptare, me asistencën e ekspertëve kinezë të asaj kohe. Tunelet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe janë disa qindra metra nën tokë. Në çdo tunel strehoheshin tanket dhe topat. Po ashtu, në çdo hyrje të nëndheshme kishte xhepa, ku vendoseshin predha dhe armatime të llojeve të ndryshme. Secili prej tuneleve menaxhohej nga katër kompanitë, të cilat i kryenin veprimet e tyre nën masa të rrepta sigurie për shkak të rreziqeve që kanoseshin gjatë punës.
ǒlloj municionesh ka pasur aty?
Deri në vitin 1989, kohë kur unë jam larguar prej andej, brenda xhepave të tuneleve, përveç tankeve, ndodheshin edhe predha të këtyre llojeve: “predha 100-she” dhe predha blindshpuese dhe dërrmuese, të cilat përdoreshin për tanke dhe topa të llojeve të ndryshme. Edhe nëse do të ndodhte shpërthimi në njërin tunel, kjo nuk kishte probleme për shpërthimin e predhave në tunelet e tjera. Desha të shtoj se nuk jam i informuar nëse janë futur municione të tjera pas vitit 1990.
Me çfarë rreze veprimi janë predhat?
Largësia e veprimit të predhave në raste të tilla shpërthimesh shkon në 400-500 metra. Forca e tyre është e madhe në momentet kur përdoreshin nëpër topa ose armatimet e tankeve. Ndërsa predhat blindshpuese dhe dërrmuese kanë efektivitet vetëm kur përballen me forcën e materialit të shënjestruar. Në raste zjarresh ato shpërthejnë, por pa u shpërndarë në largësi të madhe.
A ka pasur reparti lidhje me bazën e raketave në Maminas dhe bazën tjetër të Krujës? A ka rrezik shpërthimesh edhe atje?
Jo, në asnjë mënyrë. Dy ish-repartet janë larg me Gërdecin dhe nuk ka asnjë rrezik.
Çfarë ndodhi në vitin 1989?
Në atë periudhë është zhvendosur i gjithë reparti. Bashkë me to janë larguar edhe tanket, topat dhe mjetet e tjera ushtarake. Por mbeten në katër tunelet e Gërdecit armatimet e llojeve të ndryshme. Pra, ato ishin kthyer në një depo të zakonshme.
Si ruheshin atëherë tunelet?
Për mbajtjen nën kontroll të tunelit kishte shërbim 24 orësh me ushtarë të armatosur. Ndërsa jam i informuar se pas viteve ‘90 depot ruheshin nga një fshatar i zonës përreth.
Cila është zgjidhja më e mirë për të mos u përballur me rreziqe të tilla më?
Së pari mendoj se në mënyrë të menjëhershme duhet të vihen nën kontroll të gjitha depot e municioneve që ndodhen në mbarë vendin. Së dyti, duhet të bëhet asgjësimi me specialistë. Askush tjetër nuk duhet të përfshihet në këtë proces. Vetëm kështu mund të shmangim tragjedi të tilla.
Bisedoi: Albert Gjoka
17 Mars 2008