PDK: “Të zbardhet ngjarja Doshi-Likmeta”
Partia Demokristiane është shprehur se dënon dhe është kundër çdo lloj akti dhune ndaj gazetarëve, por, nga ana tjetër, duke reaguar për incidentin midis deputetit demokristian Doshi dhe gazetarit Likmeta, PDK-ja ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“PDK-ja deklarohet kundër çdo lloj forme presioni dhune apo shantazhi që mund t’u bëhen gazetarëve për shkak të detyrës që ata kryejnë. Ky mbetet një parim nga i cili nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë lëkundje. Sa i përket incidentit midis deputetit të PDK-së, Tom Doshi dhe qytetarit Besar Likmeta, i cili pretendon se është gazetar, PDK-ja deklaron se kjo ngjarje duhet të zbardhet me qëllim sqarimin e pozicioneve. Deputeti Doshi dhe organizata “MJAFT” kanë bërë nga një deklaratë në të cilat pasqyrojnë pretendimet e tyre për ngjarjen. Deputeti Doshi në deklaratën e tij pretendon se zoti Likmeta nuk ka paraqitur asnjë dokument në të cilin të provohet se ai është gazetar. PDK-ja, nga ana tjetër, merr në konsideratë edhe pretendimet e z. Likmeta se është gazetar. Nisur nga kjo situatë, PDK-ja kërkon zbardhjen e plotë të këtij incidenti”, - thuhet në deklaratën e Partisë Demokristiane. Ndërkohë, edhe Partia Socialiste, në një deklaratë për shtyp, ka deklaruar: “Partia Socialiste e Shqipërisë dënon aktin e dhunës së ushtruar nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë mbi gazetarin Likmeta. Partia Socialiste, si një forcë progresiste, mbështet plotësisht parimet e lirisë së shprehjes dhe mendimit, si dhe në të njëjtën kohë shpreh respektin maksimal ndaj profesionit të gazetarit dhe institucioneve mediatike”.
15 Mars 2008