Për çmontimin e predhave punonin edhe gra e fëmijë
Shpërthimi, në një depo municionesh në Gërdec. Shkak i ngjarjes së dhimbshme, një gabim njerëzor
Luan Kondi
Tiranë - Një tjetër ngjarje e rëndë në harkun kohor të dhjetë ditëve ka tronditur Shqipërinë. Marsi tragjik vazhdon të shtrijë duart e fatkeqësisë drejt shqiptarëve. Kësaj radhe është “imituar” një luftë, e cila na ka munguar për më shumë se 64 vjet. Një gabim njerëzor bëhet shkak i ngjarjes së dhimbshme. Të dhënat e raportuara nga mediat ua kalojnë bilanceve ditore të vatrave më të nxehta të konflikteve në të gjithë globin. Mes të lënduarve ka gra dhe fëmijë, ndërsa mendohet se të tjera të dhëna më të hidhura mund të vijnë në vijim nga ndërhyrja e RENEA-s në vatrën e zjarrit, e cila prej orësh të tëra vazhdon të jetë e rrezikshme për forcat e shpëtimit.
Ngjarja
Rreth orës 12:10, një shpërthim i madh është ndier në Tiranë e Durrës. Burimet zyrtare konfirmuan menjëherë se shpërthimi kishte ndodhur në një depo municionesh luftarake në Gërdec, një fshat afër Vorës, vetëm 20 kilometra larg Tiranës. Nuk dihen ende arsyet e shpërthimit, por dëshmitarë në vendngjarje thanë për gazetën se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një fabrike ku punohej për çmontimin e predhave luftarake. Thuhet se ndezja e një djegoreje ka sjellë zjarr në ambientet e fabrikës, që më pas është përhapur gjithandej duke shkaktuar ngjarjen e rëndë. Nuk ka ende një njoftim zyrtar për ngjarjen, ndërkohë që reparti i Mbrojtjes Civile ka mbërritur në vendngjarje dhe është duke kryer veprimet e rastit. Shpërthimi është ndier deri në Rinas, ku janë thyer disa xhama të terminalit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më i prekur nga kjo ngjarje është fshati Gërdec dhe zonat përreth tij. Banorët kanë marrë vrapin duke braktisur gjithçka vetëm e vetëm që t’i shpëtonin vdekjes. Dikush nuk di fare se ç’ka ndodhur me familjen e tij. Babai i një 17-vjeçari mes lotësh thotë se i biri ndodhet në fabrikë dhe nuk ka mundur të lidhet me të as disa minuta pas ngjarjes. Një tjetër thotë se i biri dje e kishte ditën e parë të punës së tij në atë fabrikë dhe nuk ka asnjë lajm për shëndetin e tij. Ka shumë të tjerë që nuk dinë se ku i kanë familjarët dhe të afërmit.
Paniku
Paniku ka sunduar gjithandej derisa autoritetet zyrtare kanë angazhuar strukturat e ndihmës së parë dhe kanë dhënë versionin e parë të asaj që ka ndodhur. Shpërthimin e parë e kanë shoqëruar edhe katër të tjerë në harkun kohor të gjashtë orëve. Situata vazhdon të jetë tepër e rëndë dhe ka shumë persona të dëmtuar brenda repartit, ndërkohë që banorët janë goditur nga predha dhe municione që ndodheshin në depon ushtarake. Banorët e fshatrave fare pranë vendngjarjes kanë zbritur në rrugë ndërsa vazhdon evakuimi i të gjithë banorëve të Gërdecit, ndërkohë që shpërthimet vazhdojnë fuqishëm. Afër depos ka shumë banesa, çatitë e të cilave janë dëmtuar. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë kudo, ndërkohë që ambulancat kanë transportuar të plagosurit në spitalet e Durrësit dhe Tiranës. Ata shfaqin dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Zona e Vorës aktualisht është në terr, nuk ka energji, pasi janë rrëzuar nga shpërthimet shtyllat e tensionit të lartë. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur dhjetëra ambulanca, forcat e RENEA-s, xhenierët, zjarrfikësit dhe reparte të specializuara për ndërhyrje në raste fatkeqësish.
Skandali
Programi për çmontimin e municioneve luftarake realizohet nga një kompani amerikane, ndërsa punëtorët ishin banorë të zonës përreth. Punëtorët sipas të dhënave lejoheshin të merrnin me vete edhe gra e fëmijë për t’i ndihmuar. Nuk dihet nëse kanë qenë të siguruar, por dëshmitë e familjarëve konfirmojnë se ata punonin në të zezë. Po ashtu, dëshmia e një punëtori të fabrikës hedh në media versionin se në fabrikë punohej pa praninë e specialistëve.
Për më shumë se një vit, firma vazhdonte çmontimin e municioneve të rrezikshme luftarake. Municioni që ndodhej në depon e çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec të Vorës ndodhej aty prej gati 40 vjetësh dhe janë municione artilerie. Municioni i mbledhur aty vinte nga të gjitha depot e vendit. Specialistët thanë se në depot e Gërdecit, ku ka qenë dikur reparti i tankeve, gjendeshin aktualisht më shumë se 3 mijë tonë predha të kalibrit 60-152 mm, ndërsa llogariteshin të çmontuar rreth 6500 tonë fishekë.
Box
Shpërthimet
Fillimisht ka pasur disa shpërthime të lehta, të njëpasnjëshme, të cilat u pasuan nga një shpërthim i madh i fuqishëm. Ky shpërthim shkaktoi alarmimin e drejtuesve të automjeteve në autostradë, të cilët të kapur nga paniku janë munduar të largohen sa më parë nga autostrada. Ndërkaq është ndërprerë puna në Aeroportin e Rinasit dhe janë pezulluar të gjitha fluturimet, por pas normalizimit të situatës ata kanë rinisur. Drejt Vorës janë nisur politikanë, mes tyre edhe kreu i PS-së, Edi Rama. Situata është ndjekur hap pas hapi edhe nga kryeministri Berisha. Në Vorë u ngrit edhe Shtabi i Emergjencës, në të cilin bëjnë pjesë edhe ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes së bashku me zëvendësministrat përkatës.
Katër depo municionesh
Disa orë pas ngjarjes së rëndë u raportua se në Gërdec, edhe pse me intensitet të ulët, situata është dramatike, ndërsa edhe Vora është braktisur nga banorët. Në vendngjarje thuhet se janë katër depo armatimesh të mbushura me municione të ndryshme. Raportohet se rreth 121 punëtorë ishin duke punuar për çmontimin e municioneve, ndërkohë që ende nuk ka një raport të saktë për këtë shifër. Çaktivizimi i municioneve po bëhej nga një kompani amerikane. Kompania ishte e kontaktuar nga NATO-ja. Në momentin e shpërthimit kanë qenë duke punuar pesë shtetas amerikanë dhe disa shqiptarë. Në rrezik për jetën deklarohet se është edhe një fëmijë 2 vjeç. Ai është futur menjëherë në sallën e operacionit sepse është goditur nga dy plumba. Në Gërdec ka qenë dikur brigada e tankeve, ndërsa ish-reparti tashmë është kthyer në një depo municionesh artilerie.
Ndalohet qarkullimi në autostradë
Për shkak të situatës së krijuar në Gërdec, Vorë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për moskalimin e automjeteve në autostradën Tiranë - Durrës dhe anasjellas. Ndalimi i qarkullimit në këtë aks do të vazhdojë deri rreth orës 20:30.
Në Gërdec edhe 30 ushtarë
Një dëshmitar, një kamerier i një lokali të fshatit Gërdec, i quajtur D. Muka, është shprehur se shpërthimi ka ardhur nga një departament ushtarak që quhej “Druri i bukur”, ku sipas tij ndodheshin 30 ushtarë. Muka shprehet se ai ka qenë duke punuar për një dasmë në momentin e shpërthimit. I riu thotë më tej se nuk mban mend asgjë, ndërsa shfaqet shumë i tronditur.
Specialë për të marrë të strehuarit në tunele
Në vendngjarje janë dërguar forcat speciale për të marrë personat e fshehur në tunele. 25 qytetarë ndodheshin në tunelet e Gërdecit, ku janë strehuar sapo kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm. Lajmi konfirmohet nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ministri theksoi se deri tani nuk ka të identifikuar asnjë viktimë, por se rreziku mbetet gjithnjë i lartë.
Brenda ka pasur rreth 121 persona
Në momentin e shpërthimit mendohet se në fabrikën e çmontimit kanë qenë duke punuar të paktën 121 persona. Ata mendohet se punonin atje prej një 1 viti në këtë firmë. Në depo punohej pa specialistë. Fëmijët që kanë qenë përreth repartit dhe disa të tjerë, gati 25 persona, ndodhen të strehuar në tunelin e parë të fshatit. Të vdekur mendohet se mund të jenë më shumë se shifrat e raportuara zyrtarisht.
Alarmi për shpërthime të tjera
Predhat janë shpërndarë gjithandej dhe të paktën katër vatra zjarri janë konstatuar nga specialistët në vendin e ngjarjes. Në njërën prej vatrave ka pasur shpërthime të njëpasnjëshme. Tre helikopterë nisën evakuimin e banorëve të mbetur, ndërsa është dhënë alarmi për një tjetër shpërthim të fuqishëm. Në përmasat e të parit kanë ndodhur edhe dy shpërthime të tjera të fuqishme. Strukturat shtetërore u bënë thirrje banorëve të futen në tunele ose bunkerë. Shumë prej tyre u çorientuan dhe u endën nëpër rrugë duke kërkuar fëmijët apo të afërmit e tjerë. Theksohet se një kodër është rrafshuar e gjitha dhe banesat janë të goditura dhe të djegura.
Nxirren katër viktima nga tunelet
Forcat e RENEA-s kanë nxjerrë nga vendi i ngjarjes katër viktima. Po punohet për të nxjerrë të plagosurit, pasi ka rrezik tepër të madh nëse vazhdojnë shpërthimet. Nuk mund të përcaktohet sasia e armatimeve që kanë shpërthyer dhe sa të tjera janë të paplasura. Nga Ministria e Mbrojtjes u deklarua se nuk ka lëndë kimike dhe as raketa në depon e municioneve në Gërdec. Nëse do të ekzistonin elementë të tillë, do të kishte të tjera pasoja dhe përmasat e tragjedisë do të ishin edhe më të mëdha.
17 Mars 2008