E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia minut pas minute

12:10
Shpërthim i fuqishëm në Gërdec të Vorës. Shpërthimi ka ndodhur në një depo municioni gjatë punës për asgjësim municionesh. Shpërthimi është dëgjuar si në Tiranë, ashtu dhe në Durrës. Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit, por mësohet se ka të lënduar.

12:30
Drejt vendit të ngjarjes janë nisur makinat zjarrfikëse, ndërkohë që është bllokuar trafiku në autostradë. Për këtë shkak policia ka krijuar korsi emergjence në autostradë. Nga ana tjetër mësohet se persona të plagosur po udhëtonin në një autobus.

12.40
Kryeministri Berisha lë takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Maqedonisë, Mendu Thaçi, dhe del para medias duke bërë publike se gjendja në gërdec është tejet e rëndë. Sipas kreut të qeverisë mendohet se ka shumë të lënduar nga shpërthimi.

12.45
Dëgjohen tre shpërthime të tjera të njëpasnjëshme në Gërdec. Mësohet se Reparti i Mbrojtjes Civile ka mbërritur pranë fshatit dhe po analizohet situata për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Shpërthimi është ndier në Rinas, ku janë thyer xhamat.

13.00
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, zëvendësministri i Brendshëm, Genc Strazimiri dhe Shefi i shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha, janë vendosur pranë hyrjes në Vorë për të mësuar direkt mbi situatën. Deri në këtë moment ende nuk flitet për viktima.

13:20
Nis evakuimi i banorëve. Ngjarja ka sjellë tronditje të madhe tek ta. Midis tyre ka jo vetëm të traumatizuar, por edhe të plagosur që kanë pësuar djegie dhe plagë të tjera në pjesët e trupit për shkak të predhave që kanë shpërthyer.

14:00
Reagon Ambasada Amerikane. Në njoftimin zyrtar thuhej se Ambasada ka vërejtur e shokuar dhe e shqetësuar raportimet për aksidentin tragjik në depon ushtarake pranë Gërdecit. Mendimet dhe zemrat e popullit amerikan janë me ushtarët dhe të tjerët e prekur në këtë incident të tmerrshëm.

14:30
Numri i të plagosurve në Spitalin Ushtarak i kalon 100. Sipas mjekëve, të plagosurit u përkasin moshave të ndryshme. Midis tyre gjen fëmijë, gra, të rinj dhe burra që kanë marrë plagë të ndryshme në trup. Pjesa më e madhe prej tyre jashtë rrezikut për jetën.

15:30
Bilanc lufte në Spitalin Ushtarak. Çdo pesë minuta mbërrijnë ambulanca dhe makina private që transportojnë të plagosurit. Në spital ka mbërritur dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët Braçe dhe Klosi. Rama takohet me Berishën.

16:30
Një fëmijë 2 vjeç vjen në spital në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve, fëmijën e kanë prekur dy plumba dhe është në gjendje kritike për jetën. Në të njëjtën kohë Urgjenca është kthyer në kaos, pasi ka dhjetëra të plagosur që marrin ndihmën mjekësore.

17:00
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka ngritur një dhomë të posaçme pranë ambienteve të Parlamentit, ku ka ftuar të gjithë deputetët të dhurojnë gjak për të plagosurit e tragjedisë së depos së armatimeve në fshatin Gërdec.

17:38
Ministri i Jashtëm maqedonas, Antoniu Milloshoski, pasi ka mësuar tragjedinë në Gërdec, është nisur drejt Tiranës. Ai ka premtuar se do të sillte edhe gjak për të plagosurit. Burime zyrtare pohojnë se ai ka dhënë mbështetjen e Maqedonisë në këtë tragjedi.

18:00
Zyra e Shtypit e Kryeministrit njofton se ka dëshmitarë, të cilët kanë qenë në vendngjarje duke punuar. Njoftohemi se numri i punonjësve në fabrikë sot ka qenë rreth 110 punëtorë. Sikundër po këta dëshmitarë pohojnë se midis shpërthimit të parë dhe shpërthimit të dytë ka pasur një distancë kohore prej 10 minutash.

18:10
Forcat e Ndërhyrjes së Shpeshtë dhe të Mbrojtjes Civile nxorën nga një tunel në afërsi të vendngjarjes 25 banorë të zonës, ndër të cilët ndonjë edhe me plagosje të lehta. Transporti i tyre u krye me helikopter. Ka ende pjesë të territorit të pakontrolluar, për shkak të shpërthimeve që vazhdojnë.

18:28
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaron publikisht se në depon ku po ndodhnin shpërthimet nuk kishte as lëndë kimike dhe as raketa. Ministri ka sqaruar se nëse në atë depo do të kishin ekzistuar ato lloj lëndësh, pasojat e tragjedisë do të ishin shumë të rënda.

18:30
Zyra e Shtypit e Kryeministrit njofton se kryeministri Berisha ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Greqisë, Kostas Karamanlis. Gjatë kësaj bisede, kryeministri Karamanlis i shprehu kryeministrit Berisha ngushëllimet e sinqerta të tij dhe të qeverisë greke për viktimat.

19:00
Zyra e Shtypit e Kryeministrit njofton se për çdo emergjencë Shtabi i Emergjencës ka vendosur në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit 129, të sallës së Qendrës Operative. Ndërsa ministri Ndoka pohon se tetë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.

19:20
Ministri i Shëndetësisë bën publike se deri në këtë orë, në spitalet e Durrësit dhe ato të Tiranës numri i të plagosurve shkon në 203; i të vdekurve 4 dhe tetë prej tyre janë gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve që kanë marrë.

20:00
Në Gërdec shikohen vetëm flakë. Shpërthimet janë rralluar. Banorët që gjenden në zonat përreth shpërthimit janë dërguar menjëherë te Konvaleshenca për të kaluar natën. Shumë prej tyre janë të traumatizuar, pasi nuk e dinë për fatin e familjes.

20:10
Mbërrijnë helikopterët e KFOR-it për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe forcave ushtarake të Shqipërisë. Mësohet se ata kishin shumë ilaçe, gjak dhe ndihma të tjera, që u janë dorëzuar mjekëve shqiptarë të Spitalit Ushtarak.

21:15
Banorë të kryeqytetit ndezin qirinj në qendër të Tiranës, duke u lutur për banorët e Gërdecit. Të gjithë janë solidarizuar me dhimbjen e madhe. Sakaq, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka pohuar se ka pasur mesazhe nga Franca, Anglia, Mali i Zi Zvicra etj.

21:30
Kryeministri Berisha del në një konferencë për shtyp duke bërë dhe bilancin e tragjedisë deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Sipas tij, tragjedia ka ardhur si rezultat i një shpërthimi të brendshëm në Fabrikën e Çmontimit të Armatimit.

21:45
Kryeministri Berisha pohon se deri në atë orë numri i viktimave është 5. Të plagosurit janë rreth 243, 12 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, nga zona janë evakuuar rreth 4 mijë fshatarë, të cilët është menduar se u kanosej jeta.

22:35
Gërdeci ende ndriçohet nga flakët. Të plagosurit, që kanë marrë ndihmën mjekësorë në spitale, janë dërguar te Konvaleshenca. Shtabi i Emergjencës është mbledhur për të analizuar situatën dhe për të vendosur planin për ditën e sotme, ku do të nisë shpëtim-kërkimi që në orët e para të mëngjesit.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›