E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët, shkarkimet cenojnë pavarësinë

 

Trazhgim Sokolaj

Misioni EURALIUS gjen mangësi serioze në sistemin e ndëshkimit të gjyqtarëve shqiptarë, duke hartuar një rekomandim të veçantë për këtë çështje. Mes rekomandimeve bën pjesë edhe krijimi i një ligji të veçantë për mbrojtjen e gjyqtarëve, pasi shkarkimet e tyre në disa raste cenojnë pavarësinë. Raporti është hartuar nga katër ekspertë të kësaj fushe ndërsa pritet që misioni evropian i ndihmës në fushën e gjyqësorit dhe drejtësisë, ta dorëzojë dokumentin në rrugë institucionale në KLD dhe Ministrinë e Drejtësisë. Duke iu referuar statistikave, rezulton se nga viti 1997, deri në vitin aktual 2009, në vendin tonë janë ndëshkuar me masa të ndryshme 135 gjyqtarë. EURALIUS thekson në raport se numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në Shqipëri është 370 dhe duke iu referuar numrit të ndëshkimeve, është e qartë se rreth gjysma e numrit të përgjithshëm të togave të zeza janë ndëshkuar në këto 12 vjet. Megjithatë numri i lartë i masave ndaj gjyqtarëve nuk konsiderohet si një zgjidhje për gjendjen ku ndodhet sistemi pasi imazhi i tij, përkundër këtyre masave të marra, ka mbetur përsëri negativ. “Këto shifra tregojnë se procedimet disiplinore nuk janë zgjidhja për të “pastruar” sistemin e drejtësisë nga “gjyqtarët e këqij” dhe për të përmirësuar imazhin e sistemin të drejtësisë. Pas kaq shumë shkarkimesh dhe procedurash disiplinore, imazhi i gjyqtarëve nuk është përmirësuar. Sipas nesh, një vend demokratik me besim të fortë tek institucionet e pavarura, duhet të mendojë për mjete të tjera për të përmirësuar pushtetin gjyqësor, si për shembull trajnimi më i mirë i gjyqtarëve, një proces transparent i emërimit dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve dhe sidomos një sistem i mirë dhe i drejtë vlerësimi”, thuhet në raportin e katër ekspertëve të EURALIUS. Që në fillim të dokumentit, bëhet e qartë se “sistemi shqiptar i procedimeve disiplinore dhe përgjegjësive të gjyqtarëve nuk përputhet plotësisht me standardet evropiane”. Raporti thekson se “në anën pozitive, si Gjykata Kushtetuese ashtu dhe Gjykata e Lartë kanë interpretuar rregullisht dispozitat kushtetuese dhe ligjore në lidhje me procedimet disiplinore dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve, sipas standardeve evropiane, duke ekuilibruar mungesën e zbatimit të standardeve evropiane nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë. Fatkeqësisht, as Ministria as Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kanë ndjekur rregullisht udhëzimet e dhëna në këto vendime gjyqësore”. Ekspertët e misionit ndërkombëtar e konsiderojnë inspektimin e gjyqtarëve si një çështje parësore, si për Ministrinë e Drejtësisë, ashtu dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ata vënë në dukje edhe problematikën e dualitetit mes dy inspektorateve, atij të KLD-së dhe inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë nga ana tjetër. “Shqipëria ka një sistem unik inspektimi, shpesh të piketuar si një nga problemet më të mëdha në lidhje me pavarësinë gjyqësore. Në Shqipëri ekzistojnë dy inspektorate; njëri pjesë e MD dhe tjetri nën KLD që merren praktikisht me të njëjtat çështje. Në këtë dokument nuk do të trajtojmë çështjen e dy inspektorateve, edhe pse ne besojmë shumë që kjo çështje duhet të rishqyrtohet më tej nga autoritetet shqiptare, duke ndjekur edhe rekomandimet e projektit spanjoll-italian të binjakëzimit”, thekson më tej raporti. Ai vë në dukje se proceset ndëshkimore ndaj gjyqtarëve nuk duhet të prekin në themel vendimet e dhëna prej tyre, pasi kjo do të ishte “dhënie drejtësie” duke kërkuar që të gjykohet vetëm për raportin e gjyqtarëve me kuadrin ligjor në vendimet që ata marrin.

Të dhënat e raportit

370 gjyqtarë në gjithë vendin
135 gjyqtarë masa në 1997-2009
2010 ankesa në KLD gjatë 2008
520 ankesa të hetuara gjatë 2008
25 gjyqtarë të shkarkuar në 2001-2008

REKOMANDIMET E 2009
- Duhen konsideruar ndryshimet në ligjin për pushtetin gjyqësor, KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.
- Reforma legjislative duhet të ketë të paktën përmbajtjen e mëposhtme: Në ligj duhet të përfshihet një parim i përgjithshëm për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit.
- Duhet të prezantohen më shumë sanksione disiplinore për çdo kategori të shkeljeve.
- Të prezantohen rregulla që lidhen me zbatimin e sanksioneve disiplinore, si dhe rregulla sesi të procedohet kur Gjykata rrëzon vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
- Të bëhet përkufizim më i saktë i shkeljeve disiplinore ku të mbahen parasysh rrethanat objektive dhe subjektive
- Një komision i përbërë nga disa anëtarë brenda Këshillit duhet të përgatisë dhe të drejtojë gjithë procedurën, përfshirë këtu mbledhjen e provave, në mënyrë që t’i paraqesë në seancë plenare në mënyrë të qartë.

EURALIUS: Mëkatet e gjyqtarëve, të zgjidhen përmes ankimimeve
TIRANE – Raporti i misionit evropian thekson se gabimet e gjyqtarëve duhet të zgjidhen së pari përmes ankimimeve. Nëse gjyqtarët e shkallës së parë kanë gabuar në shqyrtimin e një çështje, palët duhet të bëjnë ankimim në një gjykatë më të lartë e cila mund të vendosë në mënyrë të drejtë. Nga ana tjetër, EURALIUS gjen me vend të theksojë se për disa “shkelje” të gjyqtarëve nuk duhet të jetë KLD-ja që të verifikojë apo të hetojë. Sipas ekspertëve, këto janë çështje që mund të trajtohen në mënyrë të ligjshme me anë të ngritjes së një ankimi në Gjykatën e Apelit apo në Gjykatën e Lartë, ku palët mund të paraqesin prova dhe pretendimet të shqyrtohen në një proces të mirëfilltë ligjor. Duke analizuar sistemin shqiptar të procedimit dhe ndëshkimit të gjyqtarëve, rezulton se gjatë këtyre viteve të tranzicionit precedentët flasin vetëm për kërkesa të Ministrisë së Drejtësisë, të paraqitura në KLD për fillimin e procedimeve ndaj gjyqtarëve. Ministria e Drejtësisë, me të marrë një informacion apo ankesë, angazhon Inspektoratin e saj i cili bën verifikimet e para e më pas kërkesa paraqitet në KLD. Këshilli vendos me votim nga anëtarët dhe më pas fillon procedimi disiplinor, ku pas verifikimit të rrethanave thirret edhe vetë gjyqtari për të dhënë versionin e tij. Më pas në rast vendimi për shkarkim, ai i propozohet Presidentit për dekret ndërsa për masa të tjera vendos vetë KLD-ja.              t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›