Meta në Beograd: Në fokus, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Vizita e pritshme e ministrit të Jashtëm Ilir Meta në Serbi do të ketë në fokus të saj edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për këtë arsye, shefi i Diplomacisë shqiptare, Meta, priti në një takim të veçantë një delegacion të përfaqësuesve politikë shqiptarë në Preshevë, i kryesuar nga deputeti Riza Halimi dhe nga kryetari i komunës, Ragmi Mustafa. “Ne kemi pasur një bisedë shumë konstruktive dhe besojmë që duke vazhduar këtë dialog, të gjithë së bashku do të arrijmë të përmirësojmë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kushtet në të cilat ata jetojnë me qëllim një integrim sa më të mirë të tyre. Me qëllim që Lugina e Preshevës të jetë një burim stabiliteti për gjithë rajonin dhe një burim mirëqenieje dhe perspektive për banorët e saj, në mënyrë të veçantë për shqiptarët që janë ndeshur vazhdimisht me vështirësi të ndryshme", - tha Meta. “Ne presim edhe nga vizita, që besoj do ta kemi në nivelin më të lartë dhe në Beograd, por dhe të përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në Tiranë, që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të avancohen të zgjidhen problemet e ndjeshme ekonomike, socio-politike, në arsim", - u shpreh Riza Halim, deputet në Parlamentin Serb. “Natyrisht, kemi arritur të shpjegojmë të gjitha problemet tona që i përkasin kryesisht sferës së arsimit, po kemi shpjeguar dhe problemet që i takojnë sferës ekonomike; natyrisht dhe problemeve që u takojnë shqiptarëve në pikëpamjen e përdorimit të lirë të simbolit kombëtar", - tha Mustafa. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë shprehën bindjen se problemet e tyre do të trajtohen më së miri në turin diplomatik të ministrit të Jashtëm Meta në Beograd dhe se shpresojnë në një zgjidhje që i shërben përmirësimit të jetës së shqiptarëve atje.
23 Shkurt 2010