Dëshmitari 77 flet për konfliktin FARK-UÇK

Në vazhdim të procesit të rigjykimit të ish- kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të hënën në Tribunalin e Hagës u paraqit një dëshmitar i mbrojtur, e i cili për më shumë se pesë orë iu përgjigj pyetjeve të prokurorit.
Dëshmitari ka përshkruar kryesisht rivalitetin mes UÇK-së dhe Forcave te Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që luftuan kundrejt serbëve në vitin 1998 dhe 1999.
Dëshmitari i mbrojtur u përgjigj fillimisht për hyrjen në Kosovë të brigadës 134 në krye me Tahir Zemaj, si dhe mosmarrëveshjet që kishte ai me Ramush Haradinajn dhe komandantët e tjerë të UÇK-së në atë kohë.
Në disa raste të ndara dëshmitari foli edhe për përfshirjen e drejtpërdrejt të Idriz Balajt të njohur si Togeri në keqtrajtimet e pjesëtarëve të kësaj brigade të cilën e komandonte Tahir Zemaj.
Avokati mbrojtës i ish kryeministrit Haradinaj i konsideroi si të panevojshme dëshminë e sotme të dëshmitarit 77, meqë dëshmia e tij është marrë si fakt nga gjykimi i parë kundër Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt.
Sipas mbrojtjes nuk është e nevojshme që të diskutohet më shumë për konfliktin ndërmjet FARK-ut dhe UÇK-së pasi siç tha avokati Emerson gjykimi ndaj Haradinajt nuk ka të bëjë fare me këtë çështje.
Gjykimi i sotëm është zhvilluar kryesisht në seancë të mbyllur. Ndërkaq pala mbrojtëse do t’i parashtrojë pyetjet këtij dëshmitari të mbrojtur në seancën e radhës.
Rigjykimi i ish- kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gusht.
Ish- komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues.
Por ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallëzim penal për gjykim të pjesshëm.
Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara. /kp/