Grabitën 600 milionë lekë, u gjenden vetëm 15 mijë euro
Trazhgim SokolajShtatë personat e arrestuar për vjedhjen e më shumë se 700 milion lekëve rezultojnë të varfër nga hetimi pasuror i Krimeve të Rënda. Menjëherë pas arrestimit të shtatë personave të dyshuar më 13 dhjetor 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton çështjen, ka nisur verifikimin e pasurive të personave të pandehur në një përpjekje për kthimin e mundshëm të shumave financiare tek personat të cilëve u janë grabitur ato. Në njërën nga nëntë grabitjet për të cilat akuzohen të arrestuarit e aksionit “Hija e Natës”, ata kanë arritur të përfitojnë 600 milion lekë. Megjithatë verifikimet për pasurinë e të arrestuarve i kanë nxjerrë ata krejtësisht “të varfër”. Burime pranë grupit hetimor të çështjes, thanë se pas kërkesës drejtuar bankave të nivelit të dytë për identifikimin e llogarive bankare në emër të personave të arrestuar, kanë mbërritur në Prokurori përgjigjet zyrtare. Sipas këtyre informacioneve, njëri nga të arrestuarit zotëron një depozitë me 15 mijë euro ndërsa nuk ka asnjë pasuri tjetër në zotërim të shtatë personave të arrestuar. Organi i akuzës mësohet se është në pritje të disa përgjigjeve të tjera megjithatë sipas të dhënave të deritanishme, paratë e grabitura rezultojnë të jenë “zhdukur”. Sipas informacioneve operative të policisë, grumbulluar gjatë kohës që të dyshuarit gjurmoheshin nga agjentët e krimeve, ka rezultuar se një pjesë e mirë e parave janë shpenzuar për jetesë dhe blerje të ndryshme.Milionerë për një natëShtatë persona, Elton Lika, 26 vjeç, Sajmir Kuçi, 26 vjeç, Sulejman Bakalli, 26 vjeç, Taulant Mataj, 28 vjeç, Euklid Habili, 27 vjeç, Dritan Duka, 28 vjeç dhe Admir Burri, 31 vjeç ndodhen në qeli për akuzën e mëse 9 grabitjeve në Tiranë dhe në Durrës. Objekt i vjedhjeve kanë qenë kryesisht zyrat e bizneseve të ndryshme ndërsa në një rast, ata kanë grabitur banesën e biznesmenit I.C, në afërsi të Ministrisë së Drejtësisë duke marrë 600 milionë lekë në kasafortë. Shtatë personat akuzohen se kanë hapur derën me oksigjen dhe më pas kanë marrë kasafortën e mbushur me para. Grabitja u krye brenda një nate në kohën kur në shtëpinë e biznesmenit nuk kishte njeri. Sipas policisë dhe Prokurorisë, të arrestuarit kanë grabitur edhe: agjencinë “Adriatika” në Durrës, kanë tentuar grabitjen e kasafortës së firmës “Skutari” në autostradë, kanë grabitur një kompani makinash në Tiranë, agjencinë “Pasha Travel” në kryeqytet, firmën e ndërtimit “Merkaj”, ambasadën daneze, dhe kasafortën e agjencisë “ATHS”. Grupi i hetimit tha se po verifikon raste të tjera vjedhjesh e grabitjesh të kryera nga të arrestuarit. Duke qenë se shumat e marra prej tyre kanë qenë të konsiderueshme Prokuroria është përpjekur të gjejë paratë e vjedhura për t’ua kthyer pronarëve por duket se këto shuma janë “zhdukur”. Të dyshuaritElton Lika, 26 vjeçSajmir Kuçi, 26 vjeçSulejman Bakalli, 26 vjeçTaulant Mataj, 28 vjeçEuklid Habili, 27 vjeçDritan Duka, 28 vjeçAdmir Burri, 31 vjeç