E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarja, akuza Artur Dajës dhe të penduarit të drejtësisë



Artan CENA
TIRANË - Dëshmi tronditëse janë dëgjuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë procesit ndaj të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Luiza Beqiri ka treguar dje në gjykatë se si ishte përdhunuar në një nga institucionet shtetërore që ishte pushtuar nga banda e Artur Dajës. Gjithashtu ajo ka treguar se një prej personave që ishte marrë si i pandehur nga prokuroria, disa muaj më është liruar nga akuzat. Gramoz Selmani është marrë në mbrojtje nga drejtësia, pasi ai ka pranuar që të dëshmojë në lidhje me krimet e bëra gjatë vitit 1997.
DËSHMIA
Krimet e kryera nga viktima Artur Daja janë treguar dje në procesin në ngarkim të të cilësuarit si kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare. Dëshmitarja e thirrur nga mbrojtja, Luiza Beqiri, 44 vjeçe, ka treguar përpara trupit gjykues të kryesuar nga Fatmira Hajdari për përdhunimin e saj nga Daja, shfrytëzimin e saj si prostitutë në Itali, e deri në planet e Dajës me bandën e tij, për vrasjen e të pandehurit Aldo Bare. Beqiri ka treguar përpara gjykatës se kishte punuar si sekretare në Ndërmarrjen Elektrike të Lushnjës për pesë vjet, deri në vitin 1997. 44-vjeçarja sqaroi se Artur Dajën e kishte njohur për herë të parë në fund të korrikut të vitit 1997. “Atë ditë po shkoja në punë kur më ndalon në rrugë dhe nisi të më bënte komplimente. I thashë “Ik qërohu!”. Më pas arrita në zyrë dhe pas pak minutash futet brenda Artur Daja së bashku me tre persona të tjerë. Mbylli derën, i la ata jashtë dhe nisi sërish të më komplimentonte. I thashë të dilte jashtë, por aty nisi të më kapë me forcë dhe më përdhunoi. Askush nuk mundi të më ndihmonte, se kishin frikë”, - ka treguar Beqiri. Gruaja ka thënë se pas kësaj ngjarjeje ka marrë një muaj leje për të harruar ngjarjen, duke menduar se aty kishte për të përfunduar gjithçka. Sipas saj, në fund të gushtit, teksa po shkonte te prindërit e tij, një makinë i kishte prerë rrugën dhe që aty kishte dalë Artur Daja së bashku me një djalë, për të cilin më vonë kishte mësuar se ishte Gramoz Selmani. “Më futën në makinë dhe qeshnin e talleshin me mua. Shkuam në një banesë në hyrje të Fierit. Aty gjeta dhe tri vajza të tjera që punonin si prostituta, njëra prej të cilave, sipas dëshmitares, i kishin qethur kokën dhe i kishin fikur cigare në kokë. Qëndrova një muaj në atë shtëpi. Na strehoi dikush që e thërrisnin Ben Qimja”, - tregoi më tej Luiza. Dëshmitarja ka shpjeguar se gjatë kohës që ka qëndruar në këtë banesë ka mësuar se Tur Daja dhe Moz Selmani merreshin me femra, drogë, pinin dhe vetë drogë, armë dhe kishin bërë shumë vrasje, mes tyre dhe vrasjen e Ramadan Shkurtit.
TRAFIKU
Luiza Beqiri ka treguar se më pas tri vajzat, mes të cilave edhe ajo vetë, ishin dërguar në Itali, ku për një muaj kishte punuar si prostitutë. Dëshmitarja ka rrëfyer se njëherë kishte mundur të largohej, duke marrë me vete edhe një vajzë 16 vjeçe, e cila i ishte dhimbsur. “Arturi dhe Gramozi na gjetën e na masakruan. Mua më rrahën brutalisht dhe më masakruan me thika, më hodhën në një kanal. Artur Daja ishte një kriminel budalla. Ndërsa Gramoz Selmani është një kriminel i pashpirt, i paskrupullt. Më ka gjetur policia italiane e më mori në mbrojtje”, - ka vazhduar më tej ajo. Sipas saj, gjatë kohës që ishte në Itali kishte dëgjuar dhe planin që po përgatitej për ekzekutimin e Alfred Shkurtit, që e cilësonin se do të ishte një vrasje madhështore. Dëshmitarja ka treguar në fund të dëshmisë së saj se ka dëgjuar që Gramoz Selmani i thoshte Artur Dajës se Luan Bilbili (tashmë i vrarë, vrasje për të cilën akuzohet i pandehuri Aldo Bare), po ua fuste duke punuar si për ata, por edhe për Baren.

Pacienti vdes në sallën e operacionit, djali i viktimës rreh mjekun
TIRANË - Një mjek kardiokirurg është rrahur rëndë paraditen e djeshme në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ngjarja ndodhi pas vdekjes së një pacienti, i cili ndodhej në sallën e operacionit. Sipas informacioneve nga policia, mësohet se mjeku kardiokirurg Edvin Prifti është qëlluar me sende të forta nga djali i një pacienti, i cili kishte vdekur pas një operacioni. Mësohet se 70-vjeçari Vladimir Rama ka ndërruar jetë pas komplikacioneve që ka pasur pas ndërhyrjes kirurgjikale, por djali i tij, Robert Rama, 26 vjeç, i cili nuk e ka pranuar dot vdekjen e të atit, ka shkuar në spital dhe duke e akuzuar mjekun për neglizhencë dhe e ka goditur me sende të forta. Për të parandaluar një situatë më të rëndë kanë ndërhyrë mjekë dhe familjarë, të cilët i kanë ndarë ata. Menjëherë është njoftuar policia dhe në vendngjarje kanë mbërritur patrullat e policisë, të cilët kanë shoqëruar në Komisariatin Nr. 4 autorin dhe mjekun Edvin Prifti, për të dhënë edhe versionin e tyre për ngjarjen. Nga hetimet paraprake mësohet se vdekja e të moshuarit ka ndodhur për shkaqe natyrale dhe jo për faj të mjekut. Pas ngjarjes ka reaguar dhe Drejtoria e QSUT-së. Në një komunikim me median, drejtori Sajmir Ivziku ka dënuar ngjarjen e ndodhur, ndërsa ka shtuar se do të jetë mjekësia ligjore që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientit 70-vjeçar.

Drogë në Burgun 313, të dënuarit i gjenden 7 qese me Cannabis
TIRANË - Një kontroll rutinë nëpër godinat e Burgut 313 ka bërë që të zbardhet një sasi droge. Sipas të dhënave të policisë, janë kapur 40 gramë Cannabis sativa, e cila ishte fshehur në shtatë qese të mbështjella me rroba. Në prangat e policisë ka rënë Selim Rama, i cili është i dënuar për “armëmbajtje pa leje”. Burimet e policisë thanë se, rreth orës 11:00 të dy ditëve më parë, në ambientet e Burgut 313 në Tiranë është kapur në flagrancë nga policia e këtij burgu i dënuari Selim Rama, 22 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë. Atij i është gjetur sasia prej 40 gramësh Cannabis sativa. Rama është i dënuar për veprat penal të “armëmbajtjes pa leje”, “kanosjes”, “kundërshtim të punonjësit të policisë” si dhe të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Droga ishte e fshehur në 7 qese që ndodheshin në rrobat e veshura nga i dënuari. Pas kapjes, hetimet procedurale janë kryer nga efektivët e seksionit kundër narkotikeve, në prani të prokurorit. Rama aktualisht është i dënuar dhe po vuan dënimin në Burgun 313, ndërsa materialet do të bashkëngjiten për t’i kaluar Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të sipërcituara dhe të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”.

Gjenden 30.5 kg Cannabis, do të dërgohej në Greqi
KORÇË - Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar nga Policia e Korçës gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Streha e fundit” dhe është arrestuar poseduesi i drogës. Burime nga policia bënë me dije se janë kapur 30.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Sipas policisë, droga është kapur brenda një banesë, në fshatin Poçarë të komunës së Mirasit, në rrethin e Devollit. Për këtë është vendosur në pranga nga blutë e Korçës Niko Babi, 49 vjeç. Sipas informacioneve, droga ishte e ndarë në 30 pako që kishin si destinacion fqinjin tonë, Greqinë. Sipas Drejtorisë së Policisë, 49-vjeçari ka rezultuar edhe si një person me precedentë penalë, pasi ka qenë i dënuar për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit”.

Kokainë dhe Cannabis për t’u shitur, pranga dy të rinjve
DURRËS - Dy të rinj janë vënë në pranga pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se në orët e para të mëngjesit janë sekuestruar dhe 861 gramë lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë dhe Cannabis sativa, e gatshme për shitje. Sipas policisë, një sasi prej 834 gramësh lëndë e dyshuar si kokainë ishte fshehur në dy kuti plastike, të cilat ndodheshin mes mallrave ushqimore në shtëpinë e 34-vjeçarit Florint Keçi nga Shijaku. Uniformat blu kanë ushtruar kontroll edhe në bagazhin e automjetit tip “Volkswagen” me targa DR 0119 E, që drejtohej nga 17-vjeçari me inicialet O. Ç., në të cilën u gjet sasia prej 243.3 gramësh lëndë e dyshuar si Cannabis sativa dhe 27.2 gramë lëndë e dyshuar si kokainë. Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 17-vjeçarit në Shijak, u gjet dhe sekuestrua edhe një armë zjarri, automatik, model 44, së bashku me dy krehra dhe 31 copë fishekë.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›