E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga Ylli Kelmendit, kapet nga policia me armë në brez



TIRANË - Arrestohet Ylli Kelmendi, i njohur si miku i afërt i Mirit të Xhikes, i vrarë disa vite më parë. Burime nga policia thanë se Kelmendi është arrestuar për “armëmbajtje pa leje”. I liruar nga burgu me kusht më 25 maj të vitit 2009, Ylli Kelmendi, një personazh tashmë i njohur, përfundon sërish në burg. Arrestimi i 46-vjeçarit është bërë nga forcat e policisë së Komisariatit Nr. 1, pasi është kapur në rrugë me një pistoletë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe dy automatikë. Kelmendi është dëshmitari kryesor i vrasjes së Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes. Ngjarja ndodhi më 29 mars 2003, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej në lokalin e tij “Kartodromi 2000”. Ylli Kelmendi ka qenë në tavolinë në momentin që janë qëlluar me automatik nga ambientet e jashtme të lokalit. Bashkë me të ishte dhe shoku i tij i ngushtë, Fatmir Rama, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Për të njëjtën akuzë, armëmbajtje pa leje, Kelmendi është arrestuar edhe më 4 korrik të vitit 2008, ku ka ushtruar dhunë edhe ndaj dy policëve që donin ta kontrollonin. Pasi u lirua në maj të 2009-s me kusht nga Gjykata e Tiranës, Kelmendi përfundon përsëri në pranga.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›