Luante futboll në oborrin e Burgut 313, arratiset i burgosuri
Artan CENA
TIRANË - Spektakolare është arratisja nga burgu e një të arrestuari për vjedhje banke që mbeti në tentativë. Ajet Marku, 20 vjeç, është larguar dje nga Burgu 313 në sytë e gardianëve që ndodheshin në muret e ndërtesës. Marku, i cili ishte i arrestuar dhe priste gjykimin nën akuzën e tentativës për grabitje bankash, ka mundur t'u shpëtojë rojeve të sigurisë, duke u zhdukur në rrugët e lagjes që rrethojnë Burgun 313. Dyshohet se Marku ka shfrytëzuar orarin e ajrimit në mëngjes për t'u ngjitur në një godinë të re që po ndërtohet aty pranë, e më pas ka kapërcyer nga muri rrethues, në rrugën "Jordan Misja".
ARRATISJA
Ishte duke lozur futboll bashkë me disa persona të tjerë, por në një moment, kur ka qenë afër portës, ka ndryshuar mendje. Nuk ka shkelmuar topin, por ka kërcyer dhe është ngjitur në trarin e portës së fushës duke u hedhur në mur. Më pas është ngjitur në një tarracë dhe është hedhur në pjesën e pasme të burgut. Një prej rojeve të burgut ka qëlluar me armë në ajër për të parandaluar arratisjen, por ka qenë e kotë. Marku ishte përleshur dhe me një gardian në momentin që është ngjitur në murin e parë, por ka mundur të shpëtojë. Pasi ka kërcyer në tokë ai ka kaluar përmes godinës së shërbimit të provës, e cila është në ndërtim, dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë pas kësaj është hedhur në një prej mureve rrethuese duke e kapërcyer atë dhe duke u hedhur nga lartësia e soletës së murit, rreth 2 metra, drejt e në rrugën “Jordan Misja”. Më pas, dëshmitarë vërtetuan se e kanë parë Markun të largohej me shpejtësi. Priten hetimet që do të zbardhin nëse Marku ka pasur ose jo ndihmës në këtë arrati spektakolare.
HETIMET
Nuk dihet nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë, apo ka shfrytëzuar vetëm mungesën e vëmendjes së rojeve të shumtë. Mësohet se sektori i kontrollit të brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve ka nisur hetimet për të zbuluar nëse 20-vjeçari Marku është ndihmuar nga ndonjë gardian i burgut për t’u arratisur. Hetuesit dhe autoritetet e larta të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë bërë hetime intensive gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që në shumë zona po zhvillohen kontrolle për të gjetur të burgosurin e arratisur. Postblloqe të shumta policie janë ngritur në të gjitha hyrjet dhe daljet e kryeqytetit, por deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur asnjë gjurmë të të arratisurit.
Grabitja e dështuar e Markut
Ajet Marku është i riu që tentoi të grabiste filialin e një banke private në qendër të Tiranës më 17 Shtator të vitit 2010. Por, roja i bankës kishte vërejtur armën e maskuar brenda një çante të zezë të djalit të ri, që po tentonte të kalonte zonën e sigurisë. Në tentativë për ta bllokuar roja i filialit është lënduar lehtë. Pak minuta më vonë policia arrestoi të dyshuarin Ajet Marku, 20 vjeç, i cili në duar kishte doreza, ndërsa në kokë mbante një kapele të verdhë, me të cilën kishte mbuluar thuajse tërë fytyrën që të mos filmohej nga kamerat e sigurisë. Gjatë marrjes në pyetje lidhur me ngjarjen, i riu ka shfaqur shenja papërgjegjshmërie dhe u deklarua sikur vuante nga problemet mendore.
3 Dhjetor 2010