E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes të rinjsh, vritet me thikë 20-vjeçari Bruno Kallasi



KAVAJË - Një i ri është qëlluar për vdekje me thikë, ndërsa autori i krimi është plagosur pas një sherri banal mes të rinjve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, në një lokal në Kavajë, ku si pasojë e një sherri me thika ka gjetur vdekjen Bruno Kallasi, 20 vjeç, dhe është plagosur autori i krimit, Arjan Leka, 23 vjeç. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë mbrëmjen e djeshme se, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 13:00, në Lagjen Nr. 2 të Kavajës. Mes viktimës dhe dy personave të tjerë, Arjan Leka dhe Emiliano Leka, 26 vjeç, ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta. Gjatë sherrit, Arjan Leka e ka qëlluar me armë 20-vjeçarin Kallasi, duke i shkaktuar plagë të rënda. I plagosuri është dërguar me urgjentë në Spitalin e Durrësit, por fatkeqësisht ka gjetur vdekjen. Gjatë sherrit plagë ka marrë dhe autori i krimit, i cili ndodhet në spital, ku i është komunikuar dhe urdhri i arrestit. Si i përfshirë në këtë ngjarje është vënë në pranga dhe Emiliano Leka. Policia dyshon se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje për motive të dobëta, të ndodhur midis viktimës Bruno Kallasi dhe bashkëmoshatarit të tij, Arjan Leka, 23 vjeç, të dy me banim në Kavajë. Policia ka bërë hetimet e para dhe ka grumbulluar provat. Policia e Tiranës tha se dosja me materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të dy të rinjve për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje”.

Gjendet në përrua trupi i pajetë i një 58-vjeçari

LEZHË - Trupi i një 58-vjeçari është gjendur i pajetë mesditën e djeshme në Lezhë. Sipas informacioneve të policisë, 58-vjeçari Mark Meksi është gjetur i vdekur në një përrua në fshatin Pllam të Lezhës nga disa banorë të zonës. Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Ndërkohë nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së 58-vjeçarit Mark Meksi, nga fshati Tale e Lezhës, por policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rezistenca e ngrohjes i merr jetën Ibrahim Bytyçit

POGRADEC - Një pakujdesi me ngrohjen në banesë i ka marrë jetën një banori të fshatit Gurras në Pogradec. Mësohet se viktima është Ibrahim Bytyçi, 51 vjeç, ndërsa ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë natës në banesën e tij, ku jetonte i vetëm. Zjarri mund të jetë shkaktuar nga një rezistencë elektrike që Bytyçi e ka harruar ndezur pasi e ka zënë gjumi. Nga hetimet paraprake dyshohet se 51-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë.

Shisnin kokainë e heroinë, arrestohen 3 shqiptarë

ATHINË - Tre shqiptarë, dy djem dhe një vajzë, janë arrestuar nga policia greke për trafik droge. Burime zyrtare të Policisë helene kanë bërë të ditur se tre shqiptarët janë ndaluar mbrëmjen e kaluar, në lagjen “Nea Filadhelfia” të Athinës. Policia kishte informacione se tre shqiptarët trafikonin lëndë narkotike dhe ata ishin mbajtur nën vëzhgim. Policia ishte në dijeni të lëvizjeve të emigrantëve shqiptarë. Gjatë një kontrolli në automjetin e tyre janë gjetur dhe sekuestruar, 28 kilogram hashash, 1600 gramë heroinë dhe 500 gramë kokainë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta, një peshore elektronike si dhe një shumë e madhe parash.

3 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›