Shkodra “pushtohet” nga ujërat e lumenjve dhe të liqenit, mijëra banorë evakuohen
Artan CENA
SHKODËR - Përmbytjet kanë pushtuar Shkodrën. Mëngjesin e djeshëm, uji i liqenit, i lumenjve dhe i dalë nga shkarkimi i digave të hidrocentraleve ka hyrë në qytet duke sjellë përmbytje në pjesën më të madhe të tij. Në mesditë një fëmijë ka humbur jetën, ndërsa prindërit kanë deklaruar se kishin një javë nën ujë dhe se fëmija i tyre ishte ftohur duke humbur jetën pikërisht nga kjo gjendje e krijuar. Ndërsa deri dje në mbrëmje mësohet se janë 7800 hektarë tokë nën ujë, ndërsa janë evakuuar 380 familje. Sipas të dhënave, rreth 1100 shtëpi kanë qenë të përmbytura, ndërsa gjatë orëve të para të ditës, 4800 hektarë tokë kanë qene nën ujë. Masat e ndërmarra kanë qenë emergjente, ndërsa veç njerëzve janë evakuuar dhe 5100 krerë bagëti.
EVAKUIMET
Gjatë mbrëmjes së djeshme situata e krijuar nga përmbytjet në Shkodër është rënduar së tepërmi. Sipas të dhënave zyrtare të Shtabit të Emergjencave në Shkodër, të bëra publike në mbrëmje, situata më kritike paraqitet në komunat Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Guri i Zi dhe Bushat, ku deri tani janë evakuuar një mijë persona. Shtabi i Emergjencave ka bërë të ditur se ka zona të përmbytura dhe në periferi të qytetit të Shkodrës, si në Livadhe, Ajasëm dhe Bahçallëk. Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë nxjerrë nga shtrati ujërat e lumenjve Buna dhe Drin, si dhe kanë tejfryrë liqenin e Shkodrës, janë përmbytur 7780 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 1190 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Në zonat e përmbytura janë duke punuar në terren 475 efektiva të Policisë së Shtetit dhe rreth 450 forca të ushtrisë, të cilat veprojnë në ndihmë të banorëve me mjete lundrimi, makina të tonazhit të rëndë e fadroma.
PËRMBYTJET
Shkodra po përjeton sërish orë ankthi. Prurjet e Drinit kanë penguar Bunën dhe, për pasojë, uji ka nisur të mbulojë edhe rrugët e qytetit, ndërsa harta e përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës zgjerohet në mënyrë të frikshme. Hyrja e qytetit të Shkodrës, në lagjen “Xhabije”, është tashmë bregu i liqenit të Shkodrës, ujërat e të cilit kanë vërshuar nëpër rrugë dhe banesat e ulëta. Makinat lëvizin me vështirësi, ndërsa për shkak të rritjes së nivelit të liqenit në sipërfaqe kanë dalë edhe ujërat e zeza. Policia ka vendosur shirita në rrugë për të treguar vendet se ku automjetet dhe njerëzit duhet të kalojnë për të mos rrezikuar rrëzimin në kanale apo edhe në vendet më të thella të liqenit të Shkodrës. Zona e njohur e Harkut të Bërdicës këtë vit është përmbytur mbi 5 herë. Në këtë pjesë rruge mund të kalojnë mjetet e larta për shkak lartësisë së ujit që ka vërshuar në rrugë. Përmbytja më e fundit po shkaktohet nga rritja e nivelit të liqenit të Shkodres dhe pengimi i rrjedhës normale të lumit Buna. Rrjedhja e këtij lumi është më e dobët se vërshimi i ujërave të Drinit, i cili është i tejmbushur nga shkarkimi i portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Gruaja shtatzënë humb foshnjën, prej 5 ditësh shtëpia ishte nën ujë
SHKODËR - Një grua shtatzënë ka humbur foshnjën dje në Maternitetin e Shkodrës, ndërsa familjarët e saj fajësojnë përmbytjet si shkakun kryesor që e sëmura më pas humbi këtë shtatzëni. Gruaja ishte shtruar në Maternitetin e Shkodrës prej dy ditësh, pasi gjendja shëndetësore e saj ishte përkeqësuar. Por ajo nuk arriti që ta mbajë foshnjën, duke u detyruar që të abortojë në spital. Dëshmitarët u shprehën se shkak për gjithë këtë është bërë situata ku prej ditësh mbizotëron në Shkodër. Dëshmitarë rrëfyen se familja e gruas që nuk arriti ta mbajë fëmijën dhe të vazhdojë shtatzëninë normalisht ishte se ajo jeton në hyrje të Shkodrës, pranë lumit Buna. “Banesa ka qenë prej 5 ditësh nën ujë dhe gjendja shëndetësore e gruas u rëndua duke i sjellë komplikacione”, - tha një dëshmitare. Sipas saj, shtatzëna është dërguar me urgjencë në spital vetëm dy ditë më parë. “Vetëm dje (pardje) na hoqën prej andej”, - thotë një fqinjë i familjes që ndodhi fatkeqësia. Gruaja shprehet më tej se një tjetër fëmijë rrezikon të njëjtin fat si bebja 3-muajsh në barkun e nënës.
Parashikimi, shi deri ditën e shtunë
TIRANË - Reshjet dhe shtrëngatat nuk do t’i ndahen vendit tonë gjatë gjithë javës. Instituti Meteorologjik bën të ditur se përveç reshjeve të shiut me intensitet në ditët në vijim, do të ketë dhe ulje temperaturash, ku mesatarja maksimale do të jetë 11 gradë Celsius, kurse minimalja do të shënohet të dielën -1 gradë Celsius në Korçë. Reshjet e shiut do të pushojnë në fundjavë, në zonën juglindore të vendit, që do të pushtohet më pas nga ulja e ndjeshme e temperaturave. Në fundjavë zona qendrore do të ketë minimale të temperaturave 7-9 gradë Celsius, kurse në veri, po këto ditë do të shënohet mesatarja minimale rreth 2 gradë Celsius. Gjatë ditës së sotme në vend do të vijojnë reshjet e shiut me shtrëngata dhe stuhi. Në Tiranë temperaturat do të shënojnë 19 gradë Celsius maksimalja dhe 14 gradë Celsius minimalja.
Kryebashkiaku: “Gjendja është e rëndë”
SHKODËR - Në Shkodër situata paraqitet alarmante. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, thekson se rritja e kuotës së liqenit të Shkodrës në kuota të paparashikuara ka çuar në përkeqësim të situatës. Ndërkohë, dy komuna të Nën-Shkodrës, Dajçi dhe Ana e Malit, janë të përmbytura plotësisht. Gjendje shumë problematike paraqitet dhe në Velipojë. Gjithashtu, lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, sidomos ajo e Livadhës, mbulohen nga uji. Luka theksoi se janë marrë masat emergjente, familjet janë strehuar nëpër konvikte, ndërsa ka nisur evakuimi.
Dajçi: “Situata në Lezhë, më e normalizuar”
LEZHË - Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në Lezhë, por këtu gjendja është më e normalizuar. Prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, tha gjatë mbrëmjes së djeshme se është bërë një punë e vazhdueshme e bordit të kullimit dhe me hidrovoret për të penguar përmbytjen e tokave si pasojë e dallgëve të detit. Ndërkohë, situatë e rëndë shfaqet në rrethin e Mirditës, pasi ka pasur rrëshqitje të dheut duke bllokuar rrugën nacionale në Rrëshen.
2 Dhjetor 2010